Turizmi fillon me vendasin – Opinion nga Artan Xh. DUKA
Bombastikët e turizmit!
Hapja ndaj botës, turizmi, në analogji me parimin e enëve komunikuese, do të kenë ndikimet e tyre
në vend. Në rastin e turizmit, retorika “Champions League” apo 30 milionë në 30 prej Ramës do të
ngjiste e vlente vërtet nëse zhvillimi i turizmit do të sigurojë përfitime të prekshme e mirëqënie për
të gjithë qytetarët shqiptarë, me apo pa lidhje me sektorin turistik. Nga punësimi i vazhdueshëm
përtej atij sezonal, rrogat me një hap me çmimet, pensionet, kujdesi social e shërbimet e duhura
publike, strehimi i përballueshëm etj, pasuar kjo me barazpeshën mes sektorëve ekonomik,
mbrojtjen e mjedisit, trashëgimisë kulturore etj.
Milionat e turizmit katandisen në “tollumbace” politike kur shndërrohen jo në miliona
përfitime për qytetarët por për “strategjikët” e politikës e të huajt me të cilët politika shkëmben
qokat e rradhës. Kur shqiptari katandiset jabanxhi në vëndin e tij sepse nuk i del paga për të jetuar
normalisht e nuk gjen dot strehim, nuk “shkel” dot në rezorte elitare turistike ku baresin vetëm të
kamurit e bota, natyra, habitati urban e peisazhi u tjetërsohen para syve të emër të klientelizmit të
ditës, identiteti e trashëgimia kulturore rrezikojnë “hollimin” prej të ndryshmes që turizmi bart duke
cënuar uniken shqiptare si premisë për vetë interesin e botës etj.
Të “mirës” me shkelm!
Sipas medias, në ishujt Kanarie të Spanjës protestues ndërmorrën një grevë urie si reagim ndaj asaj
që ata e shohin si ndikim negativ të turizmit në këto ishuj duke kërkuar ndalimin e punimeve për
ndërtimin e një kompleksi turistik dhe moratorium mbi projektet e zhvillimit turistik për të
mundësuar rishqyrtimin e modelit ekonomik.
Lëvizja “Canaris Se Agota” (Kanariet nuk mbajnë më!) që po ndodh në një destinacion ku
turizmi ka rritje çdo vit (13.9 milion turistë vjet, pothuajse 6 herë më shumë se 2.2 milionë vëndas)
pretendon se numri i turistëve po kalon çdo cak me ndikim në mjedis dhe jetën e vëndasve (çmime
të papërballueshme të shtëpive e qerave me pasoja në varfërinë e izolimin social me syresh që
jetojnë në makina, tenta). Kjo po trazon raportet me turizmin duke shkaktuar edhe reagim qytetar
(grafite anti-turistike mureve, parrulla “Turistë ikni në shtëpi” etj). Sipas protestës, ironikisht është
vetë turizmi ai që po shkatërron atë që shet!
Ngjarje të tilla dëshmojnë se gjërat në turizëm nuk janë të mirëqëna si dikur. Diku më
shumë, diku më pak nga Spanja, Italia (taksa turistike në Venecia), Japonia (bllokimi i pamjes së Malit
Fuji për foto turistike) e gjetkë tregon se turizmi “tufë” pavarësisht futjes së parasë, nuk është më aq
popullor dhe i mirëpritur si më parë ndaj, përtej debatit rreth “fobisë” turistike ndaj një industrie që
fut para në vënd, e mira e vetë turizmit e do që në qëndër të vëmëndjes të mos jetë vetëm turisti
por edhe banori vëndas, mirëqënia e tij ekonomike dhe kohezioni social.
Komb hanxhi!
Turizmi tek ne është ende larg atij masiv por nisur nga propaganda shtetërorë, orientimi i
investimeve në infrastrukturë, favoret e statuset e investitorëve, betonizmi i bregdetit e jo vetëm,
mega-panet që befasojnë, diferenca në çmime me botën e fqinjët etj, prirja është drejt tij ndaj dhe
modeli i zhvillimit turistik ka nevojë gjithnjë për rishikim për të shmangur problemet që po has bota
sot.
Mbi të gjitha turizmi nuk duhet të jetë super-industri që nga komb tregtar të katandisemi në
komb hanxhi. Të gjitha “vezët” në një shportë nuk shkon në një botë që ndryshon me shpejtësi ndaj
vëndi ka nevojë së pari për industri e bujqësi që jo vetëm garantojnë mirëqënie në kohë por dhe janë
parakusht për mbarëvajtjen e turizmit.
Të ardhurat nga vetë turizmi duhet të kenë ndikim real tek banori vëndas dhe buxheti i
shtetit. Pjesa e “luanit” duhet të mbetet në vënd ndryshe një turizëm, qoftë edhe elitar, që lejon që
fitimet e investitorëve strategjikë të ikin në masë jashtështetit, e tepron me importet etj, nuk vlen
dhe mund të ngjizë probleme sociale e ekonomike me ndikim në vetë turizmin.
Gara, jo me botën por të nesërmen
Sot ka mjaft kundërshti politike e qytetare për zhvillimin e turizmit që përfundon deri në dyert e
Gjykatës Kushtetuese, UNESCO etj, ka debat për aeroportet (numri i tyre, flora e fauna, niveli detit si
rrjedhojë i ngrohjes globale etj), për strukturat turistike dhe zonat e mbrojtura natyrore dhe ato të
trashëgimisë historike (Butrinti) etj, dhe të gjitha këto probleme shtrojnë nevojën urgjente për një
strategji mbarëkombëtare për turizmin, përtej qasjeve të partive të rradhës në pushtet.
Turizmi nuk është garë me grekun e italianin jo vetëm sepse milionat e turistëve tanë janë
“pika uji” për ta por dhe se sa kohë jemi unik në histori, kulturë e mbi të gjitha mikpritje (se dete e
male ka plot bota), do të kemi edhe ne turistët tanë.
Turizmi ynë është garë me kohën, jo thjesht për të fituar kohën e humbur gjatë por që
turizmi t’i rezistojë kohrave dhe të garantojë zhvillim të qëndrueshëm dhe të barazpeshuar ku
mikpritja e dashamirësia ndaj turistit mbetet po ajo dhe përshtypja e emri i mirë rreth Shqipërisë
mban gjithnjë ndezur kërshërinë e interesin në botë!
Nxitimi në turizëm është kurth për të. E nisëm të fundit në rajon por kemi çfarë të mësojmë
prej nxitimit të të tjerëve. Ngritja e “pjacës” në 30 milion deri në 2030 bart sfida plot e nuk është
vetëm rritja e cilësia e ofertës turistike por dhe ndikimi i këtij fluksi turistik në ekonomi, barazpeshat
mes sektorëve, rritja e mirëqënies së shqiptarit, kohezioni zakonor e kulturor mes nesh dhe turistëve
që do vërshojnë “lumë” nga e gjithë bota etj.
Turizmi fillon me vëndasin
Një turizëm që hap dyert për botën e shtrënjton gjithshka për vëndasit duke nxitur qejfmbetje, deri
mllefe mes vëndasit e turistit është bomerang për turizmin. Para se të numërojmë turistët që vinë,
të numërojmë vëndasit që ikin për fare, ata që munden dhe ia arrijnë të pushojnë në vëndin e tyre
apo pushojnë jashtë se u del më lirë! Turizmi klientelist që i jep një dorë boshatisjes së vëndit nga
shqiptarët si prej humbjes së besimit tek politika ashtu edhe shndërrimit të vëndit në “aeroport”,
“hotel” e “dyqan lluksi” gjigand për botën (qysh tani, imagjinoni pas hyrjes në BE) me botën ulur
këmbëkryq në krye të sofrës, nuk vlen.
Përtej të mirave prej turizmit në botë (ekonomia, ambasador i paqes etj), bota po i sheh
edhe “sherrin” atij. Nuk është vetëm punë dallimi vëndasish që ndihen të “huaj” dhe të huajsh “miza
lisi”që ndjehen “vëndas” por dhe problemet mjedisore që turizmi shkakton në planet nga ndotja e
transportit ajror e atij rrugor, betonizimi, flora e fauna e rrezikuar etj.
Turisti më së pari duhet të jetë shqiptari dhe ai, jo me bukë me vete. Mali, deti, fshati,
muzeu etj para se të ftojnë milionat e botës, të ftojnë milionat këtu. Do të ishte turizëm që kujdeset
për burimet natyrore, ul ndotjen në mjedis duke shmangur transportin e tepruar, ruan trashëgiminë
etno-kulturore dhe garanton që mikpritja unike shqiptare ndaj botës të vijojë se shqiptari nuk ikën
gjetiu por rri me besim e shpresë në shtëpinë e tij!
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
DEA e Butrintit, punim në gur nga Agur Kapo
08/05/2410:43
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 6
08/05/2410:43
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 4
08/05/2410:43
Pelikani i Butrintit – Imitim mozaiku i Butrintit, punim nga Agur Kapo
08/05/2410:43
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 17
08/05/2410:43