TELEMAK PAPAPANO, KËNGËTARI PËRFAQËSUES i SARANDËS NË FESTIVALET e R.T.SH

12/02/2415:59

Shperndaje:

Telemak Papapano, këngëtari përfaqësues i Sarandës në Festivalet e R.T.SH.

Njëri nga zërat më të spikatur të muzikës së lehtë shqiptare ishte edhe këngëtari i estradës profesioniste të Sarandës Telemak Papapano, që e ushtroi karrierën e tij duke filluar nga fundi i viteve `70 dhe në vazhdim gjatë viteve ‘80. Me zërin i tij kumbues dhe melodioz, ai është paraqitur para spektatorit për herë të parë në qytetin e tij të lindjes në Delvinë, dhe më pas në trupën e estradës profesioniste të Sarandës. Njëkohësisht, ai ka qenë një pjesëmarrës i rregullt në eventin më të rëndësishëm vjetor të muzikës së lehtë shqiptare, atë të Festivaleve të këngës në RTSH, duke filluar nga Festivali i 16-të në vitin 1977 me këngën “Shoqet”, dhe më pas në vitin 1980 i është rikthyer këtij festivali në edicionin e 19-të me këngën “Për jetën tonë të re”. Dhe që nga viti 1982 T. Papapano do të ishte një pjesëmarrës i rregullt i këtij Festivali, deri në edicionin e 27-të, 1988.

Eksperienca e gjatë dhe e suksesshme e Telemak Papapano në skenën e estradës së Sarandës, por edhe në festivalet e këngëve në RTSH, krijoi mundësinë që ai të vinte përpara spektatorit, ashtu si shumë këngëtarë të njohur të muzikës së lehtë shqiptare, me recitalin e tij, në muajin mars të viti 1989, në premierën e titulluar “Këngë dhe humor”.

Repertori i gjerë dhe i larmishëm i këngëve të tij, të kënduara gjatë viteve në estradë, por edhe në festivalet e RTSH-së, kompozuar nga krijues të njohur të muzikës shqiptare, si F. Deda, E. Barbellushi, V. Veizi, dhe krijime të kompozuara nga krijuesit e Sarandës si Th. Gjoni, A. Daci, M. Leka, u sollën në skenën e estradës me një nivel të kënaqshëm,duke lënë mbresa të thella tek artdashësit e qyteteve Sarandë e Delvine, të cilët e duartrokitën të emocionuar, ashtu si në çdo event të muzikës shqiptare ku Telemaku mori pjesë.

Ja si shprehet për të, miku i tij, këngëtari i njohur, “Mjeshtri i Madhë”Kozma Dushi:

“Telemak Papapanon, mbetet një emër i skalitur i muzikës së lehtë shqiptare, djalë me zemër të madhe, i sinqertë, i qeshur dhe me shumë humor, një këngëtar me zë melodioz e diksion të pastër, shumë i sigurt gjatë interpretimit të çdo kënge. Ai këndoi në Festivalet e televizionit për shumë vite, duke marrë edhe çmime. I denjë në përfaqësimin me dinjitet të qytetit të Sarandës, Telemak Papapano ishte me të vërtetë figura e një artisti profesionist”. Nga Vangjel Agora.

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Twitter Saranda Web

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

Linktree sarandaweb

in sarandaweb


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.