Shqipëria perla e fundit e pazbuluar e Mesdheut

17/05/1813:09

Shperndaje:


Kur bie fjala për të udhëtuar, mund të thuhet se kanë mbetur vetëm pak gurë të palëvizur në Europë dhe një prej tyre është padyshim Shqipëria. Në shumë aspekte, Shqipëria është pjesa e munguar e misterit të turizmit mesdhetar, shkruan një nga faqet më të njohura në botë për turizmin, horwathhtl.com.
”Shqipëria është në gjendje ta zhvillojë shpejt turizmin për të kuptuar mundësitë e tregut global dhe të ecë në të njëjtën rruge me partneret e saj mesdhetare. Ekziston gjithashtu një interes në rritje për projekte në bregdetin shqiptar”, shkruan horwathhtl.com.
Për më tepër, Shqipëria do të ketë nevojë për turizmin si një nxitës për rritje dhe punësim si dhe një treg për bujqësinë e pasur shqiptare, industritë në zhvillim dhe ofruesit e shërbimeve të ndryshme.
Shqipëria është në një proces të shpejtë modernizimi, ku turizmi mund të kontribuojë ndjeshëm në krijimin e një imazhi të ri dhe tërheqës të një vendi miqësor dhe të hapur.
Pse Shqipëria është ende e pazbuluar?
Për 50 vjet apo më shumë, Shqipëria ishte nën një regjim shtypës komunist, që e izoloi vendin dhe e përjashtoi atë nga turizmi ndërkombëtar. Ndërkohë që tranzicioni nga një ekonomi e planifikuar qendrore e Bllokut Lindor, në një ekonomi moderne të tregut, Shqipëria ka luftuar për imazhin e saj dhe e ka pasur të vështirë arritjen e një pozicionimi tërheqës të tregut.
Megjithatë, duhet të merren hapa konkretë për këtë. Rritja e turizmit ndërkombëtar, veçanërisht zhvillimi i zonave bregdetare kroate dhe malazeze ka treguar potencialin që ka tregu shqiptar. Qeveria filloi zbatimin e masave aktive të politikave për të stimuluar sektorin. Më të fundit janë ndryshimet në Ligjin për turizmin duke mundësuar një sërë incentivash fiskale për objektet e reja të akomodimit me 4 dhe 5 yje.
Turizmi aktual i Shqipërisë
Aktualisht, turizmi shqiptar karakterizohet nga shtresa të ndërlikuara të kornizës administrative dhe legjislative, mungesa e koordinimit të instancave të shtetit dhe të dhëna të dobëta statistikore. Secila nga këto çështje është sfiduese, por të kombinuara paraqesin pengesa reale për rritjen potenciale.
Ministria e Turizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit si dhe Organizata Kombëtare e Turizmit tregojnë qartë se qeveria është e vendosur të zhvillojë profesionalisht turizmin dhe të krijojë një rrugë të qartë për investime dhe rritje. Me gjithë mungesën e të dhënave të besueshme dhe menaxhimit profesional deri më sot, duket se Shqipëria tashmë ka krijuar organikisht një biznes të rëndësishëm turistik, i cili aktualisht po ushqehet për tregjet rajonale vendore dhe ato të afërta.
Sipas WTTC, në vitin 2017, kontributi i drejtpërdrejtë i turizmit në PBB vlerësohet në 971 milionë euro, ose rreth 8.8% të pjesëmarrjes direkte. Është vlerësuar se investimet kapitale arritën në 228 milionë euro në vitin 2017 dhe do të vazhdojnë të rriten.
Në vitin 2016, udhëtimet dhe turizmi në Shqipëri krijuan 85,500 vende pune (7.7% të totalit të punësimit), ndërsa shpenzimet e përgjithshme të turizmit, të huaj dhe vendas, arritën 1,861 milionë euro, nga të cilat 73.7% ishin shpenzimet e huaja turistike dhe 26.3% të shpenzimeve të brendshme turistike.
Pse tani Shqipëria?
• Pozicioni strategjik gjeografik
I ndodhur në mes të Malit të Zi dhe Greqisë, në vendin e takimit të detit Adriatik dhe Jon, Shqipëria është më pak se 100 kilometra larg Italisë dhe lehtësisht e arritshme nga Europa. Me 29 fluturime direkte, kryeqyteti, Tirana, është më pak se 2-3 orë larg qendrave më të rëndësishme të Europës.
• Infrastruktura në zhvillim e sipër
Sistemi rrugor shqiptar është jo shumë i zhvilluar, por nën një modernizim thelbësor. Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe të tjera po ndërmarrin iniciativa të ndryshme ndërkombëtare për të përmirësuar dhe zhvilluar sistemin e transportit të Shqipërisë. Aktualisht, projektet e investimeve që synojnë përmirësimin e aksesit të vendit përfshijnë ndërtimin e autostradave dhe korridoreve që do të lidhin Malin e Zi me Greqinë, rehabilitimin e rrjetit hekurudhor si dhe zhvillimin e transportit ajror.
• Bukuri natyrore e paprekur
Vendi ka një total prej 28,748 kilometra katrore dhe një vijë bregdetare me gjatësi 362 kilometra me ujëra të virgjëra dhe plazhe me rërë. Nga ana tjetër, 2/3 e sipërfaqes së vendit janë male dhe disa prej tyre janë më të larta se 2000 metra duke ofruar pamje spektakolare dhe mundësi për turizmin malor. Brenda pak minutash vizitorët mund të lënë malet dhe të shkojnë në det ose në një shumëllojshmëri resursesh ujore si liqene dhe lumenj.
• Trashëgimi e pasur kulturore
Shqipëria ka një histori të pasur antikae, që nga ilirët, grekët dhe romakët, nëpërmjet qytetërimit bizantin, venecian dhe osman, të cilat mund të përjetohen nëpërmjet monumenteve dhe rrënojave, parqeve arkeologjike, kështjellave, monumenteve fetare si dhe tre vendeve të mbrojtura nga UNESCO: Butrinti, Berati dhe Gjirokastra.
• Kushte të favorshme klimatike për biznesin gjatë gjithë vitit
Kushtet e mira klimatike, me temperaturë më të larta ajri dhe deti krahasuar me ato në Kroaci ose Mal të Zi, mundësojnë aktivitete turistike në bregdet nga prilli deri në tetor, të cilat u zëvendësohen më pas me periudhën e dimrit në male. Të gjitha bashkë ofrojnë mundësi për biznesin gjatë gjithë vitit.
• Shpenzime operative relativisht të ulëta
Me 19% të popullsisë së përgjithshme, Shqipëria ka përqindjen më të lartë të moshave 15-24 vjeç në Europë. Kjo strukturë e favorshme demografike, e krahasuar me nivelet e pagave në mënyrë të konsiderueshme më të ulët se ato në Europën Perëndimore, krijon një potencial të konsiderueshëm në rritje për investime.
• Iniciativa atraktive gjithëpërfshirëse dhe sektoriale për investime
Qeveria shqiptare njeh përfitimet ekonomike të sektorit të turizmit dhe potencialin e saj për zhvillimin e biznesit dhe krijimin e vendeve të punës, ata kanë miratuar një paketë fiskale që është zbatuar për investime strategjike në sektorin e turizmit që nga 1 janari 2018. Me këtë nxitje fiskale, të gjitha hotelet e reja me katër yje dhe ato me pesë yje që do të ndërtohen do të përfitojnë nga përjashtimet nga tatimi mbi fitimet për dhjetë vjet. Për më tepër, ata nuk do të paguajnë taksën e infrastrukturës, ndërsa TVSH do të reduktohet në 6,0%.
• Integrim i vazhdueshëm ndërkombëtar
Republika e Shqipërisë u bë zyrtarisht anëtare e NATO-s në 2009 dhe ka qenë kandidate zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Europian (BE) që nga qershori 2014.
• Institucionet e donatorëve e mbështesin shumë Shqipërinë
Ekzistojnë projekte të ndryshme në vazhdim në Shqipëri, që financohen nga donatorë ndërkombëtarë, disa prej të cilëve janë Banka Botërore, Bashkëpunimi Italian për Zhvillim, BERZH dhe Komisioni Europian.
Projektet aktuale në vazhdim dhe të planifikuara synojnë zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e burimeve njerëzore brenda sektorëve kryesorë duke përfshirë turizmin./ a.jor.ATSH

 


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.