Saranda, qyteti ku investimet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit riparohen pafund
Përsëri e njëjta pamje në Sarandë! Rrugët e shtruara me mozaik gurësh hapen dhe riparohen pothuajse çdo dy muaj. Një histori që përsëritet, duke ngritur pikëpyetje serioze për cilësinë dhe qëndrueshmërinë e investimeve publike. Por ky nuk është problemi i vetëm. Shatërvani në Parkun e Miqësisë nuk është vënë asnjë ditë në funksion, ndërsa terminali i ri i autobusëve, përveç problemeve me depërtimin e ujit nga çatia, ka krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe rëndimin e trafikut në hyrje të qytetit.
Një tjetër problematikë e vazhdueshme është sistemi i kanalizimeve. Sa herë bien reshje shiu, ujërat e zeza përzihen me ujërat e shiut dhe dalin në rrugë e në bulevard, duke krijuar një situatë të papranueshme për një qytet turistik si Saranda.
A nuk është momenti që Fondi Shqiptar i Zhvillimit të pranojë dështimet e këtyre investimeve dhe të japë llogari për fondet publike të shpenzuara?
A nuk është momenti që Bashkia Sarandë të ndërpresë bashkëpunimin për projektin Eco Kampus, të ndalojë punimet dhe të kërkojë rikthimin e hapësirës në destinacionin e saj për shkollë?
Qytetarët e Sarandës nuk duhet të paguajnë vazhdimisht pasojat e investimeve që nuk funksionojnë siç duhet.
Saranda ka nevojë për zgjidhje afatgjata, jo për investime që inaugurohen, krijojnë probleme dhe riparohen pa fund! Saranda Web