Rama publikon takimin me një të ri me aftësi ndryshe: Kërkoi të më takonte
Në një kohë kur protestuesit refuzojnë ftesën e tij për dialog dhe kërkojnë dorëheqjen, kryeministri Edi Rama ka përdorur publikimin e një takimi me një 27-vjeçar me aftësi të kufizuara për t’iu rikthyer mesazhit të tij politik për protestat.
I riu, i cili përdor karrocë me rrota, i kishte kërkuar vetëm një takim dhe një fotografi kujtim, duke theksuar se nuk kishte ndonjë kërkesë tjetër. Por Rama e lidhi bisedën me zhvillimet politike, duke folur për demokracinë dhe kundërshtimin “me paqe dhe me buzëqeshje dhe jo me gurë e me zjarr”. Në përshkrimin e videos, ai e cilësoi të riun si një vizitor “pa gurë në xhep”.
Pikërisht ky formulim e zhvendos takimin nga një gjest njerëzor në një instrument propagandistik. Dëshira personale e të riut përdoret për të ndërtuar imazhin e një kryeministri të afërt dhe të hapur, ndërsa kundërshtarët e tij politikë vendosen përballë këtij imazhi përmes referencave ndaj dhunës.
I riu ka të drejtën e plotë ta simpatizojë dhe ta takojë kryeministrin. Përgjegjësia për politizimin e momentit i takon Ramës, i cili zgjodhi ta përfshijë këtë takim në komunikimin e tij kundër protestuesve. Dënimi i dhunës nuk e justifikon anashkalimin e kërkesave të tyre dhe as paraqitjen e kundërshtimit qytetar vetëm përmes gurëve e zjarrit.
Pas karrigeve me mbishkrimin “Dialog”, edhe ky publikim vijon përpjekjen për ta përqendruar debatin te imazhi i kryeministrit. Por fotografitë, përqafimet dhe videot emocionale nuk u japin përgjigje kërkesave për llogaridhënie. Respekti ndaj qytetarëve, përfshirë personat me aftësi të kufizuara, matet me shërbime, të drejta dhe kushte jetese, përtej kamerave të komunikimit qeveritar.