Rama për “Paketën e Maleve”: Me 1 euro do të merrni hipotekën e tokës së të parëve tuaj
Rama për “Paketën e Maleve”: Me 1 euro do të merrni hipotekën e tokës së të parëve tuaj. Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur edhe një herë Paketën e Maleve gjatë një takimi me banorët në Theth, duke deklaruar se nisma synon t’u japë mundësi banorëve të marrin në pronësi tokat e trashëguara nga të parët e tyre, të cilat sot figurojnë si pronë shtetërore.

Duke marrë si shembull tre vëllezër nga Thethi, Rama tha se ata do të mund të ndërtojnë në tokën që tradicionalisht e konsiderojnë të tyren, edhe pse aktualisht ajo nuk është e regjistruar në emrin e tyre në Kadastër.
Sipas kryeministrit, procedura parashikon që aplikantët të marrin lejen e ndërtimit dhe më pas, kundrejt tarifës simbolike prej 1 euro, të përfitojnë pronësinë mbi truallin. Pas përfundimit të investimit, ai tha se do të pajisen edhe me certifikatën e pronësisë.
“Kur të marrin lejen, do të marrin edhe pronën me 1 euro dhe pasi ndërtimi të përfundojë, do të marrin hipotekën. Atëherë prona do të bëhet e tyre”, u shpreh Rama.
Vizita e kryeministrit në Theth vjen një vit pas aksionit të qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonë dhe në një kohë kur Paketa e Maleve vazhdon të shkaktojë debat të fortë publik.
Prej 52 ditësh, kundërshtarë të projektligjit po protestojnë duke kërkuar shfuqizimin e tij. Ata argumentojnë se nisma hap rrugën për tjetërsimin e pronave dhe favorizon investitorë të mëdhenj, ndërsa e kanë cilësuar atë si një ligj që mund të çojë në “shitjen e Shqipërisë”.
Rama i hodhi poshtë këto akuza, duke deklaruar se ligji nuk do të tërhiqet dhe se ai nuk është hartuar për oligarkë apo uzurpatorë. Sipas tij, e drejta për të përfituar u takon vetëm trashëgimtarëve të tokave në zonat ku nuk është zbatuar ligji 7501 dhe ku pronësia tradicionale njihet nga komuniteti.
Megjithatë, deklarata se toka shtetërore mund të kalojë në pronësi private me një pagesë simbolike prej 1 euro ka shtuar edhe më shumë debatet mbi Paketën e Maleve. Kritikët kërkojnë garanci më të forta ligjore dhe transparencë për mënyrën se si do të identifikohen përfituesit dhe si do të shmangen abuzimet në një proces që prek pronën publike dhe private. Saranda Web
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit