Pushtimi italian i Sarandës, 7 prill 1939 – VIDEO

07/04/226:49

Shperndaje:

Video e çasteve të zbarkimit të forcave pushtuese italiane.

KUJTIME TË LAME XHAMA
E kam përcjellë me dhimbje përjetimin e datës 7 prill të vitit 1939. Kam qenë vetë i pranishëm në Sarandë në atë ditë që quhet e “premtja e zezë”, kam parë me sytë e mi se ç’ka ndodhur në ditën e pushtimit fashist dhe në periudhën e mëvonshme kur u “ligjërua” qeverisja e zaptuesve në qytet e më gjerë.
Në atë periudhë, “të mirat” e pushtimit fashist ishin të dëgjuara prej kohësh edhe në Sarandë. Konsullata italiane e ngritur prej vitesh në qytet bënte një propagandë gati të hapur se Shqipërisë shpëtimi do t’i vijë vetëm nga Italia. Për këtë nuk mungonte së ndihmuari edhe ndonjë përfaqësues i parisë, që u mbante ison, sepse kishte përfituar goxha nga përkrahja italiane, sidomos në tregti përmes marrëdhënieve të dyshimta me shtetin fqinj përtej Adriatikut.


Po le të kthehemi te 7 prilli. Atë vit unë isha ende mësues në Sarandë. Them ende, sepse ca muaj më vonë do të transferohesha në Konispol për qëndrimin tim të hapur antifashist edhe para pushtimit të vendit, por sidomos pas pushtimit.
Ishte ditë e premte. Rreth orës katër a pesë të mëngjesit limani i Sarandës u mbush me lloj – lloj anijesh luftarake, të mëdha e të vogla, plot me ushtarë dhe të ngarkuara rëndë me armatime e materiale të tjera në ndihmë të luftës. Me sa më kujtohet, ishin 17 anije që qëndronin larg bregut. Fashistët e dinin se propaganda e bërë që shqiptarët do t’i prisnin me lule, nuk ishte e vërtetë dhe ata i trembeshin shumë rezistencës me luftë nga patriotët vendës, që nuk pranonin kurrë ta këmbenin lirinë dhe vargonjtë e pushtimit me premtimet boshe për një jetë më të mirë e të begatë nën sundimin e Duçes e të Musolinit.
Që në mëngjes herët një pjesë e madhe e banorëve të qytetit, me fëmijë, gra e pleq dhe me disa nga plaçkat e ushqimet më të domosdoshme, u larguan në panik, kaluan Qafën e Gjashtës dhe shkuan e u strehuan në fshatrat fqinje.


Edhe unë, si kujdestar në Konviktin “Çamëria”, mora konviktorët dhe pak ushqime dhe u nisa bashkë me popullin për në fshatin Vremero. Ishte e domosdoshme të mbroheshin konviktorët, që ishin djem të rinj, nxënës të fillores. Nuk e dinim se si do të zhvilloheshin ngjarjet. Dyshonim se pushtuesit do të bombardonin qytetin nga deti, sepse i kishin marrë informatat se nuk do të shkelnin dot në bregun e Sarandës pa kërcitur pushkët.
Pa arritur mirë në fshat, u dëgjuan gjëmime topash, vërshëllima gjylesh, kërcitje mitrolozësh e pushkësh. Italianët pushtues donin të mbillnin panik dhe që nga anijet në det i dërgonin gjylet pa adresë, që fluturonin deri në malet e Delvinës e të Muzinës. Donin të tregonin se ishin të fortë dhe askush nuk duhet të guxonte të matej me ta.
Por gabuan. Zhurma e tyre luftarake nuk i trembi djemtë guximtarë të popullit. Në kohën që fashistët u përpoqën të zbarkonin me barka në bregun e detit, ndodhi ajo që pritej. Ishte vërtet një çetë e vogël sarandjotësh që kishte mundur të armatosej, po heroizmi dhe guximi i tyre qe i madh dhe kuptimplotë. Ata i pritën ushtarët Italianë me plumba. Lufta u ndez e ashpër. Thuhet se nga Italianët pati disa viktima. Por edhe nga tanët u plagos djaloshi nga Nivica, Mitro Dhimërtika, i cili vdiq nga plagët e rënda që mori. Po fashistët ishin mizëri dhe të armatosur deri në dhëmbë dhe kështu rezistenca e mëtejshme e luftëtarëve sarandjotë ishte e pamundur. Saranda u pushtua, si të gjitha qytetet bregdetare të Shqipërisë. Kërkesat për armë që bënë banorët e Sarandës, të Delvinës, të Konispolit, të Bregdetit dhe të fshatrave për rreth, ranë në vesh të shurdhër. U sabotua pritja me një luftë frontale e Italisë fashiste. Kështu ndodhi në Durrës, kështu ndodhi në Vlorë e Shëngjin, kështu ndodhi dhe në Sarandë.


Po ajo përpjekje me armë që u bë në Sarandë, që pati si hero të ditës Mitro Dhimërtikën, la mbresa të pashlyera te banorët në gjithë hapësirën e Jugut dhe shërbeu si një medalje patriotizmi e trimërie, që do të ndizte më vonë zjarrin e luftës së armatosur kundër pushtuesve.
Dy fjalë nderimi edhe për dëshmorin e ditëve të para, Mitro Dhimërtikën. Atë djalosh e kam njohur rastësisht, sepse kisha miqësi me të atin, Vason, me të cilin kemi qenë të internuar në Sazan, në kohën e Luftës së Vlorës më 1920.
Mitroja ishte një djalë i zgjuar, rreth 22 vjeç. Me fytyrë të çiltër e sy flakërues, me fjalën e matur e të burrëruar për moshën, ai të bënte për vete. Qe guximtar, trim dhe e urrente fashizmin. Në biseda me të kuptova se kishte cilësi të rralla të një patrioti. Ky mendim m’u forcua edhe nga bisedat me miqtë e mi niviciotë, si Loni Gjika, Koço Papagjika etj. Pastaj, siç theksova, unë ia njihja dhe të atin. Prandaj nuk qe krejt rastësi që ai u vu në ballë të shokëve më 7 prill 1939 në pritën me armë që iu bë pushtimit fashist në Sarandë. Me të, me sa më kujtohet, kanë qenë edhe Naqe Gurma, Ibrahim Mustafai e të tjerë.
Kur forcat e rezistencës u tërhoqën nga luftimet, Italianët u bënë “të guximshëm”, u afruan me barka te bregu, vunë urat dhe zbarkuan në qytet. Moli u mbush me ushtarë, me pendë e pa pendë, me mjekra e pa mjekra, por të gjithë të armatosur rëndë. Arkat me materiale luftarake, me ushqime e çadra i shihje ngado. Tani frika e njerëzve nga lufta dhe nga ndonjë masakër e fashistëve ishte pakësuar. Kështu që u dërgua lajmi që të ktheheshin të gjithë banorët në qytet, në shtëpitë e tyre. Dhe kështu ndodhi.
.


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Butrinti Fiton në Cërrik dhe ngjitet në vendin e dytë, Delvina barazon në Këlcyrë
Saranda Lift kërkon punonjës për montim dhe shërbime ashensorësh
Aksident tragjik në Bypass-in e Fierit, humb jetën 30-vjeçari nga Saranda
Bar Caffe në Sarandë kërkon të punësojë Kamarier/e dhe Sanitare
TURBINA – BUTRINTI / LIVE NË SARANDA WEB
Policia Bashkiake: Shanset për kioska në Ksamil? Janë ZERO

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.