Princ Leka dënon dhunën ndaj protestuesve: Kush ka abuzuar me detyrën të mbajë përgjegjësi

Princ Leka dënon dhunën ndaj protestuesve: Kush ka abuzuar me detyrën të mbajë përgjegjësi. Autoritetet duhet të mbrojnë qytetarët, jo t’i intimidojnë

Princ Leka, përmes një deklarate të Oborrit Mbretëror Shqiptar, ka shprehur mbështetjen për studentët në ushtrimin e së drejtës për të protestuar dhe shqetësimin për denoncimet e dhunës ndaj të rinjve dhe të miturve. Në mesazh përmenden denoncime për keqtrajtime në rrugë, në furgonët e policisë dhe në komisariate. Oborri Mbretëror kërkon që institucionet përkatëse të veprojnë në përputhje me ligjin dhe që çdo person që ka abuzuar me detyrën të mbajë përgjegjësi.

“Autoritetet kanë detyrimin të mbrojnë qytetarët, jo t’i intimidojnë apo të përshkallëzojnë tensionet përmes përdorimit të tepruar të forcës”, theksohet në deklaratë.

Thirrja drejtuar Policisë së Shtetit është e drejtpërdrejtë: të tregojë përmbajtje dhe profesionalizëm, ndërsa çdo sjellje e papërshtatshme të bëhet objekt i llogaridhënies. Sipas deklaratës, videot dhe fotografitë që dokumentojnë veprimet duhet të shërbejnë për reagimin e institucioneve përgjegjëse. Oborri Mbretëror i nxit gjithashtu studentët që shqetësimet e tyre t’i bëjnë të njohura edhe përtej Shqipërisë, duke informuar komunitetin ndërkombëtar. Në këtë komunikim kërkohet vërtetësi dhe përgjegjësi për atë që shohin dhe përjetojnë në terren.

“Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe realiteti të pasqyrohet me ndershmëri”, thuhet në mesazh.

Krahas mbështetjes për protestën, deklarata thekson edhe përgjegjësinë e pjesëmarrësve për ta mbajtur atë paqësore. Dhuna dhe dëmtimi i pronës private cilësohen të papranueshme dhe veprime që cenojnë legjitimitetin e çdo kauze të drejtë. Në përfundim, Oborri Mbretëror Shqiptar bën thirrje për qetësi, dialog dhe respektim të të drejtave themelore, duke kërkuar që zëri i të rinjve të dëgjohet dhe e ardhmja e tyre të mbrohet.

MESAZHI I PLOTË

𝐉𝐄𝐌𝐈 𝐍𝐄̀ 𝐊𝐑𝐀𝐇 𝐓𝐄 𝐒𝐓𝐔𝐃𝐄𝐍𝐓𝐄𝐕𝐄 𝐒𝐇𝐐𝐈𝐏𝐓𝐀𝐑𝐄
Oborri Mbretëror qëndron në krah të studentëve shqiptarë në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar.
Kemi ndjekur me kujdes të gjitha aktet e dhunës dhe denoncimet për keqtrajtimin e të rinjve dhe të miturve, si në rrugë, në furgonët e policisë, ashtu edhe në komisariate, dhe ndihemi të shqetësuar për sigurinë e tyre.
Çdo veprim është dokumentuar përmes videove dhe fotografive, ndaj institucionet përkatëse duhet të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të sigurojnë që kushdo që ka abuzuar me detyrën të mbajë përgjegjësi.
I nxisim studentët t’i bëjnë të njohura shqetësimet e tyre edhe përtej kufijve të Shqipërisë, duke informuar komunitetin ndërkombëtar dhe duke përcjellë me vërtetësi dhe përgjegjësi atë që shohin dhe përjetojnë në terren. Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe realiteti të pasqyrohet me ndershmëri.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të tregojë përmbajtje dhe profesionalizëm. Autoritetet kanë detyrimin të mbrojnë qytetarët, jo t’i intimidojnë apo të përshkallëzojnë tensionet përmes përdorimit të tepruar të forcës. Çdo sjellje e papërshtatshme duhet të bëhet objekt i llogaridhënies.
Protesta paqësore duhet të shoqërohet edhe me përgjegjësi. Dhuna dhe dëmtimi i pronës private janë të papranueshme dhe cenojnë legjitimitetin e çdo kauze të drejtë.
Oborri Mbretëror bën thirrje për qetësi, dialog dhe respektim të të drejtave themelore. Zëri i të rinjve shqiptarë duhet të dëgjohet dhe e ardhmja e tyre të mbrohet.

 

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

Princ Leka dënon dhunën ndaj protestuesve: Kush ka abuzuar me detyrën të mbajë përgjegjësi
Lexoni më shumë
Kryepeshkopi Joan mesazh: Shqipëria është e të gjithëve, duhen vendime të urta dhe të pjekura
Lexoni më shumë
KMSH thirrje institucioneve: Merrni seriozisht kërkesat e qytetarëve, shmangni dhunën
Lexoni më shumë
Butrinti pret Albpetrol në Sarandë, ndeshja transmetohet LIVE në Saranda Web
Lexoni më shumë
Saranda, qyteti ku investimet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit riparohen pafund
Lexoni më shumë
Elisa Spiropali letër Skënderbeut: Përgjigjja që presin prej teje nuk është një tjetër fjalim, por një vendim
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.