Prej shumë vitesh, fshatrat e minoritetit grek në Sarandë, kanë filluar të zbrazen

31/10/2111:26

Shperndaje:

Të vetmit që kanë ngelur aty, janë ata pak të moshuar të vetmuar, që i shtyjnë ditët me punët e fshatit, duke pritur me sytë nga rruga fëmijët e tyre. Por fëmijët kanë kohë që kanë ikur.

Janë detyruar të lënë prindërit e tyre aty e të emigrojnë diku larg, në kërkim të një jetese më të mirë, pasi fshati nuk mund t’ua mundësojë këtë gjë. Fshati nuk ka më, as mundësitë e punësimit e as mundësitë e krijimit të një jetese normale e moderne, siç të rinjtë dëshirojnë.

Të moshuarit janë ulur këmbëkryq me vetminë, e cila është tashmë zonja e shtëpisë së tyre. Zërat e fëmijëve duket sikur janë shuar brenda atyre mureve boshe e ata kanë ngelur të detyruar të flenë përnatë përqafuar me mallin, duke i mbajtur gjallë shpresa se fëmijët po jetojnë në mirëqenien që s’ua mundësoi dot fshati. Ata janë të vetëdijshëm për faktin se e ardhmja e tyre do të ishte e vdekur në këtë vend, pasi fëmijët e tyre s’do të kishin mundësi punësimi në një fshat ku nuk investohet, në një fshat që ende vuan problemet e ndërprerjes së energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm herë pas here.

Edhe shkollat gjithashtu, nuk mund të sigurojnë më kushtet për tu zhvilluar mësim e për këtë arsye, ata pak fëmijë që kanë ngelur, janë të detyruar të vazhdojnë shkollën në qytet, nëpër shkollat e Sarandës, duke pritur edhe ata që të vijë dita e të largohen sa më parë nga fshati. Të moshuarve, u duhet të jetojnë çdo ditë me frikën se kur të kenë probleme shëndetësore, asnjë fëmijë s’do jetë aty pranë të kujdeset për ta e t’i dërgojë në spital në Sarandë, pasi spitalet e fshatrave zor se funksionojnë më. Edhe ato pak biznese të vogla, si ushqimore, me të cilat mbajnë gjallë frymat e tyre, janë duke u shuar.

Duke kaluar koha, askush s’ka më fuqi që të kujdeset, e askush s’do kthehet që të investojë në to. Një i moshuar i cili kthen kokën nga e shkuara, shprehet: “Dikur dyqani ishte i mbushur plot, kurse tani s’ka më këmbë njeriu. Dhe më mirë që kanë ikur, sepse aty ku janë, kanë kushte më të mira se këtu”.

Një i moshuar tjetër, i cili ka 6 fëmijë thotë: “Të gjashtë fëmijët janë larg, sepse këtu nuk kanë çfarë të bëjnë. Drita s’kemi, ujë s’kemi”. Një tjetër, krejtësisht i pashpresë, thotë: “Djemtë kanë ikur dhe tokat kanë ngelur të papunuara dhe aty ku kemi investuar, çdo gjë është duke humbur.” “Ka shumë kohë që nuk është investuar në fshat dhe të rinjtë u detyruan të ikin për të pununar në Greqi, sepse këtu nuk kanë ndihmë nga shteti”, – shprehet një i moshuar tjetër. Ndërkohë, një zonjë e moshuar qahet: “Në çdo shtëpi kanë ngelur vetëm nga 2 pleq. Pa fëmijë s’mund të jetosh. Larg qoftë të sëmurem, s’kam askënd të më çojë në spital në Sarandë”.

Ata vazhdojnë të shprehen të pashpresë se në fshat ka humbur gjithçka dhe fatkeqësisht janë të vetëdijshëm se pas tyre, bashkë me ta, do vdesë dhe fshati. Ata të moshuar që jetojnë sot nëpër ato fshatra, janë të fundit që i japin fshatit mundësinë të jetojë edhe pak kohë. Të rinjtë, nëse kthehen një ditë, do mjaftohem vetëm me një vizitë të shkurtër e do largohen përsëri, duke lënë pas zbrazëtinë që jehon nëpër rrugët boshe.

VIDEO


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.