Përmes një analize u tentua miratimi i 2 linjave të reja urbane, por jo kërkesa Delvinë–Sarandë
Bashkia kërkoi miratimin e dy linjave të reja urbane, por jo votimin për hyrjen në Sarandë të linjave nga Delvina, Finiqi, Konispoli dhe Borshi
Një situatë që ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si po trajtohet transporti publik u krijua në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak Sarandë.
Gjatë paraqitjes së analizës së transportit publik për periudhën janar–shtator 2026, Bashkia Sarandë i kërkoi Këshillit Bashkiak miratimin e shtimit të dy linjave të reja të transportit urban, me argumentin se aktualisht nuk mbulohet i gjithë territori i qytetit. Kërkesa është e shkruar qartë në dokumentin zyrtar të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, ku thuhet: “Propozojmë miratim të shtimit të linjës për shkak të mosmbulimit të gjithë qytetit”. RAPORT TRANSPORTI PUBLIK 2026 DOKUMENTI
Konkretisht, Bashkia propozoi linjën Qendër–Terminal, me nisje nga Shkolla “9 Tetori”, e cila do të lidhte qendrën me terminalin përmes rrugëve Idriz Alidhima, Abedin Dino dhe Skënderbeu. Sipas projektit, kjo linjë do të funksiononte nga ora 06:00 deri në 23:00, me frekuencë çdo 15 minuta.
Propozimi i dytë ishte linja Kodër–Terminal, po me nisje nga Shkolla “9 Tetori”, me një itinerar më të gjerë nëpër qytet dhe frekuencë çdo 30 minuta, nga ora 06:00 deri në 23:00.
Bashkia kërkoi votë për linjat e saj, por jo për kërkesën e banorëve
Ndërkohë që administrata bashkiake kërkonte që Këshilli të miratonte shtimin e dy linjave të reja urbane drejt terminalit, nuk u pranua të kalonte në votim kërkesa për vazhdimin e hyrjes brenda qytetit të Sarandës të linjës Delvinë–Sarandë dhe të linjave që u shërbejnë fshatrave të bashkive Finiq e Konispol, si dhe zonës së Borshit.
Kjo kërkesë ishte në qendër të diskutimeve pas protestave të zhvilluara ditët e fundit nga banorët dhe drejtuesit e mjeteve të transportit, të cilët kundërshtojnë përfundimin e itinerarit në terminal dhe kërkojnë që linjat të vazhdojnë të hyjnë në Sarandë, siç kanë funksionuar më parë.
Gjatë mbledhjes, një pjesë e konsiderueshme e këshilltarëve u shpreh në mbështetje të kësaj kërkese. Madje, këshilltari Ilirjan Gërdhuqi kërkoi konkretisht që çështja të hidhej në votim, por kjo nuk ndodhi.
Kreu i grupit të këshilltarëve të majtë, avokati Gjergji Imeri, kërkoi gjithashtu që linja Delvinë–Sarandë të mos penalizohej për shkak të ndonjë interesi tjetër që mund të lidhej me transportin urban.
Terminali në qendër të modelit të propozuar nga Bashkia
Vetë dokumenti i Bashkisë tregon se terminali është vendosur në funksion prej rreth dy muajsh në hyrje të qytetit, në rrugën “Skënderbeu”, dhe se administrata synon ta lidhë atë më fort me transportin qytetës përmes linjave të reja.
Kështu, në të njëjtën mbledhje u krijuan dy standarde të ndryshme procedurale: propozimi i administratës për dy linja të reja urbane iu paraqit Këshillit me kërkesë të drejtpërdrejtë për miratim, ndërsa kërkesa e banorëve dhe operatorëve që linjat nga Delvina, Finiqi, Konispoli dhe Borshi të vazhdojnë hyrjen në Sarandë nuk arriti deri në votim, pavarësisht kërkesës së bërë nga këshilltarë gjatë mbledhjes.
Bëhet fjalë për linja që lidhin Sarandën me territoret e ish-rrethit të Sarandës, zona që historikisht kanë lidhje të drejtpërdrejta administrative, ekonomike, shëndetësore dhe sociale me qytetin.
Në përfundim të mbledhjes nuk u mor vendim as për propozimin e dy linjave të reja urbane, ndërsa mbeti pa votim edhe kërkesa për vazhdimin e hyrjes në qytet të linjave ndërbashkiake.
Debati për transportin publik dhe terminalin, për rrjedhojë, mbetet i hapur. Pas protestave dhe mbështetjes së shprehur nga këshilltarët, tashmë çështja kryesore është nëse Këshilli Bashkiak Sarandë do të thirret të votojë konkretisht kërkesën e banorëve, njësoj siç administrata kërkoi miratim për propozimet e veta për transportin urban. Saranda Web
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 29
31/08/2619:50
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 7
31/08/2619:50
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 32
31/08/2619:50
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 14
31/08/2619:50
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 12
31/08/2619:50