Omonia: Kryetari i komanduar i Himarës po hap rrugën për futjen e një entiteti turk në rajon

04/12/2515:27

Shperndaje:

Omonia: Kryetari i komanduar i Himarës po hap rrugën për futjen e një entiteti turk në rajon

Omonia denoncon nismën për instalimin e një entiteti edukativ turk në Himarë

 

Sarandë, 4 dhjetor 2025 – Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek (BDMEG) “Omonia” ka publikuar një komunikatë për shtyp, ku shpreh shqetësimin lidhur me një nismë institucionale në rajonin e Himarës, të cilën e cilëson si të rrezikshme për klimën e bashkëjetesës ndërkomunitare.

 

Omonia: Kryetari i komanduar i Himarës po hap rrugën për futjen e një entiteti turk në rajon

 

Në komunikatë, Omonia kundërshton instalimin e Fondacionit Turk “Maarif”, një entitet shtetëror i Republikës së Turqisë që operon në shumë vende të botës në fushën e arsimit. Fondacioni njihet për hapjen e shkollave, qendrave edukative dhe programeve të ndryshme mësimore.

 

Megjithatë, në këtë rast nuk është bërë e ditur zyrtarisht se çfarë institucioni konkret synohet të hapet në Himarë — një shkollë, qendër edukimi apo një strukturë tjetër arsimore. Komunikata e Omonias nënvizon vetëm faktin se janë dhënë lehtësime për instalimin e këtij entiteti, pa u bërë publike detaje të mëtejshme.

 

Organizata e lidh këtë zhvillim me situatën politike në Bashkinë Himarë, duke argumentuar se vendimi pason moslejimin e kryetarit të zgjedhur, Fredi Beleri, të ushtrojë detyrën. Sipas Omonias, roli i kryetarit të komanduar, Vangjel Tavo, përfshin vendimmarrje që tejkalojnë administrimin e përditshëm dhe ndikojnë në çështje të ndjeshme të komunitetit lokal.

 

Në komunikatë thuhet se komuniteti është befasuar nga kjo nismë, ndërsa organizata ngre shqetësimin se hapja e një strukture edukative të huaj mund të ndikojë në orientimin kulturor dhe identitetin e zonës, të cilën e konsideron historikisht të lidhur me traditat perëndimore.

 

Omonia i bën thirrje autoriteteve vendore dhe qendrore të rishikojnë procesin dhe të ndërhyjnë për pezullimin e çdo procedure derisa situata të sqarohet plotësisht. Sipas saj, prioritet duhet të mbetet ruajtja e kohezionit social dhe bashkëjetesës paqësore në Himarë.

 

KOMUNIKATA E PLOTË

 

Denoncim i nismës së rrezikshme të shërbimeve shtetërore Turke në rajonin e Himarës me objektiv prishjen  e bashkëjetesës së ndjeshme ndërkomunitare.

Denoncojmë në mënyrën më kategorike inisiativën e papërgjegjshme të “Kryetarit të Bashkisë” Himarës – të emëruar dhe vegël qorre e qeverisjes qendrore – duke krijuar gjithë lehtësitë respektive instalimit dhe aktivizimit në zonën e Himarës të një  entiteti shtetëror Turk me objekt arsimin dhe edukimin më në përgjithësi.

 

Bëhet tanimë e qartë se operacioni i ndërmarrë për shkeljen abuzive të vullnetit të popullit të asaj treve – pa dallime origjine etnike, fetare apo gjuhe – dhe privimin e Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë nga e drejta dhe ofiqi që kutitë e votimit imponuan në personin e z. Fredi Beleri, ishte organizuar nga profesionistë të fushës. Emërimi i të ashtuquajturit ofiqar vendor, z. Vangjel Tavo, duket se ka mision shumë më të thekur dhe të rrezikshëm njëherazi, se grabitja e pasurisë së paluajtshme dhe krijimin e lehtësive për oborrtarët e Kryeministrit z. Edi Rama për shfrytëzim eskluziv të resurseve turistike të rajonit.

 

Tanimë makineria shtetërore është plotësisht arrogante dhe abuzive ndërsa “Kryetari i Bashkisë” i përzgjedhur prej saj duke u shërbyer me apo pa koshiencë tentativave po përfshihet tanimë në terrenin sensibël të bashkëekzistencës paqësore në rajon. Nëse në pamje të parë duket se provokohen ndjenjat e qytetarëve autoktonë me origjinë Helenike, më në thelb fshihet synimi real. Ai i kontrollit dhe represionit të gjithë komunitetit lokal. Një rajon i cili historikisht dhe gjithë kohëve ka manifestuar si orientimin Oksidental, shquhet për interesin dhe nivelin e lartë në dije, shkenca dhe arte, tentojnë ta ekspozojnë në një variant edukativ që nuk ka absolutisht asnjë lidhje me historinë dhe realitetin e komunitetit.

 

Dhe kjo pa rëndim ekonomik. Duke qenë se vepra infrastrukturore të rëndësishme janë dorëzuar dhe kontraktuar me skema biznesi të improvizuara që shpien në oborrin e Presidentit Turk, Fondacioni për “Arsim” nën juridiksionin e tij, “Maarif”, në fakt është i financuar nga populli Shqiptar dhe për pasojë “rentabël”.

Komuniteti lokal u befasua nga ato sa i rezervon shteti përmes “Kryetarit të Bashkisë” të emëruar dhe madje ka marrë qëndrim.

Ftojmë autoritetin bashkiak të rishikojë pa ekuivok lehtësimet e tentuara për të instaluar në Himarë shërbime të huaja – në dukje mike. Shteti që posaçërisht ka përgjegjësinë për ruajtjen  konsistente të kohezionit në jetën e brendshme dhe bashkëekzistencën paqësore, të ndëryjë dhe pezullojë në çdo mënyrë dhe me çdo mjet ligjor sa publikisht janë bërë të njohura.

Klima politike është fluide dhe ndërsa ujku i veshur me lëkurë deleje në mjegullnajë gëzohet, rojtarët e Himarës së parobëruar, vigjilojnë!

 

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

in sarandaweb


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Ftelea Fish në Ksamil kërkon të punësojë staf
Sorrat, Flamingot dhe Peshkaqenët e Butrintit – Nga Auron Tare
Shpallet tenderi 650 mijë euro për rikonstruksionin e Kopshteve Nr. 2 dhe Nr. 3 në Sarandë
Kërkohet kujdestare për t’u kujdesur për një të moshuar në Sarandë
Njoftim punësimi për personel në KAYAK GASTRONOMY në Sarandë
Aksident gjatë guidës turistike pranë Syrit të Kaltër, dy persona përfundojnë në spital

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.