Nis falja e detyrimeve në Tatime: Të gjitha detajet, kush përfiton dhe çfarë përjashtohet

07/01/2618:24

Shperndaje:

Nis falja e detyrimeve në tatime dhe dogana: kush përfiton dhe çfarë përjashtohet

 

Nga 1 janari 2026 hyn në fuqi ligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”, i cili parashikon një paketë të gjerë lehtësimesh për bizneset dhe tatimpaguesit debitorë. Ligji synon të mbyllë një kapitull të vjetër borxhesh të papaguara ndër vite, duke fshirë plotësisht ose pjesërisht detyrime tatimore dhe doganore, në varësi të periudhës kur janë krijuar dhe kushteve që duhet të plotësojnë tatimpaguesit.

 

Nis falja e detyrimeve në tatime dhe dogana: kush përfiton dhe çfarë përjashtohet Nga 1 janari 2026 hyn në fuqi ligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore

 

Detyrimet që fshihen plotësisht

 

Sipas ligjit, do të fshihen tërësisht të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore të papaguara, të krijuara deri më 31 dhjetor 2014. Kjo përfshin principalin, gjobat dhe kamatëvonesat, si në tatime ashtu edhe në dogana.

Nga kjo skemë përjashtohen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për to, ligji parashikon vetëm fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave të krijuara deri më 31 dhjetor 2014, ndërsa detyrimi kryesor mbetet për t’u paguar.

Në kategorinë e përfituesve përfshihen edhe të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët trajtohen njësoj si subjektet e tjera tatimpaguese.

Falje me kushte për detyrimet 2015–2019

 

Për detyrimet e krijuara nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2019, ligji parashikon shuarje të pjesshme, por vetëm nëse tatimpaguesi kryen pagesë brenda afateve të përcaktuara.

Tatimpaguesit kanë dy mundësi:

  • nëse paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026, pjesa e mbetur fshihet
  • nëse paguajnë 75% të detyrimit deri më 31 dhjetor 2026, me këste mujore, 25% e mbetur fshihet automatikisht

Në të dyja rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për këto periudha fshihen plotësisht.

Çfarë ndodh me borxhet e viteve 2020–2024

 

Për detyrimet e krijuara nga 1 janari 2020 deri më 31 dhjetor 2024, ligji nuk parashikon falje të principalit. Megjithatë, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen nëse tatimpaguesi paguan 100% të detyrimit kryesor deri më 31 dhjetor 2026.

 

E njëjta skemë zbatohet edhe për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përfshirë të vetëpunësuarit në bujqësi, me kusht që të shlyhet plotësisht kontributi brenda afatit.

Ligji përcakton shprehimisht se për periudhën 2015–2024, gjobat dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore e shëndetësore fshihen vetëm nëse paguhet 100% e kontributit.

Shifrat: sa borxh do të fshihet

 

Sipas të dhënave zyrtare, në administratën tatimore rezultojnë mbi 202 mijë tatimpagues debitorë, me detyrime të papaguara që arrijnë në rreth 162,5 miliardë lekë deri më 31 dhjetor 2024. Rreth 60% e këtij borxhi përbëhet nga principal, ndërsa pjesa tjetër nga gjoba dhe interesa.

Vetëm për periudhën deri në fund të vitit 2014, në tatime janë krijuar rreth 29,5 miliardë lekë borxh, nga të cilat rreth 25 miliardë lekë, pa përfshirë kontributet, do të fshihen plotësisht.

 

Në dogana, detyrimet e papaguara deri më 31 dhjetor 2024 arrijnë në rreth 48,5 miliardë lekë nga mbi 4,600 debitorë. Pjesa më e madhe e këtij borxhi përbëhet nga gjoba dhe kamatëvonesa. Vetëm borxhi i krijuar deri në fund të vitit 2014 në dogana është rreth 25,7 miliardë lekë dhe parashikohet të fshihet i gjithi.

Në total, sipas llogaritjeve nga të dhënat publike, ligji pritet të fshijë plotësisht rreth 525 milionë euro detyrime të vjetra të bizneseve.

 

Borxhi më i madh i fshirë në tatime lidhet me TVSH-në e papaguar, e ndjekur nga tatimi mbi fitimin, taksa të tjera dhe TAP. Në dogana, peshën kryesore e zënë gjobat dhe interesat.

Shifrat u bënë publike edhe nga ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë diskutimeve parlamentare mbi projektligjin.

Miratimi i ligjit ka nxitur debate të forta në Kuvend dhe mes ekspertëve. Përfaqësues të opozitës kanë kërkuar që të bëhet publike lista e subjekteve që përfitojnë faljen automatike të detyrimeve të krijuara deri në vitin 2014.

 

Edhe ekspertët kanë ngritur shqetësime për mungesën e transparencës, duke argumentuar se disa biznese, të cilat rezultojnë formalisht në listë pasive, vijojnë aktivitetin përmes subjekteve të tjera. Sipas tyre, fshirja automatike e detyrimeve për këto raste krijon pabarazi dhe dekurajon bizneset që kanë respektuar rregullat dhe kanë paguar detyrimet në kohë.

 

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

in sarandaweb


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Ashensorët pa kontroll dhe siguri, rrezik i përditshëm për banorët e pallateve
Kompania FIX PRO kërkon Agjent Shitje dhe Sistemues malli për degën në Sarandë
Ligji për trajtimin penal të të miturve sjell avokat të detyrueshëm dhe hetim të specializuar
Qeveria miraton bonuset mujore për pensionistët. Ja sa do përfitojnë sipas kategorive
Blas Residence në Sarandë kërkon të punësojë Sanitare hoteli
Restorant në Sarandë kërkon Kuzhinier/e, Ndihmës Kuzhinier/e dhe Punonjës/e për sallata

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.