Mrekulli në tragetin e djegur në Kanalin e Korfuzit, pas tre ditësh gjendet i gjallë një pasagjer

20/02/229:03

Shperndaje:

Shenja jete në anijen e djegur të linjës Igumenicë- Brindizi. Pas tre ditësh kur anija mori flakë dhe tymi i zi mbuloi gjithçka, grupet greke të shpëtimit kanë mundur të gjejnë të gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore një nga 12 personat që rezultonte i humbur.

I shpëtuari është shofer kamioni nga Lituania, i cili i ishte fshehur flakëve dhe tymit asfiksues në pjesën e prapme të  anijes “ Euroferry Olympia ”. Burri u gjet në skajin e anijes dhe madje zbriti vetëm shkallët për të shkuar te shpëtimtarët.

Në dëshminë e tij të parë, shoferi lituanez ka thënë se “ kam dëgjuar zëra të tjerë në anije ”.

Ende 11 pasagjerë të tjerë në anije rezultojnë të zhdukur. Anija është ankoruar në një vend të sigurt në veri të Korfuzit, ndërsa brenda saj ka ende vatra zjarri të vogla që janë aktivë. Për shkak të temperaturave tepër të larta brenda anijes si pasojë e zjarrit, ku në disa zona i kalon 500 gradë celsius, po vështirësohet operacioni i shpëtimit dhe ndërhyrja e grupeve brenda saj për të kërkuar ende për 11 të zhdukurit, mes të cilëve 3 janë me origjinë greke.

Pas përfundimit të operacionit për gjetjen e të zhdukurve dhe shuarjes së zjarrit, ekipet speciale do të nxjerrin të gjitha sasitë e naftës nga anija për të neutralizuar rrezikun e ndotjes së detit.

Trageti i linjës Greqi-Itali, ‘Euroferry Olympia’ u përfshi nga flakët rreth orës 04:30 mëngjesin e së premtes. Flakët shpërthyen menjëherë pas nisjes nga porti grek në pjesën e garazhdit të tragetit, ndërsa shkaqet janë ende të paqarta.

Trageti ishte nisur nga Igumenica për në Brindizi të Italisë, ku në bord ishin 239 pasagjerë ndërsa 51 ishin anëtarë të ekuipazhit. 279 persona janë evakuuar, ndërsa 11 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur që mendohet se kanë mbetur të bllokuar në anije.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.