MINUSH AGA – Kënga dhe Vallja e Minushit – Historia – VIDEO

30/08/2319:21

Shperndaje:

MINUSH AGA – Kënga dhe Vallja e Minushit – Historia

MINUSH AGA – Kënga dhe Vallja e Minushit – Historia. Kënga Hidajet Islamaj, Vallja Grupi i Konispolit

VALLJA MINUSH AGA – Nga Grupi i Konispolit – Kënga e Minushit – Historia – Në kafen e një qyteti të vogël të Çamërisë, ishin ulur dhe po pinin tre persona: Minush Agai, Birbili dhe Resuli, kuptohet edhe këta agallarë. Resuli, në pije e sipër, i lavdëron bukurinë e gruas Minush agait, i thotë se e ka parë në krua tek po mbushte ujë. I kishte dhënë shaminë e xhepit dhe ajo ja pastroi, i kishte thënë dy-tri fjalë ajo ja pranoi! Minush aga, që qe i pirë, vajti në shtëpi, mori thikën dhe theri gruan e tij! Vendi dhe koha e ngjarjes, nuk dihet me siguiri, por mund të jetë Parga, Gumenica, nuk përjashtohet edhe Delvina, që aso kohe bënte pjesë në vilajetin e Janinës, qytete me shumicë shqiptare e myslimane por edhe pakica shqiptare ortodokse, kjo e fundit duhet mbajtur parasysh ngaqë, në kafenetë e myslymanëve nuk praktikoheshin pijet alkoolike. Sa i takon kohës, duhet të pranohet gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë, në kohën e sundimit turk, shpjegime për këtë do të japim më pas kur të trajtojmë personazhet e ngjarjes.

Personazhet; janë nga paria e qytetit, ata thirren agallarë, nga shtresa e kamur, e fisme, me ofiqe dhe prona. Minush agai, burri i gruas së bukur, duhet të ketë qënë i rënë nga vakti, e them këtë se në shtëpitë e agallarëve punët i bënin shërbëtorët, ndërsa gruaja e Minushit, kishte shkuar vetë në krua për të mbushur ujë. Birbili, është bashkqytetar i tij shqiptar, kjo kuptohet nga emri. I treti, Rersuli mund të ketë qenë kajmekami turk i vendit. Janë dy arsye që të bëjnë ta mendosh: së pari një shqiptar, për hir të kodit zakonor dhe moralit, nuk do t’ia lejonte vetes atë lloj ngacmimi dhe fyerje, se te shqiptarët kjo fyerje lahej me gjak; së dyti, personi në fjalë, duhet të ndjehej i sigurtë, i mbrojtur nga ofiqi dhe pushteti që i jepte ky ofiq dhe që ia lejonte pushtllëqet.

Të tre kanë qënë burra në moshë të pjekur. Zonja e Minushit, e quajmë kështu se emëri i saj nuk përmendet, here quhet grua,here zonjë por edhe nuse, pa tjetër që ka qenë e hijshme dhe e bukur, që tërhiqte vëmendjen e të tjerëve, por e pafajshme dhe e ndershme. Ajo në tekstin e këngës quhet grua, por edhe zonjë. Edhe ajo ka qënë në moshë të pjekur e me bukuri të arrirë, për këtë dëshmon e thëna në këngë se ajo kishte disa fëmijë. Intriga; para se të rrëfejmë sesi thuret rrjeta e merimangës dhe si derdhet helmi i intrigës në kupën e xhelozisë, dua të bëj disa përqasje, që janë jo vetëm shqiptaro-ballkanike por edhe mesdhetare. Një është shtysa intriguese: Nakari, cmira, zilia, dashakeqësia e kajmekamit në dëm të shokut të tij të pijes,Minush Agait. Kushedi se për ç’arsye, ose thjesht nga ligësia dhe vese të tjera të karakterit turkoshak që lakmonte gjënë e tjetrit dhe, pamundësia për ta bërë të vetën atë.

Mjeti i realizimit të intrigës është fjala, ngaqë fjala vret njësoj si plumbi, e thënë ndryshe, gjuha nuk ka eshtra, por eshtra thyen. Fjala thuhet, kur avujt e alkolit kishin turbulluar gjykimin, dhe për ta bërë të besueshme të thënën, sillet si dëshmi vendi i ndodhjes së takimit, kroi, një vend i vërtetë e i besueshëm dhe shamia, si shenjë materiale intime, ndofta një mashtrim, por që shfaqet si një e vërtetë intriguese e pranimit dhe pëlqimit të saj(zonjës së Minushit) për bandillin që i vardisej. Burimi i ujit(kroi), është një element thjesht shqiptar. Te burimi e takon Milosao Rinën në poemën e De Radës.

Ne kroi takohen e shihen vashazt me trimat e këngëve lirike dashurore çame. Shamia na kujton përngjasimin me Otellon e Shekspirit, ngjarjet e të cilit ndodhin në një ishull mesdhetar. Por “Desdemonës” çame, nuk i vjedhin shaminë, por gjoja i japin një shami xhepi të zotrisë sqimqtar, për t’a larë në ujin e kroit, e shoqëruar kjo gjoja edhe me disa fjalë, kuptohet që ato ishin dashurore, bukurilavdëruese dhe që gjasme asaj i pëlqyen! Arsye e mjaftueshme e nderit të dhunuar, për një burrë sedërqar, që në pamundësi të ndëshkimit të kajmekamit pretendues, e prijnë atë drejt krimit, për të vrarë zonjën e tij, që është vetë pafajësia.

Melodia e Minushit, në jug të vendit dhe aty ku jetojnë bashkësitë çame, kërcehet në dasma si valle, por edhe si valle e kënduar. Edhe vallja është e thjeshtë, tre hapa para, dy në vend, tre prapa,dy në vend e përsëri përpara. Në valle, melodia është diçka me ritëm më të shpejtuar.

KËNGA E MINUSH AGËS – HISTORIA

Zgjo Minushin,zgjo Birbilin,zgjo Resul aga!

Ishin mbledhur dhe po pinin në një kafene.

-Të bukur grua që paske, bre Minush aga!

-Ku e njeh, ku e ke parë që ma mollois?

-E paçë një ditë në krua që po mbushte ujë,

I dhashë shamin e dorës,ajo ma pastroi,

I Thashë nja dy-tri fjalë, ajo mi pranoi!

Minush Aga qe i pirë, vajti në shtëpi

Mori thikën dhe e theri, o gruan e tij!

Të nesmen që i del rakia vajti te varri:

Çohu grua, çohu vishu se kemi fëmijë,

Çohu grua dil nga varri se un bëra faj,

Çohu vishu e stolisu, dil në shoqëri,

Të të shohin gjithë bota dhe unë i mjeri!

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Twitter Saranda Web

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

Linktree sarandaweb

in sarandaweb


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Operacioni “Vjeshta” në Sarandë, 20 të ndaluar për drogë dhe armë – VIDEO
U zhvillua në Sarandë Maratona e Notit “Idriz Muço” – VIDEO e aktivitetit
Digjen nga zjarri katër kjoska në Syrin e Kaltër, ende të paqarta shkaqet
Uma Restaurant në Ksamil kërkon staf. Ofrohet Akomodimi dhe ushqimi
Hotel VISAD në Sarandë kërkon Sanitare për punësim vjetor
NS STORE në Sarandë kërkon të punësojë Asistente Shitjeje

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.