Me kamerdare drejt Korfuzit/ Historia e 31-vjeçarit dhe dënimi nga regjimi
Ëndrra e shqiptarëve për t’u larguar nga Shqipëria i detyronte ata të përdornin çdo lloj mjeti të mundshëm që mund të gjenin. Një aventurë të pazakontë ndërmori edhe 31-vjeçari nga Himara Aleks Bala, i cili mendoi një ditë feste si data 29.11.1988, si çastin më të përshtatshëm për t’u larguar nga deti.
Ai u nis nga gjiri i Llamanit, me mjetin lundrues në drejtim të Korfuzit, por u pikas nga forcat e kufirit kur ishte 1.3 milje larg. Megjithëse iu bë thirrje, u tregua i vendosur të vijonte lundrimin. U akuzua në bazë të neneve 47/gj, 31/1, 25 të Kodit Penal. Në arsyetimin e vendimit thuhej:
“Nga hetimi gjyqësor doli e provuar se i pandehuri Aleks Bala, qysh në vitin 1987, ka pas siguruar një kamerdare zetori të cilën e ka mbajtur të fshehur në banesën e tij. Më vonë, për punimin e mendimit të tij kriminal ka përgatitur dhe një copë dërrase në formën e bazamentit të një barke dhe pasi ka marrë të gjitha masat e nevojshme për formimin e një varke të thjeshtë të gomuar, ka vendosur të realizojë arratisjen jashtë shtetit me anën e detit për në Greqi”.
U theksua se rrezikshmëria e tij prekte “marrëdhënien shoqërore të një rëndësie të veçantë”, “për mbrojtjen e shtetit të diktaturës së proletariatit, të pavarësisë kombëtare, fuqinë mbrojtëse dhe sigurimin e jashtëm të Republikës sonë”. U quajt i pandehur me “rrezikshmëri të madhe shoqërore”.
Në pretencën e tij prokurori, u tregua tejet i ashpër. Midis të tjerash deklaroi në këtë proces:
“Partia dhe shoku Enver vazhdimisht kanë treguar një kujdes të veçantë për edukimin e rinisë për të patur kurdoherë një rini të pastër moralisht e të brumosur me ideologjinë marksiste-leniniste. Por s’duhet të harrojmë na mëson partia se rinia ka qenë dhe mbetet gjithnjë objekti i veprimtarisë së të gjithë armiqve.
Armiqtë e brendshëm e të jashtëm bashkërendojnë veprimtarinë e tyre me anë të presionit të ideologjisë borgjezo-revizioniste, të helmatisin ndërgjegjen e rinisë.
Pre e këtij presioni të ideologjisë borgjeze e revizioniste është bërë dhe i pandehuri Aleks Bala, i cili është karakterizuar në punë e shoqëri me sjellje e veprime që i kundërvihen moralit tonë komunist.
I pandehuri dhe pse ka kryer dhe më parë vepër penale dhe ishte duke kryer vuajtjen e dënimit, iu dha mundësia nga organet e drejtësisë të reflektonte dhe të riedukohej në gjirin e shoqërisë, të mos izolohej nga shoqëria e familja. Këtë ndihmesë, i pandehuri nuk e vlerësoi, por qëndroi konsekuent në rrugën e tij armiqësore i vendosur për ta realizuar”.
Gjykata Popullore e Rrethit Vlorë, me vendimin nr.231, datë 5.12.1988, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 16 vjet heqje lirie dhe heqjen e të drejtës zgjedhore prej 5 vjetësh. Kamerdarja e zetorit dhe puntoja iu dorëzuan NPA Vlorë. Aleksi u lirua më 6.2.1991 si pasojë e ndryshimeve demokratike që ndodhën./Kujto.al
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 29
08/09/2120:10
Anija Liburna, punim në dru nga Agur Kapo
08/09/2120:10
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 33
08/09/2120:10
Pelikani i Butrintit – Imitim mozaiku i Butrintit, punim nga Agur Kapo
08/09/2120:10
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 20
08/09/2120:10