Mandarinat e Konispolit mbeten në degë, fermerët me sytë nga Zoti dhe Qeveria – VIDEO
Mandarinat e Konispolit mbeten në degë, fermerët me sytë nga Zoti dhe Qeveria
Në Konispol, aty ku çdo vjeshtë aroma e mandarinave mbush ajrin, këtë vit mbretëron heshtja. Degët janë të mbushura plot, por tregu është bosh. Pas një lajmi të përhapur në disa portale, që akuzonte produktin për mbetje pesticide, fermerët janë gjendur përballë një krize të paprecedentë.
ARJOL SHERO – FERMER DHE GRUMBULLUES
“Unë, për shembull, kam pesë vjet që nuk grumbulloj pa analiza. Kam një bashkëpunim shumë të mirë me marketet Lidl në Europë. Ata vijnë, marrin mostrat në çdo parcelë, në çdo fermer, bëjnë analizën dhe në bazë të analizës bëjnë tërheqjen e produktit. Deri sot unë kam bërë mbi 100 analiza për sivjet dhe të gjitha janë të përkryera.
Në analiza del tek-tuk ndonjë karencë e lartë, por jo pesticide të ndaluara. Janë preparate të lejuara, por që ndonjëherë nuk janë në afatin kohor të vjeljes. Ne, në bashkëpunim me fermerët, vendosim datën e saktë për vjelje.
Atëherë nga lindi ky sulm ndaj nesh? Nga mediat. Doli një lajm që manderina e Konispolit ishte me pesticide. Po mirë, në cilin treg u kap ajo manderinë? Ku u ble? Ku është marrë mostra? Duhet gjendur gjurmëshmëria përmes AKU-së. Ne kemi dokumente, jo fjalë.”
Fermerët thonë se lajmet e pabazuara kanë shkaktuar panik te tregtarët dhe kanë ngrirë eksportet. Ndërkohë që analizat laboratorike, sipas tyre, dëshmojnë të kundërtën.
LULZIM ZEJNO – FERMER, KONISPOL
“Kam të gjitha analizat e bëra në laborator të çertifikuar në Itali. Problemi është se nuk kemi treg. Për momentin tregu është zero.
Pse? Për propagandën që është bërë se manderina e Konispolit është me pesticide. Urdhëroni analizat – të gjitha në rregull. Laboratori është italian, parametrat perfektë.
Manderina jonë është super për vendin, për Kosovën, për Evropën. Prodhimi im është 50 deri 60 tonë, por s’kam shitur asnjë kokërr. Parcela është emergjente, frutat janë gati për t’u hequr nga dega sepse po tejpjekin.
Ajo manderinë që hanë fëmijët e mi, atë manderinë do hanë edhe njerëzit në Shqipëri e në Evropë. Por nëse çmimi bie nën 500 lekë, ne jemi nën kosto. Punojmë kot. Presim nga Zoti, sepse për momentin jemi të bllokuar.”
Mungesa e tregut dhe pasiguria kanë futur në ankth qindra familje që jetojnë vetëm nga agrumet. Frutat, ndonëse të cilësisë së lartë, po kalben në degë, ndërsa në depot e grumbullimit askush nuk vjen të blejë.
ANDREA PELLA – PËRFAQËSUES I LABORATORIT
“Kemi bërë analiza në 200 fermerë deri tani dhe të gjitha kanë dalë të pastra. Pa asnjë problem. Nuk ka asnjë rast me pesticide të ndaluara. Produkti është i sigurt për konsum.”
Ndërkohë që laboratorët flasin për standarde të larta dhe cilësi të padiskutueshme, përfaqësuesit e pushtetit vendor paralajmërojnë se dëmi i krijuar nga paniku mediatik mund të jetë afatgjatë.
ERGEST DULE – KRYETAR I BASHKISË KONISPOL
“Situata e tregtimit të agrumeve nuk është e favorshme. Qarkulloi një lajm për mbetje pesticide dhe për kthim nga eksporti, por kjo nuk është e vërtetë. Unë vetë e kam verifikuar në sistemin e raportimit të BE-së dhe nga 1 deri në 30 tetor asnjë ngarkesë nga Shqipëria nuk është kthyer.
Fermerët tanë kanë bërë analiza për çdo parcelë, diçka që s’është bërë kurrë më parë. Kjo tregon përkushtim dhe përgjegjësi. Por një lajm i pabazuar mund të dëmtojë një ekonomi të tërë bujqësore.
Kjo mund të jetë edhe një lojë e grumbulluesve për të ulur çmimet. Ndaj bëj thirrje që të kontrollohen farmacitë bujqësore dhe importet e preparateve, jo të rëndohen fermerët me analiza që kushtojnë deri në 200 euro. Ata prodhojnë, paguajnë, dhe në fund mbeten pa treg.”
Në Konispol, mandarina është simbol i jetesës. Por këtë vjeshtë, ky simbol po rrezikon të kthehet në falimentim për fermerët. Në degë qëndrojnë frutat e pjekura, si dëshmi e një pune të ndershme dhe e një sistemi që ende nuk ka mësuar si të mbrojë prodhuesin e vet. Në Konispol janë rreth 1 milion pemë mandarina dhe prodhimi i këtij viti arrin rreth 60 mijë tonë, me një vlerë që shkon deri në 30 milionë euro.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 32
13/11/2511:53
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 15
13/11/2511:53
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 25
13/11/2511:53
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 11
13/11/2511:53
Anija “Liburna” gdhendur në gur, punim nga Agur Kapo
13/11/2511:53