Kuvendi kalon ‘vjedhurazi’ zgjatjen e afatit për investimet strategjike
Një ligj i qeverisë për “Për investimet strategjike” i vitit 2015, që ka shkaktuar debate dhe kritika për mënyrën e zbatimit, do të shtrijë afatet e zbatimit deri në fund të vitit 2023. Me 75 vota pro mazhoranca qeverisëse votoi të hënën propozimin e deputetit socialist Arben Pëllumbi, i cili u fut me procedurë të përshpjetuar në seancë plenare dhe nuk pati diskutime në komisionet parlamentare.
Vetëm disa ditë pas depozitimit në faqen e Kuvendit dhe pas kalimit pa debat në një mbledhje të Komisionit të Ekonomisë, projektligji me dy nene u votua në mesin e 12 akteve të tjera ligjore në seancë. Prezantimi i deputetit Pëllumbi nuk tërhoqi vëmendje dhe nuk krijoi debat në sallën e mbetur gjysëm bosh, ku mungonin deputetët e opozitës.
“Kanë përfituar 31 projekte të Investimeve Strategjike që nga viti 2015”, tha Pëllumbi dhe nga shtyrja e parë që i është bërë afatit deri në dhjetor 2021 kanë ardhur dhe “20 projekte të tjera me vlerë 3 miliardë euro”. Ai argumentoi se shtyrja kërkohet pasi projektet e reja akoma nuk kanë nisur nga puna pasi “shtrihen ne zona ku ende nuk ka përfunduar regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme”.
Ai tha se do i jepet kohë Kadastrës që të vendosë pronat në dispozicion të këtyre investimeve. “Subjektet investuese do të kërkojnë zgjatjen e afatit si e vetmja mënyrë për të zhvilluar investimin. Krijon vakum ligjor, pasi statusi që është fituar nuk është pezulluar dhe pse pronat nuk janë bërë gati dhe mund të krijojë problematike për investimin dhe për qeverinë”- argumentoi ai në Kuvend.
Sipas Pëllumbit kjo shtyrje është e nevojshme dhe në mungesë të një ligji të ri “për investimet” që po përgatitet nga ministria e Financave.
Projektligji në faqen e Kuvendit shoqërohet nga një raport i komisionit të Ekonomisë si komision përgjegjës, ku thuhet se u shqyrtua dhe u miratua nga të gjithë anëtarët e pranishëm.
Por deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, i pyetur nga BIRN për qëndrimin e opozitës tha se “ky projetligj është kaluar vjedhurazi në komision”, pasi opozita ishte e përqëndruar tek debati për dekretet e presidentit në atë mbledhje.
“Unë kam qenë kundër, por nuk pata mundësinë t’i paraqisja argumentet e mia as në komision dhe as në seancë, edhe për shkak të zhvillimeve partiake”- sqaroi Leskaj. Ai tha se mazhoranca ka preferuar të shmangë debatin pasi është një ligj që “u shërben pak personave pranë qeverisë”.
Ligji për investimet strategjike u miratua nga Kuvendi në vitin 2015. Ai i njeh statusin investitor strategjik në turizëm çdo projekti që investon më shumë se 5 milionë euro dhe punëson 80 punëtorë. Në dhjetor të vitit 2015, qeveria ka miratuar gjithashtu 10 vendime me qëllim lehtësimin dhe rregullimin e procedurave për investitorët strategjikë, duke i mundësuar konsolidimin e titujve të pronësisë.
Sipas këtyre vendimeve, shteti është i detyruar t’i ofrojë investitorëve strategjikë infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime dhe trajtim të ujërave të ndotura, dhe infrastrukturë rrugore.
Në seacën e fundit të sesionit të parë të Legjislaturës së 10-të të Kuvendit mazhoranca rrëzoi dekretet e Presidentit Ilir Meta për kthimin e Buxhetit të qeverisë dhe paketës fiskale dhe dekretin që kthente për shtyrtim ligjin “Për Bashkëqeverisjen” dhe miratoi një ligj të ri për jetimët ku parashikohet mbështetje financiare për fëmijët e punonjësve të Policisë të rënë në detyrë, e kadegori të tjera. /Blerina Gjoka, BIRN
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit