Kujtime nga Saranda, qyteti ku gjelbërimi u zëvendësua nga betonizimi

03/01/2217:34

Shperndaje:

Nostalgjikë për gjelbërimin, plazhet e virgjëra, lulishtet dhe qetësinë e dikurshme, banorët e Sarandës dhe vizitorët e saj kritikojnë ndërtimet pa kriter dhe betonizimin e pandalshëm të qytetit në tre dekadat e fundit.

Banorët e vjetër dhe të rinj të Sarandës ruajnë kujtime të ndryshme nga qyteti i tyre, por i bashkon i njëjti konstatim.

“Në asnjë vend të botës nuk ka betonizim të tillë si në Sarandë,” shkruan Roza Veliko Raidou në një pyetësor të Saranda Web. “Më mungon gjelbërimi, që u zëvendësua nga betonizimi,” shtoi ajo.

E njohur si “perla e jugut”, qyteti i Sarandës ka ndryshuar rrënjësisht gjatë tre dekadave të fundit. Përmes një pyetësori, Saranda Web i pyeti qytetarët se çfarë u mungon më shumë nga Saranda e dikurshme.

Dhjetëra qytetarë ndanë kujtimet e tyre përmes pyetësorit apo faqes sonë në Facebook, ku shumica thanë se u mungonte gjelbërimi, plazhet e virgjëra, lulishtet, por edhe qetësia.

Saranda është një qytet me më shumë se 2000 vjet histori dhe ka shërbyer fillimisht si portë për qytetin antik të Finiqit. Zona mbart vlera të rralla të trashëgimisë kulturore dhe arkeologjike, e megjithatë, gjatë dekadave të fundit ka njohur një shpërthim të industrisë së ndërtimit.

Të pyetur se si e vlerësonin ndryshimin e qytetit, mbi 85 përqind e qytetarëve të anketuar u përgjigjën ‘negativisht’, duke kritikuar betonizimin si dhe humbjen e identitetit të Sarandës.

“Më pëlqente të jetoja këtu, por tani më duket si një nga lagjet andej nga Kombinati në Tiranë,” shkroi Ersida Ahmetaj.

Të tjerë banorë sugjerojnë se nevojitet një rikonceptim i arkitekturës së qytetit.

“Duhen prishur ndërtimet që nga shkurtimi i përbindëshit 16 katësh e deri tek gjithë ndërtimet nga qendra e Sarandës e deri poshtë tek Limani. Ndërtimet te plazhi i ri duhen prishur, të jepet vazhdimësia e xhiros deri në shkallaret e Kodrës,” shkruan një tjetër banor.

Përveç banorëve, pyetësorit i janë përgjigjur edhe vizitorë dhe turistë të Sarandës, të cilët kanë dëshmuar për ndryshimet që ata kanë hasur.

“Herën e parë kam qenë si maturante në Sarandë në vitin 2003, e krahasoj tani Sarandën nga viti 2003-2021 ka shumë ndryshime, disa janë shumë të mira, por shumica nga ato e sidomos ndërtimet e larta janë jashtë çdo norme të ndërtimit,” shkruan një turiste.

“Ksamili në vitin 2003 ka qenë super i bukur në pastërti dhe plazhe publike sa të doje. Tani në plazhet e Ksamilit nuk ke ku të shkelësh,” shtoi ajo.

Më poshtë gjeni një galeri me fotot që na dërguan disa prej qytetarëve. 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Agjensia turistike ITA Saranda kërkon të punësojë punonjës për sezonin turistik
Rama në Sarandë: Rrugët me mozaik do të kthehen në shëtitore – Pa makina dhe pa parkim
Aktivistja e PS denoncon skemën korruptive në Ksamil: Kontrata fiktive për të mbajtur monopolin e plazheve!
Rama në Sarandë: Në fund të mandatit të 4-t Saranda do të ketë ujë 24 orë
Biznesmeni në Sarandë: Amerika është këtu, iki 10-15 herë me pushime por nuk kemi ujë
Rama në Sarandë: Kodi Zgjedhor nuk na la të fillonim investimin tek Rruga 6

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.