KLSH: Mirela Kumbaro dhjetra shkelje me ndërtimin e restorantit në Butrint

17/02/1918:01

Shperndaje:


Ministria e Kulturës ka shkelur hapur ligjet e shtetit shqiptar, në ngritjen e të shumëdebatuarës gjatë viteve 2017-2018, Qendrës Multifunksionale të Shërbimeve në Qytetin Antik të Butrintit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka hartuar një raport me gjithë shkeljet e konstatuara gjatë auditimit të projektit të ngritjes së një bar-kafe restoranti në zonën A të Butrintit, duke zbardhur përfundimisht të vërtetat që ish ministrja Mirela Kumbaro dhe vartësit e saj u përpoqën t’i fshihnin në çdo dalje publike, pavarësisht disa fakteve dhe provave kompromentuese që u shfaqën që në ato vite. Ndërkohë, KLSH ka sugjeruar të kryhet trajtimi i detajuar tekniko-juridik nga ana e Departamentit Juridik dhe Kontrollit të Zbatimit të Standardeve dhe Etikës të materialeve të evidentuara nga grupi i auditimit për të përcjellë indicie penale, për personat e ngarkuar me funksione ligjore në procedurën e shqyrtimit/pranimit të projektzbatimit “Për krijimin dhe funksionimin e Qendrës Multifunksionale të Shërbimeve në Qytetin Antik të Butrintit”

Kontrata

Gjatë vitit 2016 – 2017 Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” kanë shqyrtuar/miratuar projektzbatimin “Për krijimin dhe funksionimin e Qendrës Multifunksionale të Shërbimeve në Qytetin Antik të Butrintit”, mbështetur në “Propozim të pakërkuar” të bërë nga subjekti “H” sh.p.k. për marrjen me qira të një objekti ndërtimi, magazinë (e cila nuk është monument kulture), pranë Qytetit Antik të Butrintit me qëllim vënien e saj në shfrytëzim për aktivitet tregtar bar-kafe-restorant. Vendndodhja e këtij objekti është në Parkun Kombëtar të Butrintit (PKB), në nënzonën “A”, në të cilën zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes. Gjatë auditimit të kësaj kontrate, KLSH ka vërejtur se në përgjithësi arsyetimi për miratimin e projektzbatimit “Për krijimin dhe funksionimin e Qendrës Multifunksionale të Shërbimeve në Qytetin Antik të Butrintit”, bie ndesh me: Ligjin nr. 9048, datë 7.4.2003 “Për trashëgiminë kulturore”- nenin 30 në të cilin ndër të tjera është përcaktuar se … Zonat arkeologjike, në varësi të intensitetit dhe rëndësisë së gjetjeve arkeologjike, kategorizohen në zona “A” dhe zona “B”. Zonifikimi miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore. Në zonat arkeologjike “A” është e ndaluar çdo lloj ndërhyrjeje me karakter ndërtimor. – nenin 38 në të cilin është përcaktuar se … Çdo vendim i marrë nga këshillat e rregullimit te territoreve për ndërhyrje ose ndërtim ne zonat e shpallura monument kulture ose ne zonën e mbrojtur pranë një monumenti kulture, pavarësisht nga pronësia, është i pavlefshëm. – VKM nr. 693, datë 10.11.2005 “Për shpalljen e kompleksit ligatinor të Butrintit “Park Kombëtar” i ndryshuar me VKM nr. 134, datë 20.12.2013, në të cilin ndër të tjera është përcaktuar se … Nënzona qendrore e shënuar në hartë me shkronjën “A” me sipërfaqe prej 3,980 ha, që përcaktohen si nënzona me vlera të mëdha për natyrën dhe biodiversitetin. Në këtë zonë zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes … etj. – Kombinimin e përcaktimeve të bëra midis nenit 4, pika 1, shkronja “b”, neni 5, 6 … të ligjit 8906, datë 6.6.2002 “Për zonat e mbrojtura” i ndryshuar, VKM nr. 693, datë 10.11.2005 “Për shpalljen e kompleksit ligatinor të Butrintit “Park Kombëtar” ndryshuar me VKM nr. 134, datë 20.12.2013 sipas të cilit … në PKB nënzona qendrore (në të cilin ndodhet dhe objekti) zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes … janë të ndaluara ndërtime të çdo lloji … etj. Referuar Ligjit nr. 9048, datë 7.4.2003 “Për trashëgiminë kulturore”, ndërtimi “Për krijimin dhe funksionimin e Qendrës Multifunksionale të Shërbimeve në Qytetin Antik të Butrintit”, nuk përbën trashëgimi kulturore etj, në kuptim të Ligjit nr. 9048, datë 7.4.2003, për rrjedhojë, Ministria e Kulturës (më parë IMT dhe KKR), duhet ta refuzonin kërkesën e subjektit “H” sh.p.k. KLSH sugjeron që Ministria e Kulturës të kërkojë/anulojë kontratën e enfiteozës nr. 360, datë 2.6.2017 me objekt “Për krijimin dhe funksionimin e Qendrës Multifunksionale të Shërbimeve në Parkun Kombëtar të Butrintit” lidhur me subjektin “H” sh.p.k. me argumentet e mësipërme.

Indicie penale

Nga auditimi i kryer në Ministrinë e Kulturës në bazë të programit të auditimit nr. 1264/2, datë 14.12.2017, rezulton se Ministria e Kulturës ka shqyrtuar/miratuar projektzbatimin “Për krijimin dhe funksionimin e Qendrës Multifunksionale të Shërbimeve në Qytetin Antik të Butrintit”, mbështetur kryesisht në Udhëzimin e Ministrisë së Kulturës nr. 5110, datë 13.10.2015 “Për dhënien me qira dhe mënyrën e administrimit të monumenteve të kulturës me qëllim rijetëzimi” i ndryshuar, në përgjigje të një “Propozim të pakërkuar” të bërë nga subjekti “H” sh.p.k. për marrjen me qira të një objekti ndërtimi, magazinë (e cila nuk është monument kulture), pranë Qytetit Antik të Butrintit me qëllim vënien e saj në shfrytëzim për aktivitet tregtar bar – kafe- restorant. Vendndodhja e këtij objekti është në Parkun Kombëtar të Butrintit (PKB), në nënzonën “A”, në të cilën zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes. Ndërkohë, nga verifikimi ligjshmërisë mbi të cilën ka operuar Ministria e Kulturës për miratimin e këtij projekti, KLSH vlerëson se nxjerrja nga Ministria e Kulturës të Udhëzimit nr. 5110, datë 13.10.2015 2015 “Për dhënien me qira dhe mënyrën e administrimit të monumenteve të kulturës me qëllim rijetëzimi” i ndryshuar, është bërë pa pasur autorizim nga Ligji nr. 9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, për të rregulluar dhe plotësuar procedurën e dhënies me qira/enfiteozë si dhe mënyrën e administrimit të monumenteve të kulturës, si i tillë, nuk ka asnjë fuqi juridike. KLSH konstaton po ashtu se kontrata e enfiteozës nr. 3681, datë 02.06.2017, të lidhur ndërmjet subjektit “H” sh.p.k dhe Ministrisë së Kulturës, nuk është bërë me akt noterial dhe nuk është regjistruar në ZVRPP., në referencë të përcaktimeve të bëra në nenet 786 dhe 83 të Kodit Civil, për rrjedhojë kontrata është e pavlefshme dhe nuk ka asnjë fuqi juridike. “Ka pasaktësi në përcaktimin e sipërfaqes së saktë të pronës në m2 , e cila çon automatikisht në pamundësinë e llogaritjes së saktë të vlerës së detyrimit mujor. Nuk është përcaktuar qartë vlera e investimit. Ekziston mospërputhjeve ndërmjet afateve të Plan Biznesit, Kontratës së Enfiteozës lidhur midis palëve, afatit të kohëzgjatjes së punimeve etj”, thotë raporti i KLSH. Për të gjitha këto, KLSH sugjeron të përcjellin indicie penale për personat përgjegjës për procedurën e shqyrtimit dhe pranimit të këtij projekti. /Agjensia e Lajmeve Sot News/


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.