Kësti i dytë i dëmshpërblimeve nga zjarret e verës: 400 milionë lekë për Finiqin, 360 milionë për Delvinën

29/01/2610:57

Shperndaje:

Kësti i dytë i dëmshpërblimeve për zjarret e verës 2025: 400 milionë lekë për Finiqin dhe 360 milionë për Delvinën

 

Ka nisur shpërndarja e këstit të dytë të dëmshpërblimeve për dëmet e shkaktuara nga zjarret e verës 2025, me një fond prej 400 milionë lekësh të akorduar për Bashkinë Finiq dhe 360 milionë lekësh për Bashkinë Delvinë. Ky është kësti i dytë i mbështetjes financiare për familjet dhe subjektet e prekura, pas atij të dhënë rreth një muaj më parë, ku në Delvinë u kompensuan kryesisht banesat dhe stallat e djegura.

 

Kësti i dytë i dëmshpërblimeve për zjarret e verës 2025 400 milionë lekë për Finiqin dhe 360 milionë për Delvinën

 

Procesi i dëmshpërblimit ka nisur pas përfundimit të vlerësimit dhe verifikimit të dëmeve të shkaktuara gjatë periudhës 5 Qershor – 15 Shtator 2025. Fondet po transferohen nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile drejt bashkive përkatëse, ndërsa pagesat për përfituesit po kryhen drejtpërdrejt në llogaritë bankare të qytetarëve, bazuar në listat e miratuara nga pushteti vendor. Sipas autoriteteve, qytetarët nuk kanë nevojë të ndjekin procedura shtesë për të përfituar dëmshpërblimin.

 

Zjarret e kësaj vere lanë pas një bilanc të rëndë dëmesh në disa zona të vendit, ku më të prekura rezultuan bashkitë e jugut të Shqipërisë, veçanërisht Delvinë, Finiq dhe Konispol. Në Delvinë janë regjistruar 16 banesa të djegura, një kishë dhe pesë automjete të shkatërruara, ndërsa flakët përfshinë rreth 1,250 hektarë shkurre dhe 1,250 hektarë kullota, duke shkatërruar afro 69,965 rrënjë ullinj. Dëme të mëdha janë raportuar edhe në sektorin e blegtorisë, me humbjen e 30 deleve, 3 mushkave, 45 hektarëve pyje dhe 622 kosherëve bletësh.

 

Bashkinë Finiq, situata paraqitet po aq e rëndë, me 17 banesa të shkatërruara, një kishë dhe një stallë bagëtish të djegur, si dhe dëmtimin e rreth 35 mijë rrënjëve ullinj, 4 mijë vreshtave dhe drurëve frutorë. Po ashtu, janë regjistruar humbje të konsiderueshme në blegtori, me 9 gjedhe dhe 330 kosherë bletësh të humbura si pasojë e flakëve.

 

Edhe Bashkia Konispol është goditur nga zjarret, me rreth 80 hektarë shkurre dhe 20 hektarë kullota të djegura, 1,100 rrënjë ullinj dhe 100 drurë frutorë të dëmtuar, si dhe humbje në blegtori me 10 dele dhe 10 kosherë bletësh.

 

Autoritetet bëjnë me dije se procesi i dëmshpërblimit do të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa bashkitë përkatëse janë ngarkuar me administrimin e fondeve, shpërndarjen e tyre dhe informimin e qytetarëve përfitues. Dëmshpërblimi synon të zbusë pasojat ekonomike dhe sociale të një prej sezoneve më të rënda të zjarreve të viteve të fundit, ndërkohë që banorët e zonave të prekura vijojnë të përballen me pasojat afatgjata të humbjeve në banesa, bujqësi, blegtori dhe mjedis.

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Sot, 29 janar 2026, mblidhet Këshilli Bashkiak Sarandë – VIDEO
Kësti i dytë i dëmshpërblimeve nga zjarret e verës: 400 milionë lekë për Finiqin, 360 milionë për Delvinën
U nis nga Saranda për në Korfuz me 45,000 euro në çantë, procedohet penalisht
Çmime tavan për çadrat në plazhe dhe masa ndëshkuese, qeveria vendos rregulla të reja
Shqiptarët ikin, qeveria negocion për punëtorë nga Indonezia / Alarm për mbrojtjen, kushtet e punës dhe mashtrimet
Ashpërsohet dënimi për zjarret dhe ndërtimet pa leje. 1 vit burg për parkimin dysh

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.