Investitorët strategjikë marrin portet turistike pa garë dhe bëhen pronarë të përjetshëm

15/02/2617:20

Shperndaje:

Propozimi i ri ligjor në Kuvend: Investitorët strategjikë marrin portet turistike pa garë dhe bëhen pronarë të përjetshëm.

 

Një nismë e re ligjore e depozituar në Kuvend nga mazhoranca ka hapur një debat të ri mbi mënyrën si do të zhvillohen portet turistike në Shqipëri. Propozimi synon t’u japë investitorëve strategjikë mundësinë për të ndërtuar dhe shfrytëzuar porte turistike pa iu nënshtruar procedurave të konkurrimit apo koncesionit, siç parashikon aktualisht ligji.

 

 

Nisma mban firmën e deputetes së Partisë Socialiste, Zamira Sinaj, dhe parashikon ndërhyrje në legjislacionin ekzistues për të krijuar një mekanizëm paralel për realizimin e porteve turistike, kur ato janë pjesë e një projekti të miratuar si investim strategjik.

 

Çfarë ndryshon nga ligji aktual?

 

Sipas kuadrit aktual ligjor, ndërtimi dhe operimi i porteve turistike realizohet përmes procedurës së koncesionit. Në këtë model, investitori ndërton me kapital privat, por pas një periudhe të caktuar, infrastruktura i rikthehet shtetit.

Me ndryshimin e propozuar, subjektet që kanë marrë statusin “Investitor Strategjik” nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), nëse porti është pjesë e investimit të tyre, përjashtohen nga detyrimi për procedurë gare. Në praktikë, kjo do të thotë se një ndërtues resorti turistik do të mund të marrë automatikisht të drejtën për të ndërtuar dhe operuar edhe portin përkatës.

Ndryshe nga modeli i koncesionit, ku prona i rikthehet shtetit pas përfundimit të afatit, me këtë formulë të re porti turistik do të mbetet pronë e privatit.

 

Favorizime shtesë për investitorët strategjikë

 

Investitorët strategjikë gëzojnë tashmë një sërë lehtësish: përjashtime nga disa taksa, procedura të përshpejtuara administrative dhe mbështetje nga shteti me infrastrukturë ndihmëse si rrugë, energji dhe kanalizime. Në disa raste, atyre u është dhënë edhe shfrytëzimi i pronave shtetërore me vlerë simbolike për periudha disa dhjetëvjeçare.

Një rast i njohur në Sarandë është Porti i Limionit, i cili fillimisht ishte dhënë me Partneritet Publik-Privat (PPP) për 35 vjet. Modeli i ri i propozuar në Kuvend shkon përtej kësaj formule, duke krijuar mundësinë që porti të mos ketë më afat rikthimi në pronësi shtetërore, por të mbetet në mënyrë të përhershme në administrim privat.

 

Vendimmarrja me VKM

 

Edhe pse portet turistike konsiderohen si infrastrukturë me “interes publik”, projektligji parashikon që rregullat dhe procedurat për lidhjen e kontratave me investitorët strategjikë të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM).

Kjo do të thotë se vendimmarrja zhvendoset nga një proces i hapur prokurimi në një marrëveshje të drejtpërdrejtë mes qeverisë dhe subjektit përfitues.

Relacioni shpjegues i projektligjit pranon se zbatimi paralel i ligjit për investimet strategjike dhe atij për portet turistike ka krijuar “mbivendosje procedurash” dhe “vonesa administrative”, duke e justifikuar ndryshimin si një mënyrë për të garantuar “unitetin e projektit” dhe “sigurinë juridike” për investitorët.

 

Debati: zhvillim apo mungesë transparence?

 

Sipas argumentimit të autores së nismës, ndryshimi do të nxisë zhvillimin e turizmit elitar dhe do të krijojë vende të reja pune, duke ofruar siguri më të madhe për investitorët vendas dhe të huaj.

Megjithatë, nga ana tjetër ngrihen pikëpyetje serioze mbi shmangien e konkurrencës dhe transparencës në menaxhimin e aseteve publike. Kritika kryesore lidhet me faktin se portet, si pasuri me rëndësi strategjike dhe interes publik, mund të kalojnë në duar private pa garë të hapur, duke reduktuar rolin e shtetit në negociim dhe kontroll.

Në plan afatgjatë, dilema mbetet: kush përfiton më shumë nga ky model – shteti apo privati?

Deputetja Zamira Sinaj, firmëtare e nismës, u bë pjesë e grupit parlamentar socialist vitin e kaluar, një lëvizje që u komentua gjerësisht për shkak të angazhimeve të saj të mëparshme në protesta të opozitës para Kryeministrisë.

Debati pritet të intensifikohet në javët në vijim, ndërsa projektligji hyn në fazën e diskutimeve parlamentare.

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Investitorët strategjikë marrin portet turistike pa garë dhe bëhen pronarë të përjetshëm
Butrinti fiton në transfertë ndaj Këlcyrës dhe mbetet në ndjekje të kreut
Këlcyra – Butrinti / LIVE – Butrinti kërkon kreun e rënditjes
Shërbimet ‘online’ pa alternativë po e kthejnë dixhitalizimin në barrë për më të dobëtit
Banorët në Piqeras 4 orë pa energji, OSHEE nuk u përgjigjet në telefon
Tatimet paralajmërojnë influencerat: “Ne e dimë sa keni fituar – deklarojini, ndryshe do të gjobiteni”

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.