Godinat e braktisura tek ish-parku, “Parajsa” e përdoruesve të heroinës


Ditën për diell, në mes të godinave tek ish-parku i autobusave Sarandë, në lagjen nr. 4, shumë pranë vendit ku luajnë fëmijët, ndodhen disa godina të braktisura që tashmë janë shndërruar në bazën e narkomanëve të qytetit bregdetar. Por sa e rrezikshme mund të jetë kjo “fole” ku mjaft të rinj i dorëzohen drogës? Nëse do të kesh kureshtje për të parë mbetjet e rrezikshme të çfarëdollojshme nisur nga shiringat e personave që janë përdorues heroine kjo nuk është vështirë t’i gjesh në këtë vend. Një godinë e braktisur në një nga zonat më të populluara të lagjes nr. 4 pas stadiumit të futbollit “Andon Lapa”, shërben si bazë e personave që marrin me injektim intervenoz heroinë në mes të ditës .Tabloja është mjaft e zymtë pasi shenjat janë të dukshme. Kudo ku hedh sytë gjen shiringa të hedhura në tokë në disa prej tyre kanë dhe gjakun e përdoruesve.