
Gjykata rrëzon kërkesën e ish-deputetit, “toka e prodhuar” nga mbushja e detit do të bëhet kënd lojrash
Gjyqtyri Fatmir Ndreu rrëzon kërkesën e ish-deputetit Artur Roshi: “toka e prodhuar” nga mbushja e detit do të bëhet kënd lojrash
Sarandë – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka vendosur të rrëzojë përfundimisht padinë e ngritur nga qytetari Artur Roshi, i cili kërkonte të njihej si pronar i një sipërfaqeje prej 162.6 m² në lagjen nr. 4 të qytetit, truall që – sipas tij – ishte krijuar me përpjekjet dhe investimet e tij, përmes mbushjes së detit me inerte dhe përdorimit të kësaj zone si pjesë funksionale e hotelit të tij fqinj.
Artur Roshi pretendonte se kishte ushtruar posedim pa ndërprerje që prej vitit 2000 dhe se, bazuar në këtë posedim të qetë dhe të pandërprerë, duhej t’i njihej pronësia mbi truallin nëpërmjet parashkrimit fitues pa titull pronësie.
Por gjyqtari Fatmir Ndreu, në vendimin e arsyetuar të gjykatës, ka konstatuar se nuk plotësohen kushtet ligjore për kalimin e pronësisë përmes këtij mekanizmi të së drejtës civile. Gjykata vlerësoi se trualli në fjalë, i regjistruar më vonë si pasuri nr. 22/130 në Zonën Kadastrale 8641, është një sipërfaqe e krijuar artificialisht, përmes mbushjes së detit, dhe në momentin kur Roshi pretendon se ka nisur posedimin, ajo nuk ekzistonte si pasuri e pavarur, e individualizuar juridikisht.
Më tej, gjykata argumenton se pala paditëse nuk arriti të provojë “sjellje pronari” – pra, përdorimin e pasurisë me ndërgjegjen e plotë dhe të pandërprerë se ajo i përket, gjë që është thelbësore për fitimin e saj me parashkrim. Vetë kërkesa e Roshit për të pasur servitut kalimi mbi këtë truall në vitin 2020 u interpretua si një pranim që pasuria ishte pronë shtetërore dhe jo objekt i një posedimi real e të ligjshëm në kuptimin e Kodit Civil.
Gjykata thekson se regjistrimi i pasurisë në emër të shtetit në vitin 2011 nuk është i mjaftueshëm për të nisur efektet juridike të posedimit në mungesë të një hyrjeje faktike në posedim, si dhe në mungesë të individualizimit fizik dhe juridik të pasurisë që nga fillimi i pretenduar i përdorimit.
Një vendim me rëndësi për të ardhmen e zonave bregdetare
Ky vendim i rëndësishëm gjyqësor vjen në një kohë kur në Sarandë dhe në shumë qytete të tjera bregdetare janë shtuar ndjeshëm rastet e pretendimeve për toka të krijuara përmes mbushjes së detit, shpeshherë në mënyrë të paligjshme apo pa dokumentacion të rregullt.
Gjykata e Sarandës shpreh qartë qëndrimin e saj: pasuritë që krijohen artificialisht në bregdet, të paregjistruara dhe pa status të qartë juridik, nuk mund të përfitohen përmes parashkrimit fitues. Vendimi shërben si precedent për të ndalur një praktikë të përhapur të uzurpimit të vijës bregdetare nën justifikimin e “investimeve private”.
Ndërkohë, sipërfaqja në fjalë pritet t’i kthehet funksionit publik dhe të shndërrohet në një kënde lojrash për fëmijët dhe komunitetin lokal, në përputhje me kërkesat e banorëve të lagjes, të cilët prej kohësh kanë apeluar që kjo zonë të mos privatizohet, por të vihet në funksion të fëmijëve dhe jetës sociale të lagjes.
Vendimi i gjyqtarit Ndreu është një sinjal i qartë se ligji nuk njeh si të ligjshme pretendimet që burojnë nga veprime faktike në shkelje të pronës publike, pavarësisht kohëzgjatjes së përdorimit apo investimeve të kryera pa bazë ligjore. Gjykata i hap kështu rrugën një zgjidhjeje në dobi të komunitetit dhe mbrojtjes së hapësirave publike në qytetet bregdetare.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit





Suvenire

DEA e Butrintit, punim në gur nga Agur Kapo
27/07/2510:00

PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 29
27/07/2510:00

PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 2
27/07/2510:00

PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 4
27/07/2510:00

Kalaja Veneciane në Butrint, punim në rërë nga Agur Kapo
27/07/2510:00
