Florjana Koka: Nuk më zë gjumi deri sa të heq depozitat nga taracat e pallateve

13/09/1617:30

Shperndaje:


Në një intervistë për Birn Albania, kryetarja e Bashkisë Sarandë Florjana Koka ka folur për punën 1-vjeçare në krye të bashkisë.florjana-koka Cilat janë tre arritjet/premtimet kryesore që ju i mendoni si të suksesshme gjatë vitit të parë të drejtimit të bashkisë Sarandë?
Për çdo qeverisës të ri, viti i parë është prova e parë dhe bazament për mirëqeverisje në vitet pasues. Ndërkohë është edhe vit pune e realizimesh, që do të shërbejnë si bazë për më tej. Këtu qëndron si e veçanta edhe rëndësia e këtij viti të parë. Sigurisht edhe vështirësia, kapërcimin e së cilës unë e kam pasur një sfidë, që më ka bashkëshoqëruar në këta 12 muaj.
E them këtë, pasi çdo gjë ishte e vështirë, duke mos qenë asgjë si më parë. Ndarja e re territoriale të gjithëve na ka vënë përpara të panjohurash të shumta, përpara nevojës për të funksionuar si një njësi administrative me vizion të ri, me territore të reja, më të mëdha, me asete të shtuara që duhen administruar, me një ligj të ri të qeverisjes vendore dhe me një kuadër të ri ligjor, që ashtu si aftësitë tona menaxhuese, edhe ai është në testin e funksionalitetit.
Në këtë kontekst, mbase nuk do të ishte e udhës të flasim për 3 apo 5 arritje që mund të quhen të suksesshme apo jo, në këtë vit të parë. Unë do ta quaja një arritje, faktin që ia kemi dalë të bëjmë një unifikim të niveleve të ndryshme dhe deri një vit më parë, me mjaft diferenca të dallueshme, që gjetëm në administrimin dhe menaxhimin e territoreve të bashkuara, që vepronin si njësi më vete përpara se të zbatohej reforma territoriale. Nuk ka qenë e lehtë të perceptohet dhe realizohet qeverisja vendore si një e tërë, si në qytetin apo lagjet e Sarandës, edhe në qytetin e Ksamilit, që ka qenë komunë apo në fshatin e Çukës, që ka qenë pjesë apo “xhep” i një ish-komune. Tani mes këtyre pjesëve është pothuaj e njëjta psikologji dhe vëmendje që i bashkon; në to aplikohet e njëjta filozofi menaxheriale, ofrohet i njëjti standard shërbimesh publike.
Për rrjedhojë, banorët apo biznesi, shohin t’u drejtohet e njëjta vëmendje nga bashkia, ndërkohë që ndjejnë detyrimin për të qenë kontribuues në mbajtjen e këtyre standardeve të reja.
Përtej këtij raporti të ri mes qeverisjes dhe qytetarit, arritje të rëndësishme do të llogarisja investimin e realizuar për shërbimin më jetik, që është ai i furnizimit me ujë të pijshëm. Bashkia dhe banorët pranuan këtë vit që të bëhej në kohën para sezonit, një sakrificë në kuptimin mjedisor dhe atë të performancës, duke iu nënshtruar Saranda dhe Ksamili, “çarjes” së rrugëve. U gjithëpranua kjo, në emër të lënies prapa të një rrjeti tërësisht të amortizuar të shpërndarjes së ujit. Falë investimit të bankës gjermane KFW, tashmë ne kemi një rrjet shpërndarës tërësisht të restauruar, me efekte të ndjeshme qysh këtë verë, në pakësimin e humbjeve dhe në shtimin e prurjeve, që do të thotë ujë më shumë në çezma.
Oferta më e mirë turistike, që paraqesin këtë verë Saranda dhe Ksamili dhe programimi më i mirë që kemi bërë për shoqërimin e kësaj vere me ngjarje artistike dhe festivale, shfaqje e spektakle argëtuese për banorët dhe pushuesit, përfaqësojnë gjithashtu, në vlerësimin tim, arritje që duhet llogaritur si e tillë.
Çfarë ka bërë Bashkia në sigurimin e pjesëmarrjes qytetare (konsultimeve publike, etj) dhe transparencën gjatë këtij viti?
Shprehja më domethënëse e sigurimit të pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisje është procesi i hartimit të projekt-buxheteve tona. Ato hartohen nga bashkia e Sarandës, duke vendosur si prioritete ato që komunitetet e ndryshme dhe banorët kanë sugjeruar përmes përfaqësuesve të tyre apo nga kontaktet e ekspertëve me ta. Ky draft, shkon sërish dhe prezantohet në takime të hapura e të mirëpërgatitura me banorë, me grupe interesi, me forumin qytetar dhe në prani të këshilltarëve bashkiakë, që më së shumti janë banorë të asaj zone. Pas ridiskutimit dhe marrjes së pëlqimit të banorëve, sipas fshatrave dhe lagjeve në qytetet tona, draftit i bëhen përmirësimet dhe përditësimet e fundit dhe pas marrjes së trajtës përfundimtare, i çohet këshillit bashkiak për shqyrtim e votim.
Solla një argument të asaj se si sigurohet pjesëmarrja e qytetarëve në qeverisje. Por do të thosha se ne e kemi në filozofinë e qeverisjes këshillimin me publikun edhe për punë në vijueshmëri, që duket sikur peshojnë më pak se një buxhet. Kjo ndjehet si nevojë dhe merret si pikë referimi, për të mbërritur tek zgjidhjet e mençura në menaxhimin e problematikave që përballojmë. Forumin qytetar, duke qenë se në të janë përfshirë personalitete të disa fushave dhe njerëz me eksperiencë të admirueshme, e kemi bërë pjesë të këshillimit të politikave tona vendore. Atij i drejtohemi sa herë gjendemi përpara vendimmarrjeve të mëdha e të rëndësishme.
Në plotësim të tyre është organizimi i dëgjesave publike. Ato kanë hyrë në praktikën e punës si një mundësi më shumë për një qeverisje të mirë. Nga koha në kohë, dëgjesat publike po aplikohen si forma të zgjimit të interesimit qytetar për problemet komunitare, si mundësi për tërheqjen e qytetarëve dhe bërjen e tyre të interesuar për qeverisjen me pjesë-marrje dhe të hapur për publikun.
Dritare të rëndësishme për të qenë në përditshmëri në komunikim të hapur me publikun, janë uebsajti i Bashkisë, faqja e saj në Facebook, etj. Ashtu si bashkëpunimi ynë i mirë me mediat vendore, rrjetet elektronike e sociale ku Bashkia është subjekt, na ndihmojnë për të realizuar e-qeverisjen. Aksesi në faqet tona elektronike na siguron jo vetëm përcjelljen e informacionit me interes publik apo promocional, por edhe marrjen në kohë reale të mendimit të tyre për zgjidhjet tona, si dhe marrjen e sinjaleve të para për çdo shqetësim që lind, gjë që na vë në lëvizje për të qenë pranë tyre me atë çfarë ofrojmë.
Cilat janë tre sfidat kryesore, me të cilat përballet Bashkia e re dhe si mendoni t’i adresoni ato?
Sfidat e mirëqeverisjes në kushtet e një problematike të akumuluar për dekada me radhë janë gjithnjë të shumta e të vështira. Çdokush do të ndjehej keq duke dëgjuar këto problematika, sidomos të fushës sociale, përballë të cilave do të duhej të kishe fuqinë e çudibërësit për t’i zgjidhur. Halli-hallit asnjëherë nuk i ngjan. Por shpesh më ndodh të gjej të përbashkëtën mes tyre, atë që shpesh ka ardhur për mosfunksionimin e niveleve të qeverisjes, për spekulime me detyrën dhe me besimin e marrë prej njerëzve në vite dhe për bërjen e veshit të shurdhër përpara halleve të përbashkëta, të komuniteteve që bëjnë popullsinë e Sarandës, të Ksamilit, apo të fshatrave që janë sot pjesë e kësaj Bashkie.
Duke ndjerë njëlloj si ata, mungesat që përjetojnë për shkak të mosqeverisjeve të kaluara, them se janë ata që më kanë ndihmuar të identifikoj dhe të vendos përparësitë në radhën e gjërave që duhen zgjidhur. Në këtë kuptim, mund të flas lehtësisht për sfidat e mia, të cilat e di mirë, nuk janë lehtësisht të arritshme. 8 mijë depozitat që i shoh çdo mëngjes në tarracat e pallateve, janë një realitet që dua ta ndryshoj dhe kjo është një nga sfidat e mia.
Një sfidë e dytë, është që Saranda të prezantojë thelbin dhe profilin e vet turistik qysh sa hyn në të. E them këtë, pasi pjesa hyrëse nga Ura e Gajdarit e deri sa të shfaqet deti, kur zbret Qafën e Gjashtës është si një shkarravitje mbi bukuritë dhe ofertën turistike që gjen në brendësi dhe në asetet akomoduese e klimën mikpritëse, që realisht Saranda përfaqëson.
Të tretën do të rendisja sfidën e parkimeve të munguara në Sarandë. Është një ngërç që vazhdon të krijojë vështirësi në qarkullim ende pa nisur mirë sezoni veror. Lehtësimit të situatës së rënduar me parkimet, i kemi ndihmuar duke vendosur për herë të parë këtë verë parkimet me pagesë në rrugët kryesore, duke shpresuar se kjo do të kufizojë nxjerrjen e automjeteve nga vendasit, që nuk e kanë të domosdoshme, pasi Saranda, me gjithë rritjen dhe zgjerimin e viteve të fundit, mbetet një qytet që përshkohet edhe më këmbë pa u lodhur. Sigurisht që kjo është një masë në ndihmë të pushuesve dhe për t’u ndjerë sa më mirë ata. Por gjithsesi, zgjidhja e duhur dhe kapitale është investimi për parkime vertikale apo të nëndheshëm, përveç atyre që ka nisur të aplikojë në mjaft raste ndërtuesi privat në objektet e veta dhe që bashkia po inkurajon. Të tria këto sfida, kërkojnë këmbënguljen tonë si qeverisje vendore, që duhet mbështetur edhe nga qeverisja qendrore.

A mund të na sillni një rast kur dëgjesat publike kanë sjellë ndryshim në një projekt të bashkisë?

Jo shumë ditë më parë, organizuam një dëgjesë publike për projektin e shkallareve të Sarandës, si element që përbën një nga identitetet dhe karakteristikën dalluese për këtë qytetet. Është një projekt i mbështetur nga Banka Botërore dhe Ministria e Zhvillimit Urban e FSHZH. Në vlerësimin e specialistëve tanë, urbanistë e arkitektë të disa brezave këtij projekti iu bënë qortime, që u konsideruan të arsyeshme edhe nga autorët. Unë vetë inkurajova shprehjen e çdo mendimi dhe opsioni alternativ për projektin, pasi ne, njerëzit e këtij qyteti, jemi ata që e shohim atë nga brenda dritares, ndërkohë që duhet çmuar edhe vështrimi nga jashtë-brenda. Sigurisht që të gjitha palët u ndjenë mirë, pasi këshillimi me publikun dhe dëgjesa ishte mjaft aktive dhe mjaft rezultative, përderisa projektuesja u shpreh se idetë më interesante dhe vërejtjet më të qenësishme, do të reflektohen në versionin përfundimtar të draftit.
Saranda është aktualisht një qytet turistik, që ka mungesa të vazhdueshme të furnizimit me ujë. Çfarë po bëhet në këtë drejtim?
E gjeta Sarandën të mbërthyer në një statistikë që të skandalizon në administrimin e ujit: 70 për qind e tij shpërdorohej dhe 30 për qind përdorej. I kemi hyrë punës me ambicien për ta përmbysur këtë raport, për të mbërritur tek humbjet zero. Krijuam infrastrukturën teknologjike me rrjetin e ri të ujësjellësit; kemi vendosur në punë edhe dy depo të mëdha, me kapacitet 1 mijë m3 secila, ndërkohë që së afërmi do të shtohet edhe një depo e tretë e re, e kapacitetit mbajtës 2 mijë m3 të tjera. Në këtë mënyrë, po trefishojmë kapacitetet depozituese të ujit, që të mos ketë nevojë ta rezervojë ujin çdo familje në depozita personale.
Investimet e kryera në këtë drejtim kanë bërë që të nxjerrim nga harta e zonave të pambuluara me shërbimin e furnizimit me ujë, edhe banesat më skajore apo blloqe të tëra pallatesh, që prej vitesh e siguronin ujin nëpërmjet autoboteve. Ndërkohë, duhet thënë se kemi prekur një shtim të dukshëm të kohës së furnizimit me ujë për të gjithë banorët, të ardhur nga mënjanimi i lidhjeve dyfishe, nga minimizimi i humbjeve, përmes kontrollit më të mirë të përdorimit të ujit në lavazho, në pishina hotelesh etj. Në dhjetor të këtij viti hyn ky investim do të arrijë në fundin e tij dhe kjo do të shtojë kapacitetet ujëmbajtëse, që japin mundësinë e manaxhimit më të mirë të rezervave ujore në çdo periudhë të vitit e sidomos në stinën e verës, kur nevojat për ujë të pijshëm tre dhe katërfishohen.
A mund të na jepni një listë me investimet publike që aktualisht po kryhen në bashkinë Sarandë?
Janë disa investime publike, në përfundim të të cilave Saranda dhe Ksamili do të jenë qendra që ofrojnë kushte më cilësore për të banuar dhe pushuar. Ato pritet të përmirësojnë dukshëm infrastrukturën rrugore dhe atë turistike në një vështrim më të gjerë, apo krijojnë kushte për një standard të ri shërbimesh. Do të përmendja investimin që përfaqëson një rikonceptim dhe rivitalizim të qendrës së qytetit të Sarandës. E këtu kam parasysh rrugën që vjen direkt mbi shëtitoren, që mban emrin “Rruga e Flamurit”. Po kështu, në fokusin e qeverisjes vendore ka qenë dhe mbetet tregu i suvenireve, që i ka dhënë fund imazheve joturistike, që shfaqeshin para çdo vizitori që shëtiste në shëtitore.
Një investim madhor për Sarandën është ai për një kompleks arsimor dhe social, të njohur me emrin ECO-Kampus, në zonën më të re të banimit në këtë qytet, në afërsi të ish-vilës qeveritare. Ndërtimi dhe asfaltimi i Rrugës numër 5, në lotin 2 dhe 3 të saj, është një tjetër investim me rëndësi për funksionimin e Sarandës si një qytet me infrastrukturë turistike.
Me ndikim të ndjeshëm në furnizimin e Sarandës me ujë do të jetë investimi për zëvendësimin e tubacionit te ujësjellësit nga stacioni i pompimit Vrion deri në rezervuarin e qytetit. Ndërkohë, do të ndërhyhet për përmirësimin e rrjetit te ujerave te zeza nga Hotel “Butrinti” deri te Kanali i Çukës. Rehabilitim në rrjetin e kanalizimit të ujërave të ndotura do të kryhet edhe në zonën e poshtme të qytetit të Ksamilit, që ka qenë problematike për banorët dhe pushuesit.
Çfarë po bëhet për promovimin e turizmit nga ana e bashkisë?
Nuk ka dyshim se promovimi i asaj që është Saranda, përbën një ndër detyrat tona të shtëpisë. Jemi përpjekur që qyteti i Sarandës dhe i tërë rajoni me përparësi turizmin, të jenë më të pranishëm dhe më të publikuar në mediat rajonale, kombëtare e deri në ato të Kosovës.
Saranda dhe Ksamili, si destinacione turistike, ka qenë ndërkohë në interesin e mediave greke dhe italiane, si dhe në media kroate në Opati, ku ne kemi shkëmbime përvojash turistike e kulturore, edhe për shkak të pranisë së komunitetit shqiptar atje.
Në shërbim të njohjes dhe promocionit të aseteve tona turistike kemi vënë edhe marrë-dhëniet tona të binjakëzimit, si dhe kontaktet e reja me bashki homologe në rajon, ku do të veçoja Korfuzin, Igumenicën dhe Janinën. Mendoj se kemi vlerësuar çdo moment dhe hapësirë për të folur dhe promovuar atë që të gjithë janë të interesuar të dinë “Çfarë është Saranda për turistet e kësaj vere?”
Me mundësitë tona modeste kemi bërë të njohur performancën më turistike të Sarandës dhe Ksamilit. Po kështu, faktin që gjen një mobilim të ri të hapësirave publike, pasi mendoj që i kemi kthyer ato realisht në publike. Turisti, sidomos ai i huaj, është me i orientuar për vendin ku gjendet, pasi sinjalistika flet më shumë. Por edhe infrastruktura rrugore është në standard më të mirë.
Mirëseardhjen e Sarandës e merr qysh në Urën e Gajdarit, në atë që për ne është një nga portat hyrëse tokësore që kemi. Slogani ynë i kësaj vere “Saranda 3D: Diell-Det-Dashuri”, mendoj se flet mjaftueshëm për tre prej dimensionet që Sarandën e bëjnë tërheqëse dhe të kërkuar për t’u vizituar, për të pushuar dhe për t’u zbuluar.
Pjesë të promocionit tonë kemi bërë edhe garën e brendshme që ne ndjejmë për të qëndruar në tregun e turizmit me dy elemente me cilësi shërbimi dhe me çmime që konkurrojnë.
Ne llogarisim si një rezervë të madhe në shërbim të promovimit të vlerave dhe aseteve tona turistike edhe bashkëpunimin më të ngushtë insitucional, që kemi vendosur me Agjencinë Ko-mbëtare të Turzimit. Saranda dhe Ksamili, si dy destinacione turistike që po bëhen gjithnjë e më të kërkuara, mund të themi se tashmë janë edhe në fokusin e veprimtarisë së AKT. Ne programojmë të kemi në vijimësi partneritet dhe bashkëpunime të dobishme, der për të siguruar prani në Panairet Ndërkombëtare të Turizmit.
Me siguri që të gjitha në kompleks do të na ndihmojnë për të prekur ambicien tonë, që kufijtë e sezonit veror të kapërcehen drejt zgjerimit, deri në bërjen e vitit turistik.

 


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.