Bujar Leskaj tërhiqet nga Partia Demokratike: “Do lë mandatin për t’i hapur rrugë brezit të ri politik”

03/11/2510:38

Shperndaje:

Bujar Leskaj tërhiqet nga Partia Demokratike: “Do lë mandatin për t’i hapur rrugë brezit të ri politik”

 

Deputeti Bujar Leskaj ka bërë të ditur tërheqjen e tij nga Partia Demokratike, menjëherë pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 11 majit. Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, ai thekson se raporti ekspozon devijime serioze nga standardet demokratike, duke e cilësuar procesin zgjedhor si “një garë të pabarabartë dhe të manipuluar”.

 

Sipas Leskajt, raporti është një pasqyrë e qartë e krizës së thellë politike në vend dhe një alarm për domosdoshmërinë që Partia Demokratike të reflektojë. “Ky është momenti që PD të kryejë një analizë të thellë dhe një reformim të gjithanshëm të vetes. Duhet të rikthehemi te parimet e fillimit, te transparenca, llogaridhënia dhe përfshirja e bazës”, shkruan ai.

 

Bujar Leskaj: Kryetarët e Degëve të PD-së nuk duhet të dorëhiqen – çdo ndryshim i këtij parimi cënon frymën demokratike

 

Në mesazhin e tij, Leskaj shkon edhe më tej duke paralajmëruar një akt personal simbolik: “Pas dy vitesh do të lë mandatin tim të deputetit tek kandidati pasardhës në listë, për të inkurajuar rinovimin, për të motivuar deputetët e rinj dhe për të sjellë një frymë të re në politikë.”
Ai nënvizon se ky gjest duhet të ndiqet nga të gjithë deputetët aktualë të PD-së, si një formë e hapjes dhe frymës së re që duhet të karakterizojë partinë në të ardhmen.

 

Leskaj thekson se PD duhet të përballet me vetveten dhe të analizojë me sinqeritet shkaqet e humbjes. Ai propozon një analizë të detajuar “SËOT” (forcat, dobësitë, mundësitë dhe kërcënimet), për të kuptuar se ku gaboi partia dhe si mund të rifitojë besimin e qytetarëve. “Duhet një planifikim i qartë dhe i ndershëm për të korrigjuar gabimet e bëra. Vetëm kështu mund të ndërtohet një PD e besueshme”, shton ai.

 

Në shkrimin e tij, deputeti rikujton frymën e viteve 2021–2022, kur nisi procesi i rithemelimit të Partisë Demokratike, duke bërë thirrje për rikthim te parimet që i dhanë energji të re forcës opozitare. Ai kërkon që përzgjedhja e drejtuesve dhe strukturave të reja të bazohet te vota e bazës dhe transparenca e plotë. “PD duhet të jetë më pranë njerëzve, më shumë në terren, duke dëgjuar hallet e qytetarëve dhe duke u bërë zëri i tyre i drejtpërdrejtë”, nënvizon ai.

 

Leskaj kërkon që në procesin e rinovimit të PD-së të përfshihen më gjerësisht shoqëria civile, ish të përndjekurit politikë, studentët e dhjetorit ‘90, si dhe forumet rinore e të grave. Ai e sheh këtë si mënyrën më të mirë për të krijuar një strukturë të shëndetshme politike, të lidhur fort me idealet e demokracisë dhe lirisë.

 

Në përfundim, deputeti demokrat thekson se objektivi kryesor i PD-së duhet të mbetet organizimi i zgjedhjeve të parakohshme, por “pa Edi Ramën kryeministër”.
Ai kërkon një reformë të thellë zgjedhore dhe territoriale, që të garantojë konkurrencë të ndershme dhe lista 100% të hapura, si mënyrë për të rikthyer besimin e qytetarëve tek procesi demokratik.
Leskaj e cilëson idenë e parlamentit me dy dhoma si të panevojshme dhe të dëmshme për sistemin politik shqiptar.

 

Bujar Leskaj e quan këtë moment “më të rëndësishmin në 35 vitet e pluralizmit”, duke i bërë thirrje demokratëve që të kalojnë “nga fjalët në veprime konkrete” për të rikthyer besimin dhe për të ndërtuar një Parti Demokratike moderne, të fortë dhe të hapur ndaj brezave të rinj.

 

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

in sarandaweb

 


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Gola dhe spektakël në Sarandë: Butrinti fiton 3-2 ndaj Tomorit – VIDEO
Butrinti – Tomori drejtpërdrejt në Saranda Web,  të hënën më 3 nëntor në orën 13:00
Bujar Leskaj tërhiqet nga Partia Demokratike: “Do lë mandatin për t’i hapur rrugë brezit të ri politik”
Ksamil/ Kishte ardhur disa ditë më parë nga Greqia, 46-vjeçari gjendet i vdekur
Fisnik Selmani rrëfen vitet e punës mësues në Stjar, Delvinë – VIDEO
Bilal Xhaferi – 90 vjet nga lindja e poetit të Çamërisë

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.