
Baza detare e Sarandës nën hetim të thelluar nga SPAK, në fokus kontratat dhe siguria kombëtare
Artur Meçollari: Baza detare e Sarandës nën hetim të thelluar nga SPAK, në fokus kontratat dhe siguria kombëtare
Ish-zv.komandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, ka bërë një reagim publik ku njofton se të gjitha bazat e Forcës Detare, me përjashtim të ishullit të Sazanit, ndodhen aktualisht nën hetim të thelluar nga SPAK. Në fokus të veçantë janë bazat detare të Sarandës dhe Shëngjinit, të cilat sipas tij janë vendosur nën “sekuestro preventive” nga vendimet e disa gjykatave, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese.
Meçollari thekson se në prill të vitit 2025 janë mbushur katër vjet që prej regjistrimit të dy kallëzimeve të tij penale në mars të vitit 2021. Sipas tij, përgjatë gjithë kësaj periudhe, SPAK ka përsëritur të njëjtën përgjigje zyrtare duke deklaruar se çështjet ndodhen ende në fazën e “hetimit paraprak”.
Në shkresën më të fundit nga SPAK, firmosur nga prokurorja Manjola Kajana, e cila po ndjek të dy çështjet hetimore nr. 108/2021 dhe 109/2021, thuhet:
“Deri në këtë moment, janë kryer një numër i lartë veprimesh hetimore, si dhe për shkak të natyrës komplekse të hetimit, vlerësojmë se ende duhet të kryhen një seri veprimesh të tjera hetimore”.
Megjithatë, SPAK nuk ka dhënë ende një përgjigje konkrete për pyetjen e Meçollarit nëse afatet proceduriale të hetimit janë tejkaluar dhe, nëse po, cilat janë argumentet ligjore që mbështesin këtë vonesë.
Sipas Meçollarit, në kuadër të këtyre hetimeve janë marrë në pyetje nga SPAK një numër i madh zyrtarësh të lartë, përfshirë politikanë, ish-ministra, ish-shefa të Shtabit të Përgjithshëm të FA, si dhe ish-komandantë dhe komandantë aktualë të Forcës Detare.
Sekuestro për bazat detare
Me vendim të katër gjykatave, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, është vendosur “sekuestro preventive” për bazën detare të Sarandës, me një sipërfaqe prej 5.2 hektarësh, dhe atë të Shëngjinit. Vendimi për bazën e Sarandës është marrë me argumentimin se është cënuar siguria kombëtare, janë kompromentuar marrëdhëniet me NATO-n, dhe është dëmtuar operacionaliteti i Forcës Detare.
Kryeministri Edi Rama, nga ana tjetër, ka konsideruar këto vendime të gjykatave si “absurde” dhe “skandaloze”.
Kontrata koncesionare me kompaninë “Marina Limion” është referuar në SPAK nga vetë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Bajram Begaj, ndërsa zaptimi i pronës në Porto Romano është përfshirë në hetime kryesisht nga SPAK.
Çfarë përfshijnë dosjet hetimore?
Dosja nr. 108/2021 përfshin:
- Lidhjen e kontratës me kompaninë “Marina Bay Saranda”, për dhënien me qira 1 euro për 20 vjet të bazës detare të Sarandës, nga Ministria e Financave;
- Lidhjen e kontratës koncesionare me kompaninë “Marina Limion”, në bazën detare të Sarandës, nga Ministria e Infrastrukturës;
- Dorëzimin e bazës detare të Sarandës kompanisë “Marina Bay Saranda” nga Komanda e Forcës Detare;
- Lejimin e zaptimit, ndërtimit pa leje në pronë publike dhe shkatërrimit të monumenteve kulturore dhe historike në pronën prej 5.2 ha të Forcës Detare nga porti MBM në Porto Romano.
Dosja nr. 109/2021 përfshin:
- Lejimin e ndërtimit të një godine 4-katëshe në bazën detare të Shëngjinit;
- Tentativat e administratës së viteve 2016 dhe 2017 për të nxjerrë nga Plani i Veprimit të Forcës Detare 133 ha toka ushtarake në katër baza: Shëngjin, Kepi i Palit, Pashaliman dhe Porto Palermo – në kundërshtim me ligjin.
Reagimi i Meçollarit hedh dritë mbi një prej çështjeve më të ndjeshme që lidhet me përdorimin e pasurive strategjike të ushtrisë dhe përfshirjen e institucioneve të larta shtetërore në vendimmarrje me pasoja për sigurinë kombëtare. Pavarësisht se hetimet kanë hyrë në vitin e katërt, përgjigjet zyrtare vazhdojnë të mbeten të paqarta, ndërsa opinioni publik dhe vetë kallëzuesi vijojnë të presin drejtësi.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit





Suvenire

PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 6
27/05/2520:56

Kalaja Veneciane në Butrint, punim në rërë nga Agur Kapo
27/05/2520:56

PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 10
27/05/2520:56

PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 14
27/05/2520:56

Anija Liburna, punim në dru nga Agur Kapo
27/05/2520:56
