Akademikët shqiptarë të diasporës reagojnë për protestat: Të rinjtë duhet të kërkojnë ndryshime pa frikë, institucionet të mbajnë përgjegjësi!

Akademikët shqiptarë të diasporës reagojnë për protestat: Të rinjtë duhet të kërkojnë ndryshime pa frikë, institucionet të mbajnë përgjegjësi!
Akademikë dhe studiues shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit kanë publikuar një deklaratë të re, në të cilën shprehin solidaritetin me studentët dhe qytetarët protestues në Shqipëri, duke kërkuar respektimin e të drejtave demokratike, hetim të pavarur të përdorimit të forcës gjatë protestave nga policia dhe përgjegjësi konkrete nga institucionet shtetërore.

Në deklaratën e publikuar më 18 tetor 2026, akademikët theksojnë se protestat nuk duhen parë si reagim ndaj një ngjarjeje të izoluar, por si shprehje e një pakënaqësie të thellë shoqërore, të shkaktuar nga dështimet e përsëritura politike dhe institucionale.

“Asnjë familje nuk duhet të presë me frikë kthimin në shtëpi të një të riu që ka dalë në protestë për të kërkuar një të ardhme më të mirë”, thuhet në deklaratë.

Akademikët shqetësohen për dhunën e policisë, dhe kërkojnë shqyrtim serioz, të pavarur dhe transparent të pamjeve dhe dëshmive të publikuara lidhur me përdorimin e forcës nga policia. Sipas tyre, duhet të vlerësohet proporcionaliteti i ndërhyrjeve dhe përgjegjësia e drejtuesve përkatës.

Një pjesë e rëndësishme e deklaratës i kushtohet krizës së arsimit, kërkimit shkencor dhe perspektivës së të rinjve në Shqipëri. Akademikët paralajmërojnë se nënfinancimi, mungesa e meritokracisë, ndërhyrjet politike dhe mundësitë e kufizuara profesionale janë të lidhura ngushtë me krizën e besimit ndaj institucioneve dhe largimin e të rinjve nga vendi.

Ata i bëjnë thirrje qeverisë dhe klasës politike të kalojnë nga deklaratat e përgjithshme në angazhime konkrete, me masa dhe afate të qarta, veçanërisht për arsimin, shkencën dhe mundësitë e brezit të ri.

Thirrje i drejtohet edhe Bashkimit Evropian dhe Ambasadës së SHBA-së, të cilëve u kërkohet të ndjekin nga afër zhvillimet në Shqipëri, të kërkojnë respektimin e të drejtave demokratike dhe të nxisin llogaridhënien institucionale.

Në përfundim, akademikët nënvizojnë se paqja shoqërore nuk mund të arrihet vetëm përmes ruajtjes së rendit publik, por kërkon drejtësi, institucione që dëgjojnë qytetarët dhe mundësi reale për të ndikuar në vendimmarrje.

“Të rinjve u detyrohemi një Shqipëri ku të mund ta ndërtojnë jetën me dinjitet dhe të kërkojnë ndryshim pa frikë”, përfundon deklarata.

Deklarata është e hapur për nënshkrime nga akademikë dhe studiues shqiptarë jashtë vendit dhe vjen pas angazhimeve të mëparshme publike të diasporës akademike për protestat qytetare, arsimin dhe të ardhmen demokratike të Shqipërisë. Saranda Web

Deklarata e plotë dhe lista e nënshkruesve:
https://diaspora-akademike.org/

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

Rama nxjerr karrige përpara Kryeministrisë: “Hajde uluni”
Lexoni më shumë
1 mijë pedagogë në mbështetje të studentëve: Rama të dorëhiqet, policia të ndalë dhunën
Lexoni më shumë
Policia dhunon protestuesit në oborrin e Katedrales, Kisha reagon: Respektoni vendet e shenjta
Lexoni më shumë
Bebe Rexha shpërndan me miliona ndjekës pamjet e dhunës policore ndaj të rinjve në Shqipëri
Lexoni më shumë
Karburanti GL te Kanali i Çukës kërkon Punonjës karburanti
Lexoni më shumë
Akademikët shqiptarë të diasporës reagojnë për protestat: Të rinjtë duhet të kërkojnë ndryshime pa frikë, institucionet të mbajnë përgjegjësi!
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.