4 premtime të pambajtura, qytetarët të përjashtuar nga vendimmarrja për projektet në Sarandë
4 premtime të pambajtura, qytetarët të përjashtuar nga vendimmarrja për projektet në Sarandë
Në sallën e Këshillit Bashkiak të Sarandës u zhvillua sot takimi konsultues për prezantimin e gjetjeve të raportit të përvitshëm të Faktoje.al, organizatë që për të gjashtin vit radhazi monitoron 10 bashki të vendit për transparencën, procesin e konsultimit publik dhe mbajtjen e premtimeve elektorale.

Takimi, i zhvilluar në orën 10:30, mblodhi përfaqësues të Bashkisë Sarandë, anëtarë të Këshillit Bashkiak, përfaqësues të shoqërisë civile, media lokale dhe qytetarë. Qëllimi ishte që vërejtjet dhe diskutimet e ngritura të përfshihen në raportin përfundimtar.
Por përtej prezantimit teknik të indikatorëve, debati në sallë nxori në pah një kontrast të fortë: ndërsa Bashkia rezulton se përmbush detyrimet ligjore të transparencës, perceptimi i një pjese të qytetarëve është se përfshirja reale në vendimmarrje mbetet e kufizuar.
–
Katër premtime elektorale të vlerësuara si të pambajtura
Në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, Faktoje ka analizuar katër premtime kryesore elektorale për Bashkinë Sarandë. Sipas raportit, të katër këto premtime janë vlerësuar si të pambajtura.
– Premtimi për ndërtimin e një terminali model për autobusët urbanë në hyrje të Sarandës rezulton i papërfunduar, edhe pse afati ishte 14 muaj nga nisja e punimeve. Pas 22 muajsh, sipas raportit, objekti nuk është dorëzuar plotësisht funksional.
– Sa i përket rehabilitimit të rrugës “Gjashtë”, punimet kanë nisur, por kanë pësuar ndërprerje dhe vonesa të konsiderueshme. Për këtë arsye, premtimi nuk konsiderohet i realizuar.
– Edhe ndërtimi i 4 parkingjeve publike, një çështje kritike për një qytet turistik si Saranda, është vlerësuar i pambajtur. Problematika e parkimit mbetet një nga shqetësimet më të dukshme urbane.
– Ndërsa për rehabilitimin e rrugëve të brendshme në qytet, megjithëse janë kryer disa ndërhyrje, raporti thekson se objektivi i premtuar nuk është arritur në mënyrë të plotë.
Ky vlerësim i katër premtimeve elektorale përbën një nga pikat më të rëndësishme të raportit, pasi lidhet drejtpërdrejt me llogaridhënien politike. Nënkryetari i Bashkisë Florjan Sali u shpreh se pengesë për realizimin në kohë të këtyre projekteve kryesisht ka qenë ndërpreja e punimeve përgjatë sezonit.
–
16 indikatorë transparence – përmbushje ligjore
Në të njëjtën kohë, raporti evidenton se Bashkia Sarandë ka përmbushur 16 indikatorët ligjorë të transparencës. Këto përfshijnë publikimin e buxhetit, vendimeve dhe procesverbaleve të Këshillit Bashkiak, njoftimin paraprak të mbledhjeve dhe publikimin e raporteve të zbatimit të buxhetit.
Në aspektin formal, Bashkia është në përputhje me kuadrin ligjor.
Por pikërisht këtu lind pyetja thelbësore: a mjafton përmbushja formale për të garantuar transparencë reale?
–
Debati në sallë: “Publikimi online nuk është i mjaftueshëm”
Ilirjan Gërdhuqi theksoi se publikimi i njoftimeve vetëm në faqen zyrtare nuk garanton informim të plotë. Sipas tij, një pjesë e banorëve, nuk kanë akses në internet. Ai kërkoi që njoftimet të afishohen edhe në stenda publike.
–
Parku fotovoltaik në Heremec dhe 22 votat “pro”
Sofokli Thomari ngriti shqetësimin për projektin e parkut fotovoltaik në Nivicë, duke deklaruar se banorët u penguan nga Policia për të marrë pjesë në mbledhjen ku projekti u miratua me 22 vota pro dhe asnjë votë kundër.
Sipas tij, mungesa e debatit dhe pamundësia e pjesëmarrjes reale të komunitetit krijon perceptimin se vendimet merren pa një konsultim të mirëfilltë dhe këshilltarët bashkiakë votojnë sipas interesave të fshehta.
–
Projektet në qytet pa debat publik
Lefter Nika solli si shembull mbushjen e detit me inerte në zonën e plazhit të Centralit, duke e cilësuar si një ndërhyrje me ndikim të drejtpërdrejtë në mjedis dhe hapësirë publike, për të cilën, sipas tij, mungoi konsultimi i gjerë.
Vasil Dajko ngriti shqetësimin për projektin “Poli i Zhvillimit të Sarandës”. Ai deklaroi se projekti fillestar i Ekokampusit, i menduar si një kompleks arsimor nga kopshte deri në universitet, po ndryshon drejt një destinacioni turistik, pa u zhvilluar një debat i hapur me komunitetin.
Këto deklarata tregojnë se debati nuk është thjesht për publikimin e dokumenteve, por për të ardhmen e zhvillimit të qytetit.
–
Transparencë formale dhe sfida e besimit publik
Takimi në Sarandë evidentoi një realitet të dyfishtë: nga njëra anë, përmbushja e indikatorëve ligjorë; nga ana tjetër, shqetësime konkrete për mënyrën se si merren vendimet për projekte me ndikim afatgjatë në qytet.
Raporti përfundimtar i Faktoje pritet të përfshijë edhe diskutimet e zhvilluara në këtë takim. Por mesazhi që doli nga salla ishte i qartë: qytetarët kërkojnë pjesëmarrje reale, debat të hapur dhe llogaridhënie konkrete për premtimet e dhëna.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
Kalaja Veneciane në Butrint, punim në rërë nga Agur Kapo
17/02/2614:04
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 18
17/02/2614:04
Luani i Butrintit gdhendur në gur, punim nga Agur Kapo
17/02/2614:04
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 11
17/02/2614:04
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 31
17/02/2614:04