3.6 milionë euro për rrugën “Idriz Alidhima” në Sarandë, por pa ndërhyrje në kanalizimet e ujërave të zeza

3.6 milionë euro për rrugën “Idriz Alidhima” në Sarandë, por pa ndërhyrje në kanalizimet e ujërave të zeza

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur tenderin për rikualifikimin e rrugës “Idriz Alidhima” në Sarandë, në një gjatësi prej rreth 2.4 kilometrash, nga rrethrrotullimi i spitalit deri në hyrje të lagjes “Baba Rexhepi”. Projekti parashikon rinovimin e asfaltit, ndërhyrje në trotuare dhe përmirësimin e largimit të ujërave të shiut, ndërsa rrjeti i kanalizimeve të ujërave të zeza nuk do të përfshihet në rikonstruksion.

Fondi limit është 273,471,857 lekë pa TVSH. Duke përfshirë TVSH-në 20%, vlera arrin në 328,166,228.4 lekë, ose afërsisht 3.62 milionë euro. Afati i parashikuar për realizimin e punimeve është 9 muaj. Financimi është përfshirë në programet buxhetore për periudhën 2026–2028, të miratuara nga Ministria e Financave, në kuadër të programit IVR për përmirësimin e aksesit, konektivitetit dhe mobilitetit rajonal e lokal.

Sipas raportit teknik, rruga ka asfalt të konsumuar dhe dëmtime të lidhura edhe me qarkullimin e mjeteve të rënda që kanë shërbyer për ndërtimet e reja përgjatë saj. Problematika paraqesin edhe kunetat ekzistuese, të amortizuara ndër vite, si dhe trotuaret, të cilat në disa segmente janë të ngushta ose mungojnë plotësisht.

Projekti ruan aksin ekzistues të rrugës dhe kuotën e saj, me qarkullim në të dyja drejtimet. Në anën e majtë, nga deti, parashikohet ruajtja e gjeometrisë së trotuarit ekzistues, ndërsa në anën e djathtë synohet ndërthurja e vendeve të parkimit me hapësirat për këmbësorët. Shtrimi i trotuareve do të realizohet me pllaka guri, ndërsa pemët ekzistuese duhet të ruhen në pozicionet e tyre dhe të mos dëmtohen gjatë punimeve.

Një pjesë e ndërhyrjes përfshin sistemin e drenazhimit, i cili, sipas dokumentacionit, paraqet dëmtime dhe nuk funksionon në shumë pika. Në anën e detit do të zëvendësohen tubacionet ekzistuese, do të ndërtohen puseta të reja dhe një kunetë përgjatë gjithë gjatësisë. Në anën e djathtë parashikohet një linjë e re drenazhimi, me tubacione dhe puseta.

Këto punime lidhen me largimin e ujërave të shiut. Për kanalizimet e ujërave të zeza, që shtrihen në aksin e rrugës, raporti teknik përcakton se nuk parashikohen ndërhyrje, përveç ndryshimit të kapakëve të pusetave nëse do të jetë e nevojshme. Pra, rikualifikimi i rrugës nuk përfshin zëvendësimin apo rehabilitimin e këtij rrjeti nëntokësor.

Ndërhyrjet përfshijnë gjithashtu trajtimin e mureve përgjatë rrugës, me veshje me pllaka guri në një pjesë të segmentit dhe ndërtimin e mureve prej guri me lartësi një metër në pjesën tjetër. Projekti trajton edhe nyjet në fillim dhe në fund të aksit, ndërsa shpejtësia e parashikuar e lëvizjes është 40 kilometra në orë. Saranda Web

NDAJE ME MIQTË

NA NDIQNI:

POSTIMET E FUNDIT

3.6 milionë euro për rrugën “Idriz Alidhima” në Sarandë, por pa ndërhyrje në kanalizimet e ujërave të zeza
Lexoni më shumë
Nga Tirana drejt Mamurrasit me 126 doza kokainë, arrestohet 31-vjeçari nga Saranda
Lexoni më shumë
Ndeshja ndaj Patosit, Butrinti ndëshkohet rëndë nga Komisioni i Disiplinës
Lexoni më shumë
PD Sarandë mbledh Kryesinë për protestat në Tiranë, por hesht për problemet e qytetit të vet
Lexoni më shumë
Legalizimet e banesave: si të merrni faturën e truallit online dhe kush përfiton ulje
Lexoni më shumë
8 ligjvënës amerikanë ngrenë zërin për Shqipërinë: Ndalni dhunën ndaj protestuesve, luftoni korrupsionin
Lexoni më shumë

©SARANDAWEB - 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.