Saranda, nje destinacion poetik – Nga Dashamir Malo

10/10/1911:25

Shperndaje:


Thuhet se askush nuk mund t’i ikë historisë së tij, nuk mund t’i shmanget udhës në të cilën, në një farë mënyre, është paracaktuar të shkojë. Për shembull, gjithkush që vjen për çfarëdolloj arësyeje në Sarandë, nuk mund t’i shmanget udhës së poezisë. Sepse poezia është e lidhur përherë me të mirën, me të bukurën. Sepse një nga udhët që të çon në Sarandë është edhe poezia.
Por edhe nëse nuk e di, edhe nëse nuk e ke parë kurrë, edhe pse diku larg teje, kjo nuk do të thotë se e bukura nuk egziston. Kjo shprehje më erdhi ndërmend ndërsa përpiqem të shkruaj diça rreth Takimit Poetik Ndërkombëtar të përvitshëm, që organizon Klubi i Krijuesve Jonianë Sarandë. Edhe pse larg Tiranës, kryeqytetit tonë, në të cilin gëlon jeta, mbahen takime, konferenca, ndodhin ngjarje të përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat i shohim ekraneve, Takimet Poetike të Sarandës tashmë i kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë. Kështu ndodhi edhe me takimin e sivjetëm.
Pikërisht prej datës 27 deri në 29 shtator 2019, në qytetin bregdetar të Sarandës, në mjediset e Hotel “Seiko”, u mbajt për të trembëdhjetin vit rresht, “Trirema e Poezisë Joniane”, aktivitet të cilin e zhvillon Klubi i Krijuesve Jonianë, Sarandë. Në këtë takim morën pjesë poetë nga vende të ndryshme si: Kanadaja, USA, Rumania, Italia, Greqia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Kosova, poetë nga Shqipëria dhe krijues sarandiotë.
Në prag të këtij takimi, nën kujdesin e poetit dhe botuesit Agim Mato, poetëveVangjel Zafirati dhe Dashamir Malo, doli në qarkullim antologjia e poetëve pjesëmarrës. Kjo antologji u botua nga Shtëpia Botuese “Milosao”, Sarandë dhe u mundësua financiarisht me kontributin modest të krijuesve të Klubit Jonian. Pas pritjes së poetëve nga organizatorët, në prag të perëndimit të purpurt të datës 27 tetor, filloi aktiviteti.
Fjala e hapjes u mbajt nga Kryetari i Klubit të Krijuesve Jonianë, shkrimtari dhe publicisti Pajtim Çaushi, i cili shprehu mirënjohje dhe u uroi mirëseardhjen poetëve të huaj, duke u shprehur midis të tjerave se, ndonëse poetët vinë nga vende me kultura dhe gjuhë të ndryshme, arrijmë të komunikojnë kaq bukur me njëri – tjetrin nëpërmjet gjuhës universale, asaj të poezisë.
Pas fjalës së hapjes, përshëndeti poetët përfaqësuesi i Bashkisë Sarandë, zoti Jorgo Mitro. Vlen të theksohet se të gjitha takimet poetike janë mbështetur nga kjo bashki.
Nën drejtimin e moderatorëve Merita Paparisto dhe Dashamir Malo, njëkohësisht poetë që të dy, mbrëmja e parë e takimit ishte e gjitha për poetët e ftuar. Ashtu si edhe antologjia kjo mbrëmje u hap me poetin tonë Xhevahir Spahiu, i cili edhe pse nuk mundi të ishte i pranishëm fizikisht, ishte i pranishëm me poezitë e tij. E para ishte fjala, dhe pikërisht, nga një maturante e Gjimnazit “Hasan Tahsini”, Sarandë, e para u lexua poezia “Fjala” e poetit Xhevahir Spahiu. Ndërkohë nga organizatorët u shpëndanë fletë palosje për poetët e huaj me poezi të Xh. Spahiut në gjuhën angleze. Mandej secili poet lexoi poezi në gjuhën e tij, ndërsa në shqip poezitë u lexuan nga një grup gjimnazistesh, të cilat ishin përgatitur nën kujdesin e aktorit Karafil Shena. Ndër poetët e huaj interpretuan poezitë e tyre: Ruxandra Cesereanu, Rumani, Hristina Komatevska dhe Velina Tsenkova, Bullgari, Loredana Pietrafesa, Nikola Acetura dhe Donato Altromare, Itali, Dhimitris Kanellopulos, Andonis Dh. Skiathas, Kostandino Komianos dhe Vasili Panthis, Greqi, Slavica Sviderska dhe Mihajlo Sviderski, Maqedonia e Veriut, Zade Kuqi Kosovë, Flutura Acka Hollanë- Albania, Merita Paparisto, Kanada –Albania, Amarda Ekmekçiu Hoti, me banim në Athinë, Greqi, Agim Bajrami dhe Vladimir Muca, Durrës dhe Thodhori Baba, Vlorë.
Mbrëmjen e parë u prezantua gjithashtu poezia e Luljeta Lleshanakut, Agim Matos, Albania, Gema Bocardo, Spanjë, Tamara Redkina, Rusi, Sadbere Gagica, Kosovë dhe Lucilla Trapazzo, Zvicër.
Dita e dytë e manifestimit filloi me aktivitetin për poezinë e poetit rumun Mihai Eminescu. Aktivitet i cili u bë në mjediset e Qendrës Kulturore të Bashkisë Sarandë. Profesori i Universitetit të Kluzhit, Rumani dhe njëkohësisht Dekan i Katedrës së Letërsisë Krahasuese, Corin Braga, mbajti kumtesën “Mihai Eminescu dhe poetët kozmologjikë rumunë”. Fjala e tij u ndoq me mjaft interes nga të pranishmit. Këtij aktiviteti padyshim i dha ngjyra dhe shkëlqim edhe interpretimi i poezive të Eminescut në disa gjuhë, nga pesë gjimnaziste.
Programit të aktivitetit nuk mund t’i mungonte edhe vizita e poetëve në qytetin antik të Butrintit. Kjo sepse Butrinti të mban “peng” me magjinë e tij. Nëse shkon qoftë edhe një herë të vetme në Butrint, bën udhën rreth mureve antike të tij mes pyllit të gjelbër, duke hyrë tek Porta e Luanit, mbresat do të të shoqërojnë për gjatë gjithë jetës dhe, brenda teje, udhëtimi rreth asaj bote dhe qytetërimi të lashtë nuk do të mbarojë kurrë. Ndodh njësoj si me poezinë, e cila ka nisur që me fillesat e botës njërëzore (që me lindjen e fjalës) dhe do të vazhdojë sa të rrojë njerëzimi. Janë ato zëra poetësh të lashtësisë që i dëgjojmë ende sapo hyjmë në Amfiteatrin e Butrinit, ku poetët ulen shkallareve të gurta dhe ashtu, pa skenar pa regji, fillojnë lexojnë poezitë e tyre. Kështu ndodhi edhe këtë herë, ndërsa grupe turishtësh të mirëorganizuar, “braktisën ciceronët” dhe u afruan të dëgjonin kumtet e poetëve.
Pas vizitës mbresëlënëse në Butrint, mbrëmjen e dytë u prezantuan me poezitë e tyre, poetët e Klubit të Krijuesve Jonianë; Irena Gjoni, Bardhyl Maliqi, Natasha Xhelili, Vangjel Zafirati, Hekuran Halili, D. Malo, Kostandin Vogli, Kiço Mavro, Vasil Gjivogli, Eleonora Gjoka, etj. Në këtë mbrëmje përshëndeti edhe Miho Gjini, kritik arti, publicist dhe romancier. Ceremonia e mbrëmjes së dytë vazhdoi me shpërndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit në këtë manifestim, për tu mbyllur me një darkë poetike buzë detit Jon. Dhe ja vit pas viti mbritëm tek viti i trembëdhjetë i këtyre festave poetike. Në këto takime ndër vite kanë marrë pjesë rreth 400 poetë, shqiptarë dhe të huaj.
Këto manifestime të poezisë kanë bërë të mundur jo thjesht njohjen e poetëve me njëri  – tjetrin, por ç’është më e rëndesishme kanë mundësuar njohjen e poezisë që lëvrohet edhe në vendet e tjera. Përveç publikimeve të aktiviteteve dhe poezive në rrjetet e komunikimit masiv, të rëndesishme kanë qënë botimet e poetëve tanë në revista letrare greke, bullgare, italiane, spanjolle etj. Ndër to vlen për t’u përmendur botimi, në vitin 2017, në Itali dhe në Shqipëri, i antologjisë poetike Un mare ci unisce (Na bashkon një det), me pjesëmarrjen e 12 poeteve italianë dhe 12 shqiptarë.
 Të siguronim vazhdimësinë e këtij aktiviteti në vite, nuk ka qënë një gjë e lehtë. Së pari ka qënë kontributi dhe mirëkuptimi i krijuesve të Klubit Letrar Jonianë, pasioni dhe puna e tyre edhe pse nuk kanë kërkuar asnjë shpërblim financiar për këtë kontribut. Organizimi i takimeve poetike është realizuar nga krijuesit nën drejtimin e Kryetarëve të Klubit, të Krijuesve Jonianë ndër vite. Edhe poezitë e poetëve të huaj, pjesëmarrës në këto takime, më së shumti janë përkthyer nga poetët sarandiotë Agim Mato, Vangjel Zafirati, Andrea Zarballa, D. Malo etj.
Së dyti ka qënë mbështetja financiare e Bashkisë Sarandë. Ndonëse kjo mbështetje ka qënë në atë masë që ka bërë të mundur plotësimin e nevojat bazike, ajo ka qënë determinante. Që ky aktivitet të mund të kthehet në një manifestim edhe më të gjerë për qytetain dhe rajonin e Sarandës, është e domosdoshme një mbështetje dhe një vëmendje edhe më e madhe e tij nga pushteti vendor, pse jo dhe nga ministritë përkatëse, pasi Saranda tashmë nuk ështe thjesht një destinacion turistik. Saranda nuk të grish vetëm me detin e kaltër, klimën e saj të ngrohtë, ushqimin e shumëllojshëm me me fruta deti. Saranda të grish me bukurinë dhe kulturën e saj. Saranda është një Muzë Poetike më vete. Ja pse Saranda është dhe do të jetë edhe një destinacion poetik!
Ja pse përcjellja e poetëve të ftuar, apo thënë ndryshe, rtuali i përcjelljes së miqve si një traditë e kahershme shqiptare, e cila u krye paraditen e datës 29 shtator nga organizatorët, shënoi mbylljen e sezonit të trembëdhjetë të Takmit Poetik, por jo përfundimin e tij. Takime të tjera poetike më përfaqësuese dhe me përmasa të mëdha do të këtë Muza e Jonit, Saranda.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.