Saranda dhe Ksamili në vëmendje të projekteve te Bankës Botërore

saranda dhe ksamili Kryetarja  e Bashkisë Sarandë zonja Florjana Koka pati sot  takim me një ekip të Bankës Botërore.
Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Bashkisë Sarandë, në cilësinë e ekspertit për turizëm në Bankën Botërore, zoti  Hyun Soo Kal, u interesua për disa nga projektet e cilësuara prioritare për Sarandën. Kryetarja e Bashkisë, zonja Koka, tha se ndërkohë që Saranda është duke përmirësuar rrjetin inxhinjerik të nëntokës së vet, me impakte në furnizimin me ujë të pijshëm dhe në pastërtinë mjedisore, përmes ndërhyjes në rrjetin kanalizues të ujërave të ndotura, qeverisja me vizion e qytetit ka nxitur punën me projekte, për të përmirësuar ofertën turistike si në Sarandë edhe në Ksamil etj.
Sipas zonjës Koka, në top-listën e këtyre investimeve qëndron rikthimi i Sarandës në identitet si qytet i shkallareve të gurta, rikualifikimi i shetitores ekzistuese të Sarandës, vitalizimi iKodrës së Marinës, e cila pritet të kalojë nga Ministria e Mbrojtjes në pronësi të Bashkisë.
“Pjesë e ambicies sonë për të shtuar atraksionet e Sarandës, u shpreh Kryebashkiakja, është edhe një tunel i periudhës së komunizmit, që, me pak investim, mund t’u shtohet pikave të interesit turistik që ka Saranda”.
Të katër këto objekte u pranuan nga ekspertët e BB, si të mundshme për mbështetje investuese. Ndërkaq, me shumë interes u prit nga ana e tyre projekti ekzistues për zgjatimin edhe me 3.5 km të tjera të shëtitores së Sarandës, duke e çuar atë deri në Kanalin e Çukës.
U konsiderua me kosto të lartë dhe jo emergjent investimi për ta lidhur me sistem shkallaresh qytetin e Sarandës me Manastirin e 40 Shenjtorëve, që i ka dhënë emrin. U fol gjithashtu edhe për nevojën për të investuar në përmiësimin e pjesës hyrëse për në Sarandë, e cila, në gjendjen ekzistuese nuk të fton, por të largon. Megjithëse edhe ky investim u konsiderua i nevojshëm, nuk u përfshi në top-listën e investimeve për Sarandën.
Ndërkaq, zonja Koka ka kërkuar që edhe Ksamili të jetë po aq sa Saranda, në vëmendjen e Bankës Botërore.

.