Saranda dhe 40 ministrat…

13/04/1812:23

Shperndaje:


Nga Pirro Naçi
Ndoshta edhe këta mund të shpallen “shenjtorë’’ për legjendat dhe historitë që kanë lënë pas. Por edhe për ‘’besimin’’ dhe ‘’përkushtimin’’ ndaj Sarandës! E fundit ishte ajo e Kulturës. Dy dekadat që kaluan të shumtë ishin ministrat, zv/ministrat apo përfaqësuesit më të lartë të shtetit që erdhën, dëgjuan, panë, mbajtën shënim, premtuan dhe ikën. Problemet në Sarandë nuk kanë të mbaruar. Të trashëguara, por edhe të tashmet, në qytetin ndoshta më të preferuar turistik jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të të huajve. Me një ofertë turistike mjaft të pasur, të larmishme dhe atraktive për ata që janë të pasionuar pas turizmit, historisë dhe natyrës. Nuk po ndalem në gamën e gjerë të problematikës së qytetit sepse ato janë thënë dhe janë shkruajtur disa herë. Dua të veçojë vetëm disa prej tyre. Pak ditë më parë u mbajt një takim midis operatorit turistik të Sarandës me Ministren e Kulturës. Shqetësimi pothuajse i njëjtë, nga viti në vit.
Rruga për te “Manastiri i 40 shenjtorëve”, rruga për në amfiteatrin e Finiqit, rruga për tek burimet e Syrit të Kaltër të Tharopinës, rruga për në kalanë e Lëkurësit, rruga e hyrjes së qytetit,… etj, etj. Shuma e të gjitha këtyre rrugëve ndoshta nuk i kalon të dy shifrat. Por, vlerat dhe vendi që ato zënë në historinë e Sarandës dhe të Shqipërisë, por edhe të zhvillimit të turizmit janë të pallogaritshme. Ajo që më bëri më shumë përshtypje nga takimi, nuk ishte vetëm shqetësimi i operatorëve turistikë për t’i çuar turistët në “manastirin e 40 shenjtorëve”, as mungesa e disa metra rrugë, por diçka më e rëndësishme dhe thelbësore. Ministrja e Kulturës, përgjegjësja kryesore e këtij objekti në konteksin shtetëror, jo vetëm se nuk kishte informacion për investimet e mundshme që duhen bërë apo që mund të bëhen, por nuk kishte idenë se si shkohet dhe nga ku shkohet në “manastirin e 40 shenjtorëve”, objekt me një rëndësi të veçantë ku historia dhe turizmi janë të lidhura në mënyrë të magjishme.
Nuk mund ta kuptojë, përse, operatori dhe sipërmarësi turistik, por edhe deputeti, duhet t’i luten duke bërë “grinjarin” apo “zhurmaxhiun’’ një ministreje apo një ministri për të ‘’përfituar’’diçka që ata i detyron Kushtetuta për ta bërë. Paguhen për këtë punë. Të paktën për Sarandën praktikat e deritanishme me të ‘’deleguarit’’nga lart, me ministratrat përgjegjës për zonën, jo vetëm na kthen në kohë dhe në praktika që i ka kaluar koha, por nuk po japin rezultate që i takojnë një qyteti turistik siç është. Historia e kaq e kaq viteve, që hyn në Sarandë sikur hyn në një vend të botës së tretë lë shumë për të dëshiruar. Qeverisja qendrore as ka pasur, as ka një konceptin të qartë dhe bashkëkohor për të ndihmuar zhvillimin e turizmit në jugun e Shqipërisë. Asnjë koordinim ndërministror, asnjë bashëveprim me qeverisjen vendore për turizmin.
Tre vjet më parë ministri i atëhershëm i Turizmit gjatë ‘’vizitës’’ në qytetin e Sarandës, inspektoi, vendosi dhe ‘’inaguroi’’ sinjalistikën turistike për në Manastirin e “40 shenjtorëve”. Sot kjo tabelë nuk ekziston. Katër vjet më parë u inspektua nga specialistëtë të disa ministrive për të bërë investime, por edhe ato nuk e gjetën dotë rrugën drejt manastirit. Dhjetë vjet më parë Ministri i Turizmit promovonte manastirin e “40 shenjtorëve” me një dokumentar mjaft të kushtueshën, por nuk gjeti dhe hodhi asnjë cent për rregullimin e rrugës që të çon tek manastiri. U projektuan shkallaret që lidhin qytetin me manastirin, asnjë ministri, asnjë qeveri nuk e mbështeti projektin. Midis Bashkisë së Sarandës dhe asaj të Brindizit u nënshkrua një protokoll për restaurimit e manastirit, por edhe për këtë asnjë interes nga institucionet qendrore për të ndihmuar dhe nxitur në realizimin e projektit.
Shumë afër pothuajse ngjitur me manastirin e “40 shenjtorëve” janë ndërtuar antena gjigande të kompanive celulare, por Ministria e Infrastrukturës qëndron indiferente dhe nuk vepron për largimin apo për zhvendosjen e tyre. Këto ditë në Sarandë bëhen investime me projekt të Bankës Botërore tek shkallaret amfiteatrale të qytetit. Opinioni qytetar dhe ai intelektual bie në vesh të shurdhët, nuk i dëgjon njeri. Nuk janë prioritare për Sarandën këto lloj investimesh. Një vit më parë një tjetër bankë hodhi një shumë të konsiderueshme parash për të vendosur në plazhin përgjatë shëtitores së qytetit disa vepra arti në skulpturë të punuara në gurë! Jo se këto vepra nuk janë të mirëpritura, por nuk përcjellin mesazhin e zhvillimit të një turizmi modern dhe bashkëkohor.
E rëndësishme për Sarandën është vendosja e sa më shumë flamujve ‘’Blue Flag’’ në bregdetin e saj dhe investime në infrastrukturë për të hapur plazhe të reja që zonës nga Ksamili deri në Borsh nuk i mungojnë, i ka me shumicë. Në Strategjinë e Zhvillimit të Turizmit deri më 2018 kishte objektiv për vendosje e “Blue Flage” në 20 plazhe të vendit . Në Sarandë asnjë flamur i tillë, por edhe në mbarë vendin. Në draft-strategjinë që po përgatit Ministra e Turizmit (2018- 2022) asnjë fjalë dhe asnjë reagim për objektivin e parealizuar, por edhe për vitet që do të vijnë. Edhe këtë vit, edhe këto ditë, Ministri i Turizmit akoma bën thirje për pastrimin e plazheve! Nuk është kjo detyra e kësaj ministrie.

 


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.