Pakti i detit me Greqinë/ A ndikoi Turqia? Zaganjori “hap letrat” dhe tregon të vërtetën

19/06/2015:31

Shperndaje:


Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori, relatori i çështjes së marrëveshjes së detit me Greqinë, tashmë i larguar nga drejtësia përmes vetingut, hedh poshtë ndonjë ndikim turk në vendimin e kësaj gjykate, për ta rrëzuar me 9 vota paktin për detin.
Në një intervistë për Gazeten “Panorama.al”, zoti Zaganjori, i cili i përgjigjet gazetarit grek Meletis për ndikimin turk në këtë vendim, shprehet se ka qenë vendimi i vetëm i kësaj gjykate për të cilin nuk është kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias dhe që është vlerësuar për kompetencën e argumentuar dhe nga gjykata të tjera europiane.

Zoti Zaganjori, në shtypin e sotëm ka një artikull të përkthyer të gazetarit grek Nikos Meletis mbi marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, në të cilin flitet edhe për ndikimin e Turqisë në vendimin që Gjykata Kushtetuese ka marrë mbi këtë çështje rreth 10 vjet më parë. Ju keni qenë relator i kësaj çështjeje: Ç’mund të na thoni për këtë problem?

Ju falënderoj për pyetjen. Thuhet se gjyqtarët nuk komentojnë vendimet e tyre, por unë tashmë që prej një viti nuk jam më i tillë, prandaj me kënaqësi do të përpiqem t’u përgjigjem pyetjeve që keni. Në fakt, një intervistë mbi këtë temë e kam dhënë rreth katër muaj më parë edhe në “Gazetën Shqiptare”, botuar më 28 janar të këtij viti. Megjithatë, situata sot duket disi e re, ndaj jam i hapur për çdo çështje që mund t’ju interesojë. Artikullin në fjalë sapo e kam lexuar. Është një absurd i vërtetë. Megjithatë, mesazhi që përcillet mbi nevojën e zgjidhjes së këtij problemi më duket i drejtë, i dobishëm e racional. Kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe asnjë hap konkret nuk është ndërmarrë. Ne duhet të ulemi patjetër në bisedime, por ama si të barabartë, të përgatitur e seriozë, duke pasur si busull orientuese të Drejtën e Detit dhe praktikën ndërkombëtare në këtë fushë, të cilat i përcjell shumë mirë edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Duhet të ketë transparencë dhe të thirren ekspertë të fushës, e pse jo edhe të huaj. Nuk mund dhe nuk duhet të luhet me interesat e ligjshme që ka shteti shqiptar mbi këtë çështje. Ne shkojmë e vijmë, por territori i Shqipërisë dhe sovraniteti apo të drejtat sovrane mbi të janë dhe duhet të jenë të shenjtë për këdo.

Dakord, por le të vijmë tek akuzat që bëhen në artikullin e sotëm. Si i shihni këto akuza?

Patjetër, por nuk është hera e parë që krijohen insinuata nga më të paimagjinueshmet rreth këtij vendimi. Teori konspirative e hamendësime pa fund për presione, takime, ndikime, lojë politike apo diplomatike e të tjera, në një kohë që fabula është shumë e qartë dhe shumë e thjeshtë. Është vendim normal i Gjykatës Kushtetuese, në të cilin unë kam qenë relator. Jam përzgjedhur si i tillë nga kryetari i atëhershëm i Gjykatës Kushtetuese, sepse dihet që jam prej vitesh pedagog i së Drejtës Ndërkombëtare dhe njohës i të Drejtës së Detit. Ndër të tjera, në këtë fushë kam punuar edhe gjatë qëndrimit disa herë në Institutin Max–Planck në Heidelberg të Gjermanisë, me të cilin vazhdoj të ruaj kontakte edhe tani. Pikërisht për këtë arsye, larg çdo modestie, mund të sqaroj këdo që vendimi në fjalë prej rreth 70 faqesh është shkruar e argumentuar nga unë. Kolegët natyrisht që kanë dhënë mendime e kanë bërë vërejtje, kryesisht duke kërkuar përmbledhjen, qartësimin apo shkurtimin e vendimit. Dua të them gjithashtu se vendimi është përkthyer në anglisht e gjermanisht dhe se është vlerësuar si mjaft i mirë nga specialistët e fushës. Me është dhënë rasti edhe të referoj rreth tij jashtë vendit dhe më është kërkuar dhe e kam dërguar në adresat e mjaft kolegëve në gjykata të ndryshme të larta e kushtetuese. Për hartimin e tij kam shfrytëzuar gjerësisht materialet e bollshme që kam marrë nga Instituti Max–Planck. Kam shfrytëzuar gjithashtu Konventën e 3-të mbi të Drejtën e Detit (apo Konventën e Montegobait), si dhe jurisprudencën ndërkombëtare në këtë fushë, kryesisht atë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Edhe sot mund t’i them kujtdo se nga ku bazohet çdo paragraf i vendimit të Gjykatës Kushtetuese si në aspektin teorik, ashtu edhe atë të praktikës mes shteteve. Me falni, por mund të shtoj nga ana tjetër se në këtë drejtim kam shfrytëzuar edhe materiale të marra nga Greqia, dhe jo nga Turqia, e konkretisht nga Akademia Detare e Rodosit, e cila është padyshim një nga akademitë me prestigjioze në botë në fushën e të Drejtës së Detit. Le t’i shfrytëzojnë siç duhet të dy palët materialet e kësaj Akademie dhe jam i bindur që problemi i hapësirave detare mes dy vendeve tona zgjidhet shumë mirë dhe shpejt. Edhe një herë ndjesë që u zgjata, por dua të them dhe dua që të dalë qartë se unë, si hartues i vendimit, nuk kam marrë dhe nuk kam shfrytëzuar as edhe një material të vetëm nga asnjë individ apo grup individësh, në Shqipëri apo jashtë saj për çështjen në fjalë. Është i vetmi vendim i rëndësishëm i Gjykatës Kushtetuese për të cilin nuk është kërkuar as amicus curiae dhe as opinioni i Komisionit te Venecias. Prandaj, dua ta siguroj gazetarin Meletis se ndikimi turk në hartimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi çështjen e detit është zero, aq sa mund të ketë pasur edhe vetë ai ndikim tek akuzat që një tjetër Meletis ngriti rreth dy mijë vjet më parë në procesin gjyqësor ndaj Sokratit të famshëm; prandaj, ëndrrat me sy hapur që mund të shohë edhe një fare Yayci, ish-admiral turk në pension, nëse janë thënë prej tij, nuk ka se si të jenë të besueshme për një gazetari serioze.

Por, sipas rreshtave të artikullit të sotëm, ndikimi mund të ketë ardhur edhe indirekt, jo përmes kontakteve në Gjykatën Kushtetuese, por përmes ndihmës dhe bisedimeve që personat në fjalë nga Turqia mund të kenë pasur me Partinë Socialiste.

Vështirë të pranohet një tezë e tillë nga një logjikë normale. Megjithatë, sërish detyrohem të them se, fatkeqësisht, kërkesa e paraqitur nga kërkuesit në Gjykatën Kushtetuese ishte korrekte në këndvështrimin formal, por aspak cilësore në këndvështrimin e së Drejtës Ndërkombëtare. Për më tepër kishte edhe mjaft gabime elementare e konceptuale. Si e tillë, ajo nuk është shfrytëzuar thuajse aspak në vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese. Këto fakte mund të provohen lehtësisht përmes leximit të materialeve që ka dosja gjyqësore.
… PANORAMA.al


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.