Ndryshohet ndërtuesi i tunelit Kardhiq-Sarandë, fitues ofertuesi me 4 mln euro më pak

05/08/1917:30

Shperndaje:


Komisioni i Prokurimit Publik ndryshoi fituesin e tenderit 23 milionë euro për ndërtimin e tunelit në rrugën Kardhiq-Sarandë. Përmes një vendimi të publikuar këtë të hënë KPP rrëzoi rezultatin e shpallur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili ja dha tenderin ofertës më të lartë.

Tenderi, që është pjesë e lotit 7, të rrugës Kardhiq – Sarandë, u zhvillua nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, në 17 qershor të këtij viti. Në garë kanë marrë pjesë 6 kompani, dhe ofertat e paraqitura prej tyre kanë variuar nga 15 deri në 19 milionë euro, pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar.

Autoriteti Rrugor Shqiptar skualifikoi 5 ofertat më të ulëta, pasi sipas tij nuk përmbushnin kriteret teknike duke shpallur fituese ofertën më të lartë, përkatësisht atë të kompanisë italiane IRCOP. Kjo kompani kishte ofruar ta ndërtonte tunelin për një çmim prej 19 milionë euro pa përfshirë tatimin mbi vlerën ose 4 milionë euro më shumë se sa oferta më e ulët.

Por menjëherë sapo Arrsh shpalli fituese kompaninë italiane, vendimi u ankimua në Komisionin e Prokurimit nga një bashkim prej katër shoqërish të kryesuara nga shqiptarja ‘Cobial’. Ky bashkim, i cili kishte ofruar çmimin më të ulët për ndërtimin e tunelit me rreth 15 milionë euro e ankimoi vendimin e Arrsh-së si të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin.

Fillimisht Komisioni i Prokurimeve e pezulloi menjëherë tenderin. Dhe pas shqyrtimit të plotë të dokumentave ka vendosur të pranojë ankesën e kompanive të skualifikuara duke ndryshuar fituesin e tenderit, një vendim që e ul koston e ndërtimit të tunelit me 4 milionë euro.TopChannel


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.