Kuvendi i Besës në Senicë

22/03/1612:57

Shperndaje:


Kuvendi i besës në Senicë ishte Kuvendi i besës së burrave, i mbledhur në Senicë  më 1770
Kuvendi udhëhiqej nga plaku i urtë e i mençur Idriz Sulli që kapedanët, agallarët dhe bejlerët e kohës në të gjitha trevat i drejtoheshin me fjalët “Ati ynë”. Senica, nga pozicioni gjeografik, ka qenë dhe mbetet pikëlidhja e zonës me trevat e tjera fqinje. Në Senicë shkonte rruga e karvaneve të zonave, me han ku udhëtarët tregtar kalonin natën e të nesërmen shkonin në Delvinë e Vurg për blerje e shkëmbime mallrash.

Senica ishte i vetmi fshat që nuk ndërroi besën dhe sot ka gurin e besës dhe shpellën e besës. Kuvendi i Senicës, ky tubim burrash me emra të dëgjuar të kohës, u quajt ndryshe edhe, “Palcimi (pajtimi) i Senicës”, ose “Besëlidhja e Senicës”. Ai u mbajt në një fshat me popullsi autoktone dhe nga masa e popullit. Iu vu edhe emri tjetër, “Palcimi i Senicës”. Pasi, qëllimi kryesor i tij, ishte lënia një herë e përgjithmonë i gjaqeve e hasmërive, përçarjeve në emër të fesë nga të huajt… Si dhe zëvendësimi i tyre me të tjera detyrime me karakter moral dhe material.


Në periferi të fshatit Senicë, te shkëmbi i kishës që i thonë, në dy kamare të zgjedhura posaçërisht, u vunë për betimin e pjesëmarrësve. Në njërën kamare Ungjilli, simbol i të krishterëve. Në kamaren tjetër u vu Kurani, simboli i pjesëmarrësve myslimanë. Kjo gjetje ishte pjesë e mençurisë së burrit të urtë, Idriz Sulli… E cila do t’i sillte një mbarësi të padëgjuar atij kuvendi të lartë patriotik.

Përfaqësuesit në Kuvendin e Senicës erdhën nga Delvina, Fushëbardha, Zhulati, Filati. Smokthina, Himara, Vunoi, Qeparoi, Borshi, Piqerasi, Shuvasija, Nivica. Tatzati, Kalasa, Kardhiqi, Lukova, Lunxhëria. Një pjesë themelore se nga vinin delegatët del edhe përmes vargëzimit popullor: “… Gjëmon vendi nga oshtima,/Vijnë kalorës, vijnë trima,/Nga Himara, nga Smokthina,/Nga Labova nga Delvina…”.

Pjesëmarrës në Kuvendin e Senicës ishin nga të gjitha rrethinat e kazatë e Jugut të vendit, që nga Lumi i Vlorës e deri në Çamëri. Por pjesëmarrjen më të saktë e sjell vargu i këngës, kushtuar atij organizimi të pazakonshëm: Kristo Koka nga Vunoi. Jani Milo nga Himara. Spiro Gjika nga Qeparoi. Miho Gjini nga Piqerrasi. Qesko Hila nga Lukova. Hajdin Shehu nga Kalasa. Stefan Prifti nga Shënvasia. Kolë Mili dhe Jano Kumia nga Nivicë – Bubari. Dajkua i Lëkurësit. Bedo Hodo nga Borshi. Demir Dosti nga Kardhiqi. Kostë Prifti nga Senica. Toto Rusha nga Progonati. Idriz Sulli nga Zhulati. Osman Sina nga Tatzati. Sheh Sejkati nga Filati i Çamërisë. Dalani nga Konispoli. Kallapodhi i Delvinës. nga Smokthina e Vlorës, Zoto Mahmuti. Igumeni i Katerinës – Çamëri. Allajbeu i Navarricës, e mjaft të tjerë, të cilëve, kënga s’ua zë emrat në gojë.

Fakti që Kuvendi u mbajt në një fshat që i përkiste jo mysliman siç ishte fshati Senicë. Megjithëse sikurse thotë Faik Konica, i cili analizon realitetin shqiptar shprehet se: “Në Shqipëri ka ekzistuar toleranca fetare dhe është i vetmi vend i Evropës, ku nuk ka pasur luftëra fetare”. Besimi kristian me pjesëmarrjen e gjerë edhe të përfaqësuesve nga shumë fshatra që ishin kthyer në shekujt e sundimit osman në besimin mysliman, ishte me rëndësi politike kombëtare. Ai dëshmoi për tolerancën e madhe fetare që ekzistonte në Labëri… Dhe njëkohësisht për qëndrimin e vendosur patriotik të popullit në mbrojtje të zakoneve e të traditave të tij.

Me guxim e vendosmëri ai përballoi politikën shtypëse të pushtuesve osmanë, propagandën presionet e intrigat e Patriarkanës së Stambollit, politikën nacionaliste ekstremiste të shovinistëve fqinjë e të kishës ortodokse greke, për të përçarë e prishë harmoninë fetare për bashkëjetesë të banorëve të këtyre krahinave. Pikërisht për këto arsye marrjen e vendimit të përbashkët të Kuvendit populli e quajti: “Në Senicë u bë palcimi” dmth. pajtimi, bashkimi. Krahas së drejtës zakonore vepronte edhe e drejta kishtare përsëri në këtë ngjarje del qartë se e drejta zakonore zbatohej në praktikë pa u shkrirë me të drejtën kishtare e Sheriatin.

Kuvendi i besës në Senicë vërteton më së miri atë platform emergjente të rilindjes kombëtare se: “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Në Këtë kuvend u lidh besa dhe në kamare u vendosën si bible dhe kurani… Ku u dha besa për mbrojtjen e të drejtave pa dallim feje. Këto ligje të pashkruara ishin të njëjta për të gjithë… Pavarësisht nga përkatësia e besimit fetar, ndryshimi i fesë nuk kishte sjellë pengesë në zbatimin e së drejtës zakonore në Labëri… Por ishte në harmoni me ndjenjat individuale të besimit fetar.

Kuvendi i Senicës, me rëndësi të veçantë historike diskutoi shumë probleme që kërkonin zgjidhje të ngutshme shoqërore dhe vendosi: “1. Ruajtja e tërësisë së trojeve e sinorëve prej sulmeve të herëpashershme të armiqve; 2. Ndërtimi i jetës dhe i punës jashtë rregullsisë së ligjeve perandorake osmane; 3. Rregullimi i marrëdhënieve ndërfisnore mbi bazën e pleqësive e mençurive të lashta, 4. Kapedanët e krerët patriot vendosën mbi të gjitha palcimi (pajtimi) ndërnjerëzor, jashtë zakoneve të egra e ndasive fetare… Si dhe shumë rregulla të tjera të karakterit shoqëror”.

Një ndër problemet shqetësuese që njihet historikisht si fenomeni mizor i gjakmarrjes në tërë trevat në Shqipëri, që nga lashtësia e deri në ditët tona ishte pengu më i rëndë ajo e shuarjes gjakmarrjes që çonte në shuarjen me rrënjë e degë të atij fenomeni gjakësor, shfarosës njerëzish, veçanërisht të gjinisë mashkullore.

Gjenezat e gjakmarrjeve ishin të klasifikimeve të ndryshme, që nga ato me karakter ekonomik e shoqëror e deri tek ato të ndasive fetare, një konflikt tepër i vështirë, që, në shekuj kishte vënë përballë jo vetëm fise e fshatra, por edhe krahina të tëra, duke shkaktuar gjëma e tragjedi. Tragjizmi i këtyre gjakmarrjeve e kishte kaluar me kohë cakun e mbijetesës të meshkujve të mijëra e mijëra familjeve shqiptare. Por debatet rreth gjakmarrjes dhe nxjerrja e sharteve do të bëhej tre vjet më vonë në Kuvendin tjetër që do të drejtohej po nga Kanunlliu i njohur Idriz Sulli në Taroninë.

.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.