Kalaja trekëndore në hyrje të Vivarit

Kalaja e Ali Pashës ndodhet në bregun e majtë të kanalit të Vivarit, në Butrint, Sarandë. Kalaja i përket periudhës së mesjetës. Në kala dallohen katër faza kryesore ndërtimi. Nga ana e jashtme e kështjellës, pranë murit perëndimor të saj ka qenë ndërtuar në një kohë të vonë një rrethim katërkëndësh, muret e të cilit mbështeteshin në dy prej kullave. Sipas shënimeve të një oficeri francez të ushtrisë së Napoleonit, dëshmitar okular i ngjarjeve, më 25 tetor 1797, për ta bërë fortesën të papërdorshme nga ushtritë shqiptare të Ali Pashë Tepelenës, francezët u vunë zjarrin dy kullave të saj, ndërsa tjetrën e hodhën në erë. Kështjella ka formë planimetrike trekëndëshe, me gjatësi brinjësh rreth 50 m. Në të tria këndet ka kulla të rrumbullakëta, prej të cilave ajo e qoshes jugperëndimore ruhet në lartësinë e plotë. Kështjella ka dy hyrje. Hyrja kryesore hapet në mesin e murit jugor ndërsa një tjetër, e dorës së dytë, në murin verior, pranë një kulle. Muret në pjesën më të madhe, ruhen në lartësinë e plotë dhe kurorëzohen nga një parapet me lartësi 1,5 m i përshkuar nga frëngji të shumta. Në shtegun e rojeve të çon një shkallë e mbështetur në faqen e brendshme të murit jugor, pranë hyrjes kryesore. Në pjesën e brendshme të kështjellës, një sërë kthinash njëkatëshe, të mbuluara me qemerë cilindrikë i janë mbështetur krejt murit perëndimor si dhe një pjese të murit jugor. Thuajse në mes të oborrit të saj ndodhet dhe një ndërtim me planimetri rrethore i mbuluar me kupolë sferike, pa dritare dhe vetëm me një portë të vogël. Ky ndërtim ka shërbyer, me sa duket, në periudhën turke si depo baruti. Ndërsa nga ana e jashtme e kështjellës, pranë murit perëndimor të saj ka qenë ndërtuar në një kohë të vonë, një rrethim tjetër katërkëndësh, muret e të cilit mbështeteshin në të dyja kullat e kësaj ane. Në fazën e saj fillestare, që datohet rreth fundit të shek. XIII-shek. XIV, kështjella përbëhej nga një mur me trashësi 2,30 m, i cili rrethonte një territor në formë trekëndëshi të rregullt, me qoshe të rrumbullakosura. Ai përshkohej nga dy breza frëngjish, ku ato të brezit të poshtëm përshkojnë gjithë trashësinë e murit, ndërsa ato të sipërmit murin e parapetit. Kështjella kishte një portë në mesin e murit jugor, e cila mbrohej nga një mashikul me konstruksion druri, që mbështetej mbi blloqe gurësh të latuar me kujdes, të cilët dilnin në formë konsoli mbi portë. Një ballkon druri dilte edhe mbi mesin e murit verior dhe dy të tjerë mbi murin perëndimor, Brenda kështjellës kishte edhe disa ambiente të brendshme, më të gjera nga ato të sotmet, të cilat mbuloheshin me çati druri me një kullim dhe mbështeteshin në muret e kështjellës, por duke lënë të lira frëngjitë e brezit të poshtëm, që komandoheshin pjesërisht brenda këtyre ambienteve. Në një periudhë të dytë (shek. XV) u ndërtua një kullë e stilit venecian në qoshen jugperëndimore të kështjellës, e ngjashme me kullën veneciane pranë bregut të detit në Durrës. Për herë të parë u vunë në përdorim frëngji topash, që ndodheshin në katin e parë të kullës, i cili ngrihej mbi një bazament në formë trungkoni, ndërsa kati II banohej dhe ishte i pajisur me dritare, oxhak dhe frëngji të vogla shigjetë. Periudhës së tretë të ndërtimit i përkasin dy kullat e tjera të kështjellës. Ato ndaheshin në dy kate, ishin me dysheme druri dhe mbuloheshin me çati konike. Katet e para ishin pajisur me nga katër frëngji topash, ndërsa të dytat banoheshin nga garnizoni, kishin oxhakë dhe frëngji të vogla që shërbenin dhe për ndriçim. Më vonë, u shtuan ambientet e brendshme, që ndahen nga mure tërthore në kthina të veçanta, në muret e të cilave janë hapur frëngji për armë zjarri, kundrejt oborrit të kështjellës. Muret e jashtme të këtyre kthinave bllokuan brezin e poshtëm të frëngjive të murit perimetral të kështjellës. Në të njëjtën kohë u hap porta e dytë pranë njërës nga kullat e periudhës së tretë të ndërtimit, u rikonstruktuan frëngjitë e parapetit dhe u hapën në të disa frëngji për topa: më në fund u shtua muri me frëngji nga ana perëndimore, ndërtimet u realizuan gjatë shek. XVIII