Dy deputetë të Sarandës kapen nga ligji i dekriminalizimit

20/12/1615:28

Shperndaje:


Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur sot se verifikimet me drejtësinë e huaj zbuluan deputetët Tahiri e Selami si dhe kryebashkiakun Elvis Rroshi si persona që duhet të ndalohen të mbajnë poste publike në bazë të ligjit të dekriminalizimit.

Prokuroria e Përgjithshme deklaroi sot se dy deputetë dhe një kryebashkiak duhet të ndalohen të mbajnë poste publike dhe do të humbasin mandatet që kanë për shkak se nuk kanë deklaruar të dhëna mbi të shkuarën e tyre kriminale.
Drejtoresha e Kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm Fjorida Ballauri deklaroi se deputetët Dashamir Tahiri i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, (PDIU) dhe Shkëlqim Selami i Lëvizjes Socialiste për Integrim, humbasin mandatin në bazë të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, pasi nuk kanë deklaruar episodet e tyre penale të së shkuarës. Po kështu, edhe kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi, duhet të lërë mandatin për shkak të dënimeve për disa vepra penale të padeklaruara ndërkohë që kryebashkiaku rezulton edhe person i dyshuar për trafik droge me një emër tjetër, deri në vitin 2015.
Prokuroria bëri të ditur se deputeti i Vlorës Dashamir Tahiri është raportuar nga policia italiane në qytetin e Foxhias për falsifikim parash ndërsa në një rast të dytë, është dënuar me 9 muaj burg më 1999 në qytetin e Ravenës për përdorim dokumentesh të falsifikuara. Sipas prokurorisë, Tahiri ka mbrojtur veten duke thënë se qe viktimë e rrethanave të pafat.
Deputeti tjetër po nga Vlora, Shkëlqim Selami, por që i përket partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka pasur një masë sigurie arrest me burg në qytetin e Brindizit në Itali, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, në një ngjarje të ndodhur në vitin 1994. Por kjo masë sigurie raportohet se është ekzekutuar në vitin 2006.selami-rroshi-tahiri

 


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.