Bllokohen në Finiq 300 t karburant, ishte jashtë standartit

Në kuadër të aksionit anti-informalitet që po zhvillohet prej korrikut, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial në bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave bllokuan një sasi prej 298 ton karburant në një vendburim në Bashkinë Finiq, e cila ishte jashtë standardeve të tregtimit. Nga kontrolli i ushtruar në këtë vendburim u konstatua se mungonte vërtetimi teknik, si dhe u evidentuan probleme me cilësinë e produktit. Nga analizat rezultoi se lënda kishte parametra të pazakontë sa i takon nivelit të squfurit por edhe nivelit të flakërimit. Nga ana e inspektorëve të ISHTI-t subjektit ju kërkua edhe pajisja me vërtetimin teknik pasi nuk plotësonte kushtet e sigurisë. Aksioni u ndoq nga afër nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me kryeinspektorin e ISHTI, Admir Abrija dhe zëvendësdrejtorin e Doganave, Ylber Kalaja.

“Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial në kuadër të planit antiinformalitet, bashkë me administratën doganore, bën një plan kontrolli dhe gjatë kontrollit kemi konstatuar 298 ton produkt, lëndë e parë, naftë bruto, e cila është e stokuar në këtë vendburim, pa vërtetimin teknik. Menjëherë kemi njoftuar administratën doganore që të hetojë në lidhje me fiskun e produktit”, bëri të ditur kryeinspektori Abrija.

Zëvendësdrejtori i Doganave tha se ky është një produkt me risk dhe me shkallë monitorimi shumë të lartë. “Për vetë parametrat që kanë rezultuar, ky produkt rezulton të jetë një ndër produktet me risk dhe me shkallë monitorimi shumë më të lartë, për vetë mundësinë e përdorimit dhe si lëndë djegëse për ngrohje apo për elementë të tjerë. Jemi në pritje të rezultateve përfundimtare të analizave për të vijuar me procedurat e tjera në koordinim me strukturën e ISHTI-t”, nënvizoi Kalaja.