Arsimi profesional, zgjidhja më e mirë për Hoteleri-Turizmin në Sarandë

17/11/2018:53

Shperndaje:


Shkolla e mesme profesionale “Antoni Athanas” përgatit profesionistët e të ardhmes në fushën e Hoteleri-Turizmit në rajonin e Sarandës.
Sektori i Hoteleri-Turizmit është shndërruar vitet e fundit në motorin e ekonomisë shqiptare duke kontribuuar në më shumë se 25 të prodhimit të brendshëm bruto. Harta e turistëve që vizitojnë vendin tonë nga shtete të ndryshme është zgjeruar ndërsa turizmi i brendshëm sa vjen dhe rritet. Saranda është shembulli më i mirë se si në qytet mund të presë një numër aq të madh turistësh vendas dhe të huaj gjatë sezonit të verës.
Kërkesës të madhe të turistëve që vizitojnë Sarandën po i përgjigjet biznesi vendas, i cili ka shtuar numrin e hoteleve dhe restoranteve. Kjo rritje e turizmit sjell më shumë të ardhura për të gjithë qytetin, por ndërkohë vendos banorët përballë sfidës të vështirë për të garantuar shërbim profesional si në hoteleri, ashtu edhe në restorante.

Shkolla e Mesme Teknike-Ekonomike Hoteleri-Turizëm, “Antoni Athanas” në qytetin e Sarandës është institucioni arsimor më i specializuar në të gjithë jugun në fushën e Hoteleri-Turizmit. Me një eksperiencë 41 vjeçare në përgatitjen e profesionistëve të rinj si dhe me pajisjet më profesionale, shkolla “Antoni Athanas” bën diferencën me të gjitha institucionet arsimore në zonë. Shkolla është e pajisur me një kuzhinë me 8 soba e furra gatimi; lavanderi; recepsionetj, për të ofruar kushtet më të mira të mundshme për studentët e saj.
Të gjitha klasat e kësaj shkolle janë përshtatur për të përgatitur profesionistët e rinj në fushën e Hoteleri-Turizmit dhe Menaxhimit Financiar. “Tregu i punës në industrinë e hotelieri-turizmit ofron mundësi të njëjta për djemtë dhe vajzat. Për këtë, shkolla jonë është e angazhuar t’u ofrojë mundësinë djemve dhe vajzave të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale për të avancuar njësoj në karrierë”,- shprehen drejtuesit e shkollës. Sipas tyre, Hoteleri-Turizmi është ndër industritë që zhvillohet me hapa të shpejtë dhe duke studiuar në degën e Hoteleri-Turizmit ti ke mundësi të bëhesh pjesë e këtij zhvillimi. Kërkesa në tregun e punës për pozicionet të tillë si kamerier, shef kuzhine, barist, pastiçier, recepsionist etj në Hoteleri-Turizëm është e vazhdueshme ndaj e bën këtë industri më të qëndrueshmen deri më sot dhe profesione afatgjate dhe me baza të forta. Kjo industri ofron profesione të mirë paguara dhe mundësi rritje në karrierë për femra dhe meshkuj.

Me mbështetjen e projektit ALTOUR: MBËSHTETJA PËR AKSES DHE CILËSI NË ARSIMIN DHE FORMIMIN PROFESIONAL PËR SEKTORIN E TURIZMIT, i financuar nga: Austrian Development Cooperation (ADC), me bashkëfinancim nga OeAD-GmbH dhe i zbatuar nga OeAD-GmbH dhe me partner lokal shoqatën “Partnerë për Fëmijët”, shkolla “Antoni Athanas” ofron kabinetet mësimore më të mira dhe mbi të gjitha mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë në fushën e Hoteleri-Turizmit. Nxënësit e kësaj shkollë kanë mundësi të mësojnë me praktikat më të mira ndërkombëtare.

E pajisur me një konvikt të veçantë, shkolla profesionale “Antoni Athanas” mund të frekuentohet edhe nga nxënësit e qyteteve të tjera përreth Sarandës. Akomodimi i të rinjve bëhet në dhoma dyshe, të cilat janë të ndara për vajzat dhe djemtë. Ambientet e konviktit mbikëqyren gjatë 24 orëve nga rojet sipas turneve. Higjiena personale dhe ushqyerja e të rinjve sigurohet përmes vakteve ushqimore te freskëta çdo ditë si dhe aksesi në dushe gjatë gjithë ditës.

Për të mbështetur të rinjtë me studimet e tyre është vënë në dispozicion një sallë studimi, gjithashtu një sallë argëtimi ku të rinjtë mund të relaksohen, të shohin TV, të lexojnë një libër , të luajnë apo të ndërveprojnë me miqtë e tyre. Konvikti ka një staf të plotë dhe profesional: kujdestar për vajza dhe djem; punonjës të kuzhinës; personel shëndetësor dhe sanitar. Ata mbështesin nxënësit dhe në aktivitet kulturore duke nxitur bashkëjetesën në grup, ndihmën për njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha për të formuar profesionistët e të ardhmes në fushën e Hoteleri-Turizmit.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.