Arrestohet Hija e Natës

18/12/179:30

Shperndaje:


Sarandë

Policia e Sarandës ka finalizuar Operacionin Policor të Koduar ‘Hija e Natës” !

Kapet dhe arrestohet në flagrancë autori i një sërë vjedhjesh të ndodhura në Sarandë e Vlorë !

Autori vidhte pasqyrat, kasetofonat, bateritë dhe pjesë të tjera të mjeteve të ndryshme luksoze !

Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë vijuar intesivisht punën për zbardhjen, dokumentimin ligjor të autorësisë për disa vjedhje të ndryshme të cilat kanë ndodhur në Sarandë e Vlorë.

Në kuadër të kësaj Policia e Sarandës pas një hetimi me metoda speciale ka zhvilluar operacionin policor të koduar ”Hija e Natës”, ku është finalizuar me kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit :

Aleksandër (Gimi) Qarri (Lepuri) , 43 vjeç, banues në Tiranë.

Pas veprimeve hetimore të kryera prej policisë shtetasi i mësipërm ka rezultuar të jetë autor i disa vjedhjeve të ndodhura në Sarandë e Vlorë, konkretisht :

Më datë 17.12.2017, në lagjen ”Nr.4”, është kapur në flagrancë duke vjedhur kasetofonin e mjetit tip ”Benz” në pronësi të shtetasit K.O..

Më datë 10.12.2017, në lagjen ”Nr.4”, ka vjedhur pasqyrat e mjeti tip ”BMW”, në pronësi të shtetasit I.I., si edhe të mjetit tip ”Benz”, në pronësi të shtetasit K.I..

Më datë 01.12.2017, në parkingun e spitalit në lagjen ”Nr.3”, në mjetin që perdoret nga shtetasi B.H., ka vjedhur një bateri, një palë syze dhe nje sasi eurosh.

Më datë 15.11.2017, në lagjen ”Nr.4”, ka vjedhur baterinë , e mjetit tip ”Benz”, në pronësi të shtetasit I.K..

Më datë 12.11.2017, në lagjen ”Nr.3”, ka vjedhur maskarinon e mjetit tip “Golf 5”, në pronësi të shtetasit L.Sh..

Më datën 02.12.2017, në lagjen ”4 Heronjt”, Vlorë, ka vjedhur pjesët e mjetit tip ”Volkswagen Golf”, si kofano, filtri i ajrit, fenerët dhe baterinë në pronësi të shtetasit G.H.,

Më datë 25.11.2017, në lagjen ”Rilindja”, Vlorë, ka vjedhur maskarinon e mjetit tip “Benz”, në pronësi të shtetasit M.Xh..

Më datën 18.11.2017, në lagjen ”1 Maji”, Vlorë, ka vjedhur xhamat e pasqyrave të mjetit tip ”Benz”, në pronesi të shtetasit E.A..

Më datë 24.09.2017, në fshatin Babicë e Vogël, Vlorë, ka vjedhur portofolin, celularin IPhone7+, të ndodhura në mjetin e shtetasit N.F..

Mekanizmi i vjedhjeve që kryente :

Ky shtetas vinte nga Tirana me autobusat e linjave dhe në datat e vjedhjeve të lartpërmendura ka qënë i ndodhur në qytetet ku kane ndodhur vjedhjet, si edhe frekuentonte rregullisht lojrat e fatit (kazinotë) dhe akomodohej në hotele, ku më pas gjatë natës vidhte duke thyer xhamat e mjeteve të ndryshme e u merrte pasqyrat, kasetofonat, bateritë e pjesë të tjera, dhe pasi kryente këto vjedhje largohej përsëri me autobusat e linjave.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale pjesët e mjetit të vjedhur prej tij ditën e djeshme kur edhe u kap në flagrancë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Sarandë ndaj tij për veprime të mëtejshme.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.