Vangjel Tavo i përgjigjet Gjikurisë: Kisha edhe unë votues me karta të skaduara

05/08/2420:15

Shperndaje:

Kandidati fitues i zgjedhjeve të pjesshme të Himarës, Vangjel Tavo ka reaguar lidhur me deklaratën e pak më parshme të kundërshtarit të tij në këto zgjedhje Petro Gjikuria. Tavo shprehet mirënjohës fillimisht, pasi Gjikuria e ka marrë në telefon më herët për ta uruar për fitoren.

 

Por më pas në deklaratën e tij Gjikuria nuk pranoi humbjen duke akuzuar qeverinë dhe pushtetin që i tjetërsoi vullnetin banorëve të Himarës. Tavo ripërsërit ftesën për të bashkëpunuar me Gjikurian si nënkryetar të bashkisë Himarë.

 

Reagimi i Vangjel Tavos:

 

‘I dashur Petro,

Sot Himara kishte një arsye të madhe për t’u gëzuar sepse ishte ajo fituesja e 4 gushtit, sikurse edhe unë e kisha dhe e kam zemrën plot nga mesazhet e pafundta të urimeve nga shumë e shumë banorë të Himarës, e mbështetës brenda e jashtë vendit.

Por, një shkëndijë më shumë e këtij gëzimi ishte edhe telefonata juaj e urimit e para pak orëve. E vlerësova shumë dhe e pranova sinqerisht si një akt qytetarie dhe si sjellje e një njeriu me mendësi të hapur perëndimore, por, pa e mohuar, e prita edhe me shpresën se po më telefonoje për të pranuar ftesën time publike për t’iu bashkuar programit tonë të drejtimit të Bashkisë Himarë në pozicionin e zëvendëskryetarit.

Por, pritshmëria ime e lartë ndaj teje zgjati vetëm pak e tani jam i keqardhur për reagimin tënd, a thua se Himara është një fushë betejash ku përballen ushtri armike dhe jo alternativa politike dhe qytetare, si në të gjithë Shqipërinë demokratike.

Të kujtoj i dashur, se këtë herë në Himarë pati më shumë votues se sa vjet, kur qeveria e kishte shtyrë afatin e skadimit të kartave të identitetit. Dhe rezultati është ky që është, produkt i vullnetit të lirë të qytetarëve, ndërkohë që nuk pati se as nuk kishte si të kishte mijëra zgjedhës të cilëve iu mohua e drejta, pasi koha e votimeve 99.99% ka ikur me diktaturën.

Po, e vërtetë! Pati disa dhjetra qytetarë, votues të tutë dhe të mitë, që nuk mundën të votonin për shkak të dokumentave të skaduar të idenditetit, për të cilët kush e dëgjoi thirrjen e ministrisë së brendshme dhe e rinovoi mundi edhe të votonte normalisht.

Prandaj i dashur Petro, unë të përsëris ftesën time që të mos largohesh andej nga erdhe, po të qëndrosh bashkë me mua në krahun tim, në pozicionin e nënkryetarit të bashkisë.

Do të isha shumë i nderuar nëse do ta pranoje propozimin tim, ndërsa në rast të kundërt të uroj megjithë zemër rrugë të mbarë për Amerikë dhe suksese atje. Por në të gjitha rastet le të mbetemi në kontakt dhe për Himarën mos u shqetëso, sepse është në duart të sigurta dhe ka mbështetjen e padiskutueshme të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.

Sinqerisht

Vangjel Tavo’


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

Shkarkohet drejtori i Kadastrës së Sarandës për performancë të dobët
Prefektja Evis Allushi zhvillon vizitë prezantuese në Sarandë, takim me zjarrfikësit dhe drejtuesit lokalë
Saranda përmbytet sërish: Ujërat e zeza dhe të bardha pushtojnë Shëtitoren pas vetëm 15 minutash shi
Gola dhe spektakël në Sarandë: Butrinti fiton 3-2 ndaj Tomorit – VIDEO
Butrinti – Tomori drejtpërdrejt në Saranda Web,  të hënën më 3 nëntor në orën 13:00
Bujar Leskaj tërhiqet nga Partia Demokratike: “Do lë mandatin për t’i hapur rrugë brezit të ri politik”

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.