Saranda e shokuar nga akti terrorist i hedhjes në erë të hotelit në Shëtitore

13/02/2318:10

Shperndaje:

Një sasi eksplozivi shpërtheu mëngjesin e së hënës në shëtitoren “Naim Frashëri” në  Sarandë, duke shkatërruar totalisht një godinë 2 katëshe me 700 metra katrorë ndërtim si dhe duke tronditur  banorët e qytetit.

Shpërthimi ka dëmtuar një sërë biznesesh e banesash rreth e rrotull, duke thyer xhama e çarë mure.

“Është akt terrorist. Është më shume se akt ndaj një biznesi, pasi autorët nuk kanë pyetur për pasojat që do mund të shkaktonte në biznese, banesa dhe në kalimtarë” tha Limos Didani, themelues “Sarandaweb”. Ai tregoi se mbi 100 biznese në zonë kishin pësuar dëme në fasada e xhama, ndërsa ata që ishin më afër vendit të shpërthimit kishin pësuar dëme rrënuese.

Didani tha se tulla e copa të ndërtimit kishin fluturuar për disa dhjetra metra në shëtitoren buzë detit.

Policia e Shtetit njoftoi se shpërthimi ndodhi në orën 5.55 të mëngjesit, por veç dëmeve materiale nuk ka shkaktuar të lënduar.

Në një njoftim të orës 7.00, policia thotë se po hetonte ngjarjen.

“Është ngritur një grupi i posaçëm hetimor me ekspertë më të mirë të DVP Vlorë dhe nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e ngjarjes,” thuhet në njoftim.

Drejtori Policisë së Qarkut të Vlorës, Ermal Muça tha në një bisedë telefonike se ngjarja ishte shumë e rëndë. Muça tha se hetimet e momentit ishin fokusuar te një konflikt pronësie mbi godinën dhe biznesin që kishte prej vitit 2010 në dyert e gjykatave.

Arjan Kalcuni, drejtor i spitalit të qytetit, konfirmoi në një bisedë telefonike se nga shpërthimi nuk kishte asnjë të lënduar. “Fatmirësisht nuk është paraqitur asnjë i lënduar, edhe pse ai është orar që nis lëvizja në bulevard. Zakonisht ata që bëjnë ecje ose vrap,” tha Kalcuni.

Drejtori i Spitalit tha se një i njohuri i tij kishte kaluar pranë godinës vetëm pak çaste para shpërthimit. “Ishte fat që nuk është lënduar askush,” shtoi ai.

Bashkia e Sarandës bëri një thirrje publike për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa bëri me dije se do të ndihmonte bizneset e prekura. “Në të njëjtën kohë, u gjendemi pranë qytetarëve të dëmtuar për çdo nevojë, që mund të kenë, për kapërcimin e kësaj situate”, thuhet në deklaratën e bashkisë, në të cilën njoftohet se po pastrohej zona e prekur nga shpërthimi.

Pronarët e hotelit që u hodh në erë ndodhen të shoqëruar në polici, ku po merren në pyetje. Një vendim i tetorit 2022 i Gjykatës së Lartë, tregon se tre bashkëpronarë në godinën dhe biznesin e ngritur prej mesit të viteve 90’ ndodheshin në gjyq mbi pronësinë për më shumë se 12 vitesh.

Gjykata identifikon si palë në konflikt Dhimitër Evangjeliun, Spiro Çabirin dhe trashëgimtarët e ndjerit Vangjel Shutka. Vendimi i Gjykatës së Lartë, që ka kthyer për rishqyrtim dosjen në Gjykatën e Apelit në Gjirokastër, bën me dije se palët nuk binin dakord mbi ndarjen e pronësisë së hotelit, i cili ishte vlerësuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Sarandë në vlerën 920 mijë euro.

Sulmet me eksploziv përdoren vazhdimisht në Shqipëri për hakmarrje apo kërcënime, por kryesisht përdoren sasi të vogla eksplozivi. Një nga arsyet është lehtësia në gjetjen e lëndëve shpërthyese, pjesërisht të mbetura në duar të qytetarëve pas hapjes së depove të vitit 1997 dhe të tjera të siguruara për shkak të mungesës së kontrollit mbi bizneset që përdorin eksploziv.

Ndërkohë, ngjarjet kriminale që përfshijnë eksplozivin mbeten kryesisht pa autorë. Sipas të dhënave nga Prokuroria e Përgjithshme, në dy vitet e fundit vetëm 4 për qind e mbi 65 atentateve me eksploziv ishin zbardhur.

Rasti i Sarandës është ndër më të rëndët e sulmeve të ngjashme të regjistruara në vend. Një oficer i policisë i tha BIRN në kushte anonimati se shpërthimi në fjalë ishte i planifikuar gjatë dhe se personi që ka vendosur eksplozivin, e ka bërë atë në mënyrë të tillë që të shkatërronte totalisht godinën. Reporter.Al


Ndajeni me miqte:

Postimet e fundit

ABZHR lajm të mirë për 699 fermerë nga Saranda, Delvina, Konispoli dhe Finiqi
Tifozët e Butrintit apelojnë: Shpëtoni Onuh, ai është pjesë e Familjes tonë!
Publikohen Çmimet e Referencës për Shtëpitë dhe Apartamentet në Sarandë, Delvinë, Himarë dhe Konispol
100 mijë euro për rikonstruksionin e rrugës “Pandeli Boçari” në Sarandë
Arrestohen 11 persona në Sarandë dhe Delvinë, akuzohen për shpërndarje ‘malli’ – VIDEO
Operacion i Policisë gjatë natës: 15 të shoqëruar në Vlorë, Sarandë dhe Delvinë

Saranda Web Apartments and Hotels

©SARANDAWEB - 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.