Punësimet në turizëm, Kumbaro: Duhet t’u japim dinjitet profesioneve të shërbimit

30/04/2221:22

Shperndaje:

Nga Vlora në një event dedikuar shkollave  dhe formimit profesional, ministrja Mirela Kumbaro ngriti problematikën e kërkesave që të rinjtë dhe familjarët e tyre kanë për të punuar në sektorin publik, ndërkohë që oferta punëdhënësve privatë që operojnë në turizëm është e lartë. 


Në panelin e përbashkët me ministren e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, ministrja Kumbaro dha dy shembuj ilustrues të fenomenit: 


“Do ta filloj me dy episode të vogla, edhe pse njëri në fakt nuk është i vogël. Një deputet sa herë shkon në qark përballet me shumë probleme. Një ndër të tjera është kërkesa nga komuniteti, djem, vajza e prindër sidomos: “Më gjej një punë në shtet për djalin dhe për vajzën.” Shkova në zyrën e punës në qarkun e Gjirokastrës të administruar nga Ministria e Fincancave dhe Ekonomisë dhe mora gjithë kërkesat nga sektori privat për burime njerëzore. 110 kërkesa janë sot në databazën e Zyrës së Punës dhe 99% e këtyre kërkesave janë në sektorin e turizmit: kuzhinier, ndihmësguzhinier, recepsionist, kamarier, punonjëse shërbimi nëpër hotele, asistentë të ndryshëm, udhërrëfyes. Mbizotëron idea “Më mirë një rrogë më të vogël, por të jetë në shtet”.

Kjo është një luftë e madhe me mentalitetin të cilën vetëm të gjithë bashkë mund ta përballojmë. Ky ishte episodi i parë. Episodi i dytë ishte në një nga restorantet e Vlorës ku kamarierët që shërbenin ishin një djalë shqiptar, nxënës i shkollës tregtare, një vajzë kamariere hollandeze, dy kamarierë nga Moldavia dhe dy kamarierë të tjerë nga Ukraina”, u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit.
Kumbaro u kërkoi përfaqësuesve të bizneseve dhe turoperatorët që të rrisin vlerësimet ndaj profesioneve të tilla. 
“Ne flasim për profesione, por a kemi punuar mjaftueshëm për formimin, kualifikimin e punëdhënësve? A ju japim ne mjaftueshëm dinjitet profesioneve në fushën e turizmit, punonjësve të shërbimit, të pastrimit të dhomave të hoteleve, kamarierit, recepsionistit, atij zotërisë që të merr bagazhet kur futesh në hotel, pjatalarësit, e kështu me radhë? Nëse i trajtojmë me dinjitet, kamarieri nuk do të ikë, do të ndihet profesionalisht më lart. Kemi filluar vitet e fundit me shefat e kuzhinës t’u japim një profil më të spikatur, më interesant dhe më i mirëpaguar, duke qenë një lloj patente për emrin e restorantit dhe hotelit dhe kjo do të thotë që jemi në rrugën e duhur”, përfundoi Kumbaro.


Ministrja Ibrahimaj nga ana tjetër u shpreh se kërkesa për punësim në sektorin e turizmit sa vjen e rritet ndërkohë.
“Në sezon kemi 2500 të punësuar më shumë gjatë vitit. Me rritjen e numrit të turistëve, është rritur kërkesa për punësim dhe numri i bizneseve që operojnë në këtë fushë. Është detyra jonë që të përgatisim stafe të kualifikuara, pasi nuk është vetëm e nevojshme që të ndërtosh struktura akomoduese, restoracioni shërbimesh, por është shumë me rëndësi që niveli i shërbimit të jetë aty ku duhet. Ne duam që përmes një bashkëpunimi më të fortë me bizneset të kuptojmë se cilat janë kërkesat në kohë reale, të fillojmë të punojmë sot për sezonin e ardhshëm. Çdo vit rriten me 2500 kërkesat për punësim ndërkohë që oferta e shkollës së hoteleri turizmit në Vlorë është vetëm 240 studentë në vit. Kjo do të thotë që do të duhet të ridimensionojmë të gjithë ofertën tonë në ata sektorë ku është më e nevojshme”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Pjesëmarrës në takim ishin nxënës të shkollave profesionale të Vlorës, të cilët prezantuan eksperiencat e tyre në sektor dhe punimet në një panair të dedikuar.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.