Prokuroria kërkon 5 vite burg për gjyqtarin e Sarandës

ImagesProkuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 5 vjet burgim dhe 3 vjet heqje të të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për gjyqtarin e Sarandës, Rasim Doda, i akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit”.
Hetimi ndaj të pandehurit u zhvillua fillimisht nën masën e sigurisë “arrest në burg” dhe më tej në “arrest në shtëpi”.
Prokuroria për Krime të Rënda e akuzon Dodën se i ka kërkuar 80 mijë euro një shtetasi, palë në një proces civil të drejtuar prej gjyqtarit, në këmbim të dhënies së vendimit në favor të personit që duhet të bënte pagesën.
Shtetasi, të cilit i ishte kërkuar pagesa prej 80 mijë euro, nuk ka pranuar të bëjë këtë “transaksion” në favor të gjyqtarit dhe, për këtë arsye, ai ka humbur në procesin gjyqësor civil.
DOSJA
Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton në mënyrë të përmbledhur se:Ii pandehuri Rasim Doda, në cilësinë e gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, ka kërkuar nga kallëzuesi Hasan Bushi në formën e përfitimit të parregullt një shumë prej 80.000 euro, me qëllim marrjen e vendimit gjyqësor në favor të këtij të fundit.
Më konkretisht;
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë, me gjyqtar të pandehurin Rasim Doda, ka qenë duke u gjykuar çështja gjyqësore civile me pale kundërshtare shtetasen Gjinovefa Shehu dhe shoqëria “K……” sh.p.k, me përfaqësues ligjor shtetasin H.B. Në datën 20.04.2015 është shpallur vendimi gjyqësor përfundimtar lidhur me këtë çështje gjyqësore, me anë të të cilit është pranuar kërkesë padia e shtetases Gjinovefa Shehu dhe është rrëzuar kundërpadia e shoqërisë “K…..” sh.p.k.
Në datën 19.04.2015, në mbrëmje pas orës 20.00, kallëzuesi H.B ka qenë duke shkuar te zyra e avokatit të tij F.L, ndërkohë është takuar në rrugë me të pandehurin Rasim Doda, i cili pasi i ka thirrur në emër i ka dhënë kallëzuesit një fletë të palosur duke i thënë se ky ishte vendimi për të nesërmen. Kallëzuesi ka hapur fletën e palosur ku ishte i shkruar dispozitivi i vendimit gjyqësor dhe ka lexuar që sipas atij vendimi ishte pranuar pjesërisht kundërpadia e tij dhe se përfitonte një dëmshpërblim në shumën 88.659.066 lekë.
Në këtë moment, i pandehuri Rasim Doda i ka bërë me shenjë me dorë për ndonjë lek, duke i bërë me shenjë në pëllëmbën e dorës që kallëzuesit i ka lënë të kuptonte së kërkonte shumën prej 80.000 euro. Kallëzuesi i ka shprehur me gjeste të pandehurit se nuk kishte para, ndërkohë që i pandehuri pas këtij momenti është larguar, duke i bërë me shenjë me gjeste se nuk do ta fitonte gjyqin, si dhe duke i lënë në dorë kallëzuesit fletën në të cilën ishte shkruar dispozitivi i vendimit.
Kallëzuesi më pas ka shkuar i shqetësuar në zyrën e avokatit, të cilit i ka treguar për takimin me gjyqtarin e çështjes dhe se ky i fundit i kishte kërkuar një shumë prej 80.000 euro me qëllim dhënien e vendimit gjyqësor në favor të tij. Kallëzuesi i ka kërkuar avokatit numrin e telefonit të të pandehurit Rasim Doda dhe më pas i ka telefonuar disa herë, por i pandehuri nuk e ka hapur telefonin. Më pas, në orën 22:49 kallëzuesi i ka dërguar të pandehurit një mesazh telefonik duke i thënë se, “mos më merr në qafë kot, çdo muhabet e ke bërë me avokatin, bashkë komunikojmë dhe mirë është të ngelemi miq për jetë. H.B”. Këtë mesazh telefonik kallëzuesi ia ka dërguar përsëri të pandehurit edhe në orën 01:24 të datës 20.04.2015.
Të nesërmen, më datë 20.04.2015, kallëzuesi H.B., është telefonuar nga i pandehuri Rasim Doda, në orën 07:00, ndërsa në orën 10:57 kallëzuesi i ka dërguar të pandehurit një mesazh tjetër, me përmbajtje “Mendoj se si malësor do ta mbash llafin. Nuk mbake besë. Ke nivelin e një mashtruesi. Mos më akuzo mua. H.B”.
Në datën 20.04.2015, i pandehuri Rasim Doda ka shpallur vendimin gjyqësor, duke lexuar vetëm dispozitivin e vendimit, me të cilin ishte vendosur pranimi i padisë së paditëses GJ.SH. dhe rrëzimi i kundërpadisë së shoqërisë “K……” sh.p.k.
Në këto rrethana, i pandehuri Rasim Doda është akuzuar se ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të parashikuar nga neni 319/ç i K.Penal.