Prokurori Elidon Hysenaj përballet me vetingun
Prokurori Elidon Hysenaj përballet me vetingun
Prokurori i Sarandës, Elidon Hysenaj u përball në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me pyetje për financat dhe disa çështje që kishte hetuar. Hysenaj kërkoi konfirmimin në detyrë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të enjten seancën dëgjimore me prokurorin e Sarandës, Elidon Hysenaj. Seanca u fokusua kryesisht në dy gjetje mbi pasurinë e Hysenajt dhe disa dosje hetimore të ndjekura prej tij, të cilat ishin referuar nga Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar.
Procesi ndaj Hysenaj u zhvillua nga një trupë e kryesuar nga Etleda Çiftja, me anëtare Brunilda Bekteshi dhe relator Lulzim Hamitaj, ndërsa në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte Steven Kessler.
Gjatë relatimit Hamitaj vuri në dukje se përtej raportit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, KPK gjeti vetëm një bilan negativ prej rreth 400 mijë lekësh në pasurinë e Hysenajt.
Hamitaj vuri në dukje se ky bilanc negativ vinte nga pamundësia për të kthyer pas një hua prej 800 mijë lekësh, marrë vjehrrit të Hysenajt për pagesën e një kësti shtëpie.
Hysenaj i cili e vlerësoi hetimin e KPK si objektiv dhe të thelluar, pretendoi se kishte paraqitur prova që kundërshtonin këtë gjetje.
Po ashtu Elidon Hysenaj kundërshtoi edhe pretendimin e KPK se familja e vjehrrit nuk kishte pasur mundësi financiare për të dhënë hua në shumën 595 mijë lekë. Hysenaj tha se KPK nuk kishte marrë parasysh të ardhurat e dy kunetërve që formalisht ishin pjesë e trungut familjarë.
Elidon Hamitaj relatoi se DSIK pas një raporti të parë pozitiv, kishte sjellë një raport të dytë negativ për Hysenaj. Sipas raportit të dytë prokurori ishte i papërshtatshëm.
Hamitaj renditi një sërë çështjesh që referoheshin në raportin konfidencial të DSIK-së. Për ty prej tyre Hysenaj u pyet gjatë e gjërë nga vetë relatori, anëtarja Bekteshi dhe vëzhguesi Kessler.
Çështja e parë kishte të bënte me dy persona të arrestuar për shitje narjotikësh, të kapur me një sasi prej 0.25 gramë kokainë dhe 23 gramë kanabis. Çështja ishte referuar pasi ndaj njërit prej të arrestuarve ishte lehtësuar masa e sigurisë nga arrest me burg në masë sigurimi me garanci pasurore.
Përgjigjet e Prokurorit Elidon Hysenaj
Elidon Hysenaj, që u pyet gjatë mbi arsyet e ndryshimit të masës, tha se ndaj këtij personi nuk kishte pasur prova, por vetëm indicie. Ai tha se masa e sigurimit me burg u kërkua fillimisht në pritje të disa analizave, por që më pas ai vlerësoi se kjo nuk mund të vazhdonte. Ai tha se gjatë masës së sigurimit kishte urdhëruar përgjimin ambjental në qeli të dy të arrestuarve, por nga i cili nuk rezultuan të dhëna që mund të çonin në vijim e masës së sigurisë ndaj tij.
Këmbënguljes së Bekteshit se cilat veprime hetimore kishte kryer dhe nëse çështja ishte e komplikuar, Hysenaj iu përgjigj se në rastin konkret “fakti ishte i thjeshtë”. Bekteshi që duket e keqkuptoi përgjigjen, këmbënguli se bëhej fjalë për një vepër të rëndë penale. Por Hysenaj sqaroi se ishin përë disa analiza për lëndën e kapur.
Hamitaj nga ana e tij e pyeti Hysenajn se pse e kishte caktuar fillimisht masën e sigurisë me burg, duke qenë se nuk kishte prova por vetëm indicie. Hysenaj këmbënguli se kishte pritur analizat sidomos ato të gjurmëve të gishtave.
Çështja e dytë kishte të bënte me akuzat e falsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës, për të cilat Hysenaj kishte vendosur mos fillim. Prokurori u pyet mbi arsyetimin e vendimit sipas të cilit çështja ishte parashkruar dhe se dokumenti në fjalë nuk ishte origjinal por fotokopje. Vëzhguesi Kessler këmbënguli të kuptonte arsyetimin e Hysenajt mbi përmbajtjen e dokumentit dhe kërkoi të kuptonte nëse ai kishte hetuar për të gjetur origjinalin. Hysenaj këmbënguli se kishte hetuar në zyrat ku ndodhej origjinali.
Në fund të seancës Hysenaj kërkoi konfirmimin në detyrë. Vendimi do të shpallet më 9 tetor ora 9.45. REPORTER.AL
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
Linktree sarandaweb
in sarandaweb
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 4
06/10/2318:45
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 11
06/10/2318:45
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 22
06/10/2318:45
PUNIME ARTIZANE BUTRINT PJETER PERKEQI 32
06/10/2318:45
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 5
06/10/2318:45