Përkujtohet 35-vjetori i vrasjes në kufi të 4 të rinjve nga Aliko – VIDEO
Përkujtohet 35-vjetori i vrasjes në kufi të katër të rinjve nga Aliko
Në sheshin qendror të fshatit Aliko u zhvillua ceremonia përkujtimore me rastin e 35-vjetorit të vrasjes në kufi të katër të rinjve, një nga ngjarjet më të rënda dhe tronditëse të fundit të regjimit komunist në jug të vendit.
Në ceremoni morën pjesë qytetarë, familjarë të viktimave, përfaqësues institucionesh dhe personalitete publike, të cilët nderuan kujtimin e Thimjo Masho, Thanas Koçi, Ajdhon Rafti dhe Vangjel Mitro.

Të pranishëm ishin kryetari i Bashkisë Finiq, Romeo Çakuli, konsulli grek në Gjirokastër Sokratis Survinos, kryetari i partisë MEGA, Lefter Nika, ish-deputeti Niko Kuri, si dhe përfaqësues të tjerë të jetës publike dhe politike.
Ra në sy mungesa e përfaqësuesve të Partisë Demokratike, një mungesë ndryshe nga vitet e kaluara, veçanërisht për faktin se Partia Demokratike është themeluar pikërisht më 12 dhjetor 1990, në të njëjtën datë kur ndodhi kjo tragjedi.
Ngjarja tragjike e 12 dhjetorit 1990
Ishte 12 dhjetori i vitit 1990, një periudhë e trazuar e shënuar nga arratisjet sporadike drejt kufirit grek. Katër të rinj nga fshati Aliko i Sarandës – Thimjo Masho, Thanas Koçi, Ajdhon Rafti dhe Vangjel Mitro – në përpjekje për të kaluar kufirin në zonën e Çiflikut të Konispolit, u përfshinë në një shkëmbim zjarri me ushtarët e kufirit.
Si pasojë, katër të rinjtë mbetën të vrarë, ndërsa në këtë përplasje humbi jetën edhe një nga ushtarët e postës kufitare.
Pas vrasjes, me urdhër të drejtuesve të Degës së Punëve të Brendshme të Sarandës, familjarëve iu ndalua tërheqja e trupave të pajetë nga vendi ku ishin vrarë dhe masakruar. Ky vendim shkaktoi revoltë të madhe në fshatin Aliko.
Banorët e fshatit, të armatosur me hunj, sopata dhe mjete të tjera, u nisën drejt fshatit Shkallë, duke demonstruar hapur kundër pushtetit. Përballë kësaj situate të rëndë dhe protestës së hapur të dhjetëra banorëve, forcat e Degës së Punëve të Brendshme u detyruan të tërhiqeshin dhe të lejonin marrjen e trupave nga familjarët.
Marshimi drejt Sarandës dhe përplasja në Qafën e Gjashtës
Të nesërmen, banorët e Alikos dhe të fshatrave përreth, me katër arkivolët mbi supe, u nisën në këmbë drejt qytetit të Sarandës, në një marshim proteste që do të mbetej historik. Kolona e gjatë përshkoi rrugën nga Aliko deri në Qafën e Gjashtës, në hyrje të qytetit.
Atje, protestuesit u përballën me forca të shumta policie, efektivë të Degës së Punëve të Brendshme dhe forca ushtarake, të dislokuara për të ndalur hyrjen në qytet. Ndërkohë, nga Komiteti i Partisë së Rrethit nisi përhapja e panikut me pretendime se “fshatarët e Alikos duan të shkatërrojnë qytetin” dhe se “pas tyre fshihet armiku i klasës dhe ai i jashtëm”.
Situata agravoi në përleshje të drejtpërdrejta, ku forcat e armatosura qëlluan me armë zjarri për të trembur turmën. Nga të shtënat u plagos rëndë Dhimitër Mano, i cili mbante mbi supe arkivolin e njërit prej të rinjve të vrarë. Turma kërkoi me ngulm hapjen e rrugës për të transportuar të plagosurit në spital, gjë që u arrit vetëm pas shumë përpjekjesh.
Pas dhunës së ushtruar, banorët u detyruan të ktheheshin në fshat, ku dhe u varrosën katër djemtë e vrarë në kufi, duke lënë pas një nga plagët më të rënda të memories kolektive të zonës.
Ceremonia e sotme në Aliko shërbeu jo vetëm si një akt përkujtimi, por edhe si thirrje për kujtesë historike, drejtësi morale dhe mosharresë për viktimat e dhunës shtetërore në fundin e një epoke të errët për Shqipërinë.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit