Për çfarë vuan Saranda sot ?

07/01/1819:10

Shperndaje:


Opinion nga Vanesa KOKA
”Është një vend ku dielli nuk perëndon kurrë ! Ky është Butrinti, Kjo është Shqipëria !” – shkruan BBC. Gati 100 vjet më parë Butrinti u mbërthye nga gjumi shekullor dhe vetëm 20 km në veri të tij, limani Onhezmi , fshati i vogël i peshkatarëve , qyteti i ardhshëm i Sarandës rreth të cilit Butrinti do të ishte veç një satelit.

Saranda e sotme i ngjan një amfiteatri natyror, gjigand, mbështetur rrëzë malit të Hamalloit me këmbë të zhytura në det, me krahë të shtrirë në Ksamil dhe Kakome dhe vështrim të drejtuar mbi Korfuz. Është një qytet i vogël, me rrugë të rregullta, paralele, me shkallë që zbresin drejt detit. Është kaq i vogël si qytet saqë të rastis të ndeshësh të njëjtët persona, të njëjtët shitës ambulantë, të njëjtët zyrtarë madje dhe të njëjtët lypës, disa herë brenda 1 dite. Disa e kanë quajtur edhe Perla e Jugut ndoshta për shkak të detit dhe të ngjyrës së smeraldtë të tij ose ndoshta për shkak të ndërthurjes së mahnitshme të ishujve, gadishujve, gjireve me plazhe të vegjël dhe lagunës së Butrintit, aq sa nuk të besohet që po sheh një copëz Shqipërie. Të parët tanë Ilirët kaonë i kanë lënë trashëgimi Butrintin dhe Finiqin, një dhuratë e ardhur ndër shekuj ndërsa Vurgu, Vrina, Syri i Kaltër dhe klima e ngrohtë mesdhetare, bollëku dhe larmia e prodhimeve të Tokës dhe të Detit është dhuratë e ardhur nga Zoti.

Afërsia me Korfuzin ka mundësuar që Sarandën ta vizitojnë me mijëra turistë ditorë të cilët janë kureshtar për të parë Butrintin, qytetin që dominoi Veriun e Detit Jon për shekuj me rradhë. Nuk mungojnë turistët nga viset shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë dhe aq më tepër studentët të cilët vijnë nga gjithë trevat e Shqipërisë duke mbushur plotë e përplotë rrugët e Sarandës.

‘Ky është Butrinti, Kjo është Shqipëria’ sikurse u përmend në hyrje thënia e BBC-së dhe kjo është mëse e vërtetë, Butrinti i djeshëm,Saranda e sotme prezantojnë Shqipërinë. Turistët e ardhur këtu marrin me vete një copëz Shqipërie. Sa herë të dëgjojnë emrin Albania atyre do t’u vijnë në mendje mijëra kujtime lidhur me Sarandën. A janë të këndshme gjërat që do të kujtojnë?!

Mjafton të dalësh në bedenat e Kalasë së Lëkurësit nga ku qyteti shihet si në pëllëmbë të dorës dhe kupton se Saranda është qyteti i zakonshëm i vendosur në vend të jashtëzakonshëm. Por qyteti vuan, vuan nga një sëmundje e pashërueshme, Lakmia Njerëzore. Përeth tij ka gropa të lemerisshmetë hapura për troje ndërtimi … Tej shtrihet një strukturë rrëmujë ku mbizotëron ngjyra gri, si një qefin njellëkeqës dhe sikur të mos mjaftojë, depozitat janë vendosur mbi qytet si kapuça turpi. Urbanistika është një katrahurë e vërtetë: beton, pallat, asfalt dhe sërish asfalt, pallat, beton. Edhe pse janë hartuar shumë projekte, shumë masterplane në vite, nuk ka një plan të zbatuar në urbanistikë. Këtu ka qenë vendi ku secili që zotëron para dhe pushtet ka ndërtuar ku, si dhe sa ka mundur. Pasuria dhe pushteti matet me kate, sa më i lartë pallati aq më shumë pasuri zotërohet dhe sa më në brendësi të detit aq më shumë pushtet ka. Ndërtesat gri ia gjakosën këmbët qytetit, ia çorrën trupin si mos më keq. Shumë pak metra lulishte në brendësi, pak pemë mjerane aty-këtu nëpër rrugë kryesore, pak ose aspak vazo me lule nëpër ballkone. Duket sikur edhe njerëzit i kanë alergji ngjyrat, lulet dhe gjelbërimin. 15-katëshi në mes të qytetit si hunda e Pinokut, hunda e Pinokut për politikën shqipëtare që veçse gënjen dhe nuk bën aagjë për këtë ‘Perlë’ të Shqipërisë.

Meqënëse askush nuk vepron, a nuk duhet të jemi ne t’i japim dritë këtij qyteti?! A mind të shtojmë vazo me lule? A mund të mbjellim pemë? A mund të shtojmë më shumë lulishte?


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.