“Një pemë për çdo karrige në trotuar” – detyrimi i ri për bizneset, por a mund të zbatohet në Sarandë
“Një pemë për çdo karrige në trotuar” – detyrimi i ri për bizneset, por a mund të zbatohet në Sarandë
Këshilli i Ministrave ka propozuar një projektvendim të ri “Për miratimin e rregullores së shfrytëzimit të hapësirës publike”, një dokument i gjerë i ndarë në 13 kapituj që synon të vendosë rregulla të qarta për përdorimin e hapësirave publike në të gjithë vendin.

Sipas këtij projektvendimi, bizneset gastronomike – bare, restorante dhe hotele – do të kenë të drejtë të shfrytëzojnë deri në 25% të gjerësisë së trotuarit për vendosjen e tavolinave dhe karrigeve. Lejet do të aplikohen përmes platformës e-Albania dhe do të kenë një afat vlefshmërie 2-vjeçar, ndërsa për raste të përkohshme, si festa apo aktivitete, lejet do të jenë deri në 30 ditë.
Risia më e diskutueshme e kësaj rregulloreje është kushti i ri: për çdo karrige të vendosur në hapësirë publike, subjekti është i detyruar të mbjellë një pemë. Leja konsiderohet e vlefshme vetëm pasi të dokumentohet zyrtarisht mbjellja e pemëve dhe përmbushja e detyrimeve financiare. Ky detyrim shtrihet edhe për kioskat.
Projektvendimi përfshin gjithashtu ndalime të qarta, si vendosja e strukturave mbi hapësira të gjelbra apo përdorimi i zgarave në trotuar pa aspirim. Parashikohen edhe masa ndëshkuese të forta: fillimisht paralajmërim me afat 2 deri në 5 ditë dhe, në rast moszbatimi, gjoba që nisin nga 35.000 lekë për metër katror.
Në thelb, dokumenti synon të krijojë një balancë mes aktivitetit ekonomik dhe mbrojtjes së hapësirës publike, duke futur edhe një komponent mjedisor përmes detyrimit të gjelbërimit.
Ky projektvendim duket i ndërtuar mbi një logjikë teorike uniforme, pa marrë parasysh realitetet shumë të ndryshme urbane në qytete të ndryshme të vendit. Dhe kur kjo logjikë përplaset me terrenin, sidomos në një qytet si Sarandë, lindin kontradikta të forta.
Saranda është një nga rastet më tipike ku rregullorja rrezikon të mbetet e pazbatueshme. Trotuaret në qytet nuk janë homogjene dhe shpesh nuk përmbushin as standardet minimale. Në shumë zona ato variojnë nga vetëm 20-30 centimetra deri në rreth 2 metra në rastet më të mira.
Në këtë realitet, kufiri prej 25% bëhet i pakuptimtë. Në një trotuar 1 metër të gjerë, biznesi mund të përdorë vetëm 25 centimetra – një hapësirë që praktikisht nuk shërben për asgjë. Ndërkohë, detyrimi për të mbjellë një pemë për çdo karrige e shton absurditetin: ku do të mbillen këto pemë kur vetë hapësira fizike mungon?
Rreziku është i dyfishtë. Nga njëra anë, bizneset mund të mos e zbatojnë fare këtë rregull, duke vazhduar praktikën e zaptimit të plotë të trotuareve. Nga ana tjetër, zbatimi selektiv mund të krijojë pabarazi dhe tensione, duke penalizuar disa dhe toleruar të tjerë.
Problemi në Sarandë nuk është mungesa e rregullave të reja, por mungesa e një rendi urban bazë. Për vite me radhë, hapësirat publike janë lejuar të deformohen, ndërsa këmbësori është lënë në plan të dytë. Sot, në vend që të rikthehet prioriteti tek qytetari, projektvendimi duket sikur përpiqet të vendosë rregulla mbi një realitet tashmë të deformuar.
Nëse nuk paraprihet nga një aksion real për lirimin dhe standardizimin e trotuareve, ky projektvendim rrezikon të mbetet një tjetër dokument formal. Një rregullore që flet për pemë dhe përqindje, ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të ecin në rrugë, mes makinave, sepse trotuari – në shumë raste – thjesht nuk ekziston më si hapësirë publike.
Ndajeni me miqte:
Na ndiqni:
Postimet e fundit
Suvenire
Pelikani i Butrintit – Imitim mozaiku i Butrintit, punim nga Agur Kapo
26/03/2610:19
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 3
26/03/2610:19
PUNIME ARTIZANE ME MOTIVE NGA BUTRINTI, PJETER PERKEQI 11
26/03/2610:19
Suvenire nga Saranda
26/03/2610:19
DEA e Butrintit, punim në gur nga Agur Kapo
26/03/2610:19