Muaji i Ramazanit/ Falja dhe iftaret jo në xhami, shtëpia ‘fole’ e Zotit

22/04/2021:49

Shperndaje:


Teksa na ndajnë 2 ditë nga muaji i ramazanit, nënkryetari i komunitetit mysliman, Taulant Bica u shpreh është shumë e trishtë atmosfera që gjen ky muaj i shenjtë. Sipas tij agjërimi është personale ndërsa falja mund të kryhet në mënyrë individuale. Nga ana tjetër për kryegjyshin botërorë të bektashinjve situata e vështirë që gjen ramazanin ka bërë që njerëzit të reflektojnë.

“Ne jemi të detyruar që këtë muaj të Ramazanit ta jetojmë pak ndryshe, pavarësisht se na qan zemra nga ajo atmosferë që kemi pas kaluar në vitet e mëpërparshme.” Është ky përjetimi i nënkryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Taulant Bica, 2 ditë përpara nisjes së muajit të Ramazanit lidhur kjo dhe me panoramën e trishtë që të ofrojnë sot xhamitë e boshatisura për shkak të situatës së Covid19 .

Ai shton se agjërimi i ramazanit është personal ndërsa plotësimet e tjera si lutjet e përbashkëta në xhami si dhe iftaret janë rituale që do të kryhen individualisht në shtëpi duke e kthyer atë folenë e mirëfilltë ku jetohet feja e zotit.

Krahas besimtarëve mysliman, ky muaj gjen përjetim edhe tek bektashinjtë. Kryegjyshi botëror i bektashinjve, Edmond Brahimaj ka një mesazh për besimtarët dhe ata që agjërojnë që zoti të rrisë më shumë dashurinë për njëri-tjetrin, solidaritetin, vëllazërinë, marrëdhënies midis familjes e shoqërisë.

Ndërsa shton se dhe situata e vështirë e krijuar si pasojë e Covid19 ka shërbyer si një moment reflektimi për të forcuar më shumë mardhënien mes njëri-tjetrit.

Muaji i Ramazanit është muaji më i shenjtë i besimtarëve myslimanë, i cili fillon më 24 prill, ku të gjithë agjërojnë sipas Sheriatit, Ligjit Islamik. Besimtarët agjërojnë për 30 ditë nga mëngjesi, përmbahen nga pirja e ujit, pirja e duhanit, marrëdhëniet seksuale. Në mbrëmje, pas thirrjes së Ezanit, thyerja e agjërimit festohet me një vakt të thjeshtë ngrënieje që në termin fetar njihet si iftari.


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.