Çfarë ndodh sot me intelektualët në Sarandë? – Opinion nga Piro Naçi

26/08/2017:44

Shperndaje:


A dëgjove gjë… ja ndruan emrin Sarandës ? Një pyetje që përmban sa humor po aq edhe sarkazëm. Por edhe për të parë se si një lajm një ide një mendim përhapet në shoqërinë tonë , çfarë reagimi krijon dhe cili është qëndrimi intelektual.
Pyetja drejtohej shumë shumë larg në Kanada, një tiransi që Sarandën e mbart brenda vetes me shumë dashuri dhe nostalgji. Biseda vërvitej rreth një lajmi të një faqeje interneti për mundësinë e ndryshimit të emrit të Sarandës nga ‘’intelektualë’’ të qytetit. Nuk e prisja që ‘’kanadezi’’ jo vetëm ishte i informuar por edhe i ‘’revoltuar’’. I revoltuar jo vetëm për ato çka lexonte por edhe për diçka tjetër. ‘’Problemi’’ i tij kishte të bënte me ‘’fatin’’ e dhjetra, qindra e ndoshta mijëra vajzave kosovare që emrin e tyre e kanë pagëzuar me atë të qytetit Saranda…Pas sarkazmës dhe humorit biseda kishte edhe seriozitetin e saj edhe intelektualizmin.

Të kërkosh sot të ndryshosh një emër thjesht se ai përmban kuptim në një gjuhe tjetër kjo nuk të bën më shumë patriot dhe nuk është patriotizëm as intelektualizëm. Patriotizmi nuk ka të bëjë as me ata që ndryshojnë dhe as me ata që zëvëndësojnë apo që tjetërsojnë e keqinterpretojnë emërtimet për arësye të dobëta. Patriot janë ato dhjetra e qindra kosovare që emrin e tyre e kanë lidhur me emrin e një nga qyteteve të Shqipërisë , pa as një lloj paragjikimi. Patriot është ai që thotë të vërtetën dhe nuk trëmbet nga ajo. Në vendin tonë fenomeni i toponimeve në gjuhë të huaja jo vetëm që ka një shtrirje të gjërë por është pjesë e historisë . Ato nuk mund ti ndyshosh. Kohët kanë evoluar. Nuk jemi më në vitet 1959 kur organizata e partisë vendoste që burimet e pasura me ujë të Muzinës nga “Tharopina” që përdorej nga fshatarët ta emëronte në “Syri i Kaltër”!!!

Kalanë e Likurësit në Sarandë e kemi dhuratë qysh prej 1537 nga Sulltan Sulejmani. Emërtimin e saj historia nuk mundi ti vendosë as emrin e Sulltanit dhe as të Sulejmanit. Kalaja mbart emrin e fshatiti që u bë bërthama e popullimit të Sarandës pas shkatërimit dhe djegjes në shekullin e 19-të. Një emër që rrënjët janë në greqishten e lashtë. Kjo nuk është ‘’fatkeqësi’’ por është një pasuri. Emri përbëhet nga dy pjesë e para tregon fjalën dritë dhe e dyta një veprim në ngritje, në lartësi.
Në njohjen e historisë kontribojnë edhe degët e specializuara siç janë toponimia dhe gjuhësia. Banorët që jetonin në atë fshat, në majë të malit, ishin të parët që shikonin lindjen e diellit… por edhe të parët që komunikonin me dritën e zjarit me anijet e Jonit , me qytetet e lashtë të Butrintit të Finiqit dhe pse jo deri në Dodonë!!! Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një emër por me një histori të tërë që duhet ta ruajmë dhe hulumtojmë nga specialist të fushave të veçanta të historiografisë. Por edhe nga vetë banorët e zonës.
Të njëjtën gjë do të thoja edhe për emrin e qytetit të Sarandës. Ai në vetvete nuk ka të bëjë vetëm me fjalën greke 40-të, por mbart një histori shumë të vjetër dhe të bukur të krishtërimit që zanafillën e saj e ka në një vend të Turqinë së sotme në shekullin e katërt të e.s. pothuajse ‘’moshatare’’ me emrin tjetër të bukur që mund të kishte qyteti, atë të Onhezmit. Per 40-të Martirët romak të krishtërimit janë bërë objekte kulti në të gjithë botën por historia dhe njerëzimi ‘’pagëzuan’’ vetëm një qytet me këtë emër, atë të Sarandës.

Të gjitha këto kanë të bëjnë me njërën anë të problemit dhe është një nga temat e shumta që shoqëria prodhon nga dita në ditë. Ana tjetër e saj ka të bëjë me qëndrimin qytetar dhe atë intelektual me problemet që shoqëria mbart herë pas here.
Këto janë cingla-mingla, janë provincializëm, mos i kushto rrëndësi etj,etj. Koncepte dhe qëndrime që fatkeqësisht i gjen jo vetëm në një diapazon të gjërë të shoqërisë por edhe në shtresën e intelekualëve. Dhe natyrshëm lind pyetja; – Cili është rroli i tyre në kohën e sotme?
Për ti dhënë përgjigje pyetjes le të shikojmë se çfarë kuptojmë me termin intelektual. Zakonisht supozojmë se një intelektual duhet të jetë një njeri i arsimuar. Por jo çdo njeri i studjuar është intelektual. Nga intelektuali nuk presim vetëm të ketë njohuri, të jetë i kulturuar apo të zotërojë një titull akademik. Këto nuk janë të mjaftueshme, shoqëria kërkon edhe diçka tjetër. Qëndri i tij për problemet e shoqërisë që jeton nuk duhet të përputhet me ‘’standarte’’ te indiferencës pasive.
Unë i konsideroj intelektualët të gjithë ata që, pavarësisht nga profesioni i tyre, përpiqen të tejkalojnë fushën e specializimit dhe interesohen në mënyrë aktive për çka ndodh në shoqëri dhe të marin qëndrim.
Fatkeqësisht e vërteta është se roli i intelektualit ka ndryshuar dhe ata janë në eklips ose heshtin. Përjashtimet pothuajse minimale. . Një pjesë e tyre ekzistojë, shprehen,shkruajnë artikuj në gazeta,revista,japin leksione,flasin në konferenca dhe seminare, botojnë libra etj etj. Problemi është se: – A i dëgjojmë ne… ?

Janë këta mbajtës të privilegjeve arsimore që prodhojnë dhe riprodhojnë ideologji dhe kode morale të diktuara nga çdo lloj klase që vjen dhe ikën në pushtet. Ata kanë pushuar të kenë një pozitë organike dhe një rol organik në jetën intelektuale publike.Me rol organik nuk kuptojmë mobilizimin e masës apo të provokojnë lëvizje shoqërore,por të jenë në gjendje të përcaktojnë në një masë të madhe ose të vogël terma,çështje, ide të debatit publik shoqëror dhe politik. Nuk ekzistojnë si shprehje autonome, si entitet i pavarur, por janë integruar në struktura dhe mekanizma individualë ,shoqëror dhe politik. Fenomeni i integrimit të tyre në partitë politike ka arritur në përmasa alarmante. Rezultati është ky: shikuesit e programeve tv, lexuesit e gazetave, nëse dhe kur prezantohet ‘’intelektuali’’, nuk mund ta dallojë fytyrën e shkencëtarit nga fytyra e anëtarit të partisë.
Por edhe media nuk mbetet mbrapa e cila është e përfshirë në atë që Chomsky e quan ‘’konstruksione të pëlqyeshme’’ promovon ‘’intelektualë’’ të konsumueshëm që përcjellin ide të ‘’pranuara’’ në mënyrë që njerëzit të mbeten pasivë, të bindur,manipulues dhe të grupuar si ushtarë. Rasti më tipik është ai i gazetarit që me gjysëm orë emision katër herë në muaj një pjesë e opinionit publik kërkon ta bëjë Kryeministër!!!

Pyetje të natyrës ‘’Pse intelektualët heshtin’’ ‘’Ku janë intelektualët në momente kur po ndodhin apo shtrohen probleme sociale,shoqërore a politike’’? lindin natyrshëm e në vazhdimësi. Dhe nga ana tjetër opinioni publik duket se kërkon pozicionet dhe pikëpamjet e intelektualit, në mënyrë që të formësojë përfundimisht qëndrimin e tij ndaj ngjarjeve të kohës. Këto kontraste lindin enigmën: Çfar po ndodh me intelektualët sot? Ndoshta fenomeni i ‘’zhdukjes’’, apo ‘’eklipsimit’’ të intelektualit nga sfera publike don të na çojë në rrugë të errëta të historisë?

Pirro Naçi
26/8/2020


Postimet e fundit

©SARANDAWEB - 2021 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.